Gjuhëtari i njohur Rami Memushaj, ka reaguar dje për “Shqiptarja.com”, duke rikujtuar historinë e përpjekjeve për ndryshimin e Drejtshkrimit. “Në faqet e gazetës suaj jemi shprehur para do kohësh për projektin ndërakademik të drejtshkrimit, si një projekt që e kthen drejtshkrimin e shqipes te projekti i Prishtinës i vitit 1957, kur nën trysninë e Beogradit mori udhë planifikimi i një gjuhe të re shqipe për shqiptarët e Jugosllavisë së atëhershme”, theksoi dje Memushaj.
Profesor Memushaj, si e keni pritur deklaratën nga Akademia e Prishtinës për vendimet e dala nga mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe?
-Kjo deklaratë provon edhe njëherë përfundimin në të cilin kemi arritur. Vendimet e mbledhjes së fundit, ashtu si ato të dy mbledhjeve të para, nuk synojnë përmirësimin e normës së gjuhës standarde, po ndryshimin e bazës së saj. Akademia e Prishtinës po ndryshon tri struktura gjuhësore të drejtshkrimit. Ata nuk nisen nga nevoja për intelektualizmin e gjuhës, po për ruralizmin e saj.
Pse pikërisht, mendoni se nisen nga nevoja për ruralëzimin e shqipes?
-Mjafton të sjellim pak shembuj formash që akademikët i quajnë normative, për të kuptuar se po ngrihen në normë shqiptime të ngushta krahinore. P.sh., është vendosur të shkruajmë ullij, barij, gjujzim, drujzim, godis, ujis, përmbys etj., në vend të ullinj, barinj, gjunjëzim, drunjëzim, ujit, përmbyt, si i shkruajmë dhe i shqiptojmë deri tani. Sikur të pyeten dhjetë kalimtarë të rastit për to dhe, me siguri, do të dalë që trajtat e propozuara nuk janë të përgjithshme. Dhe pa u bërë i përgjithshëm shqiptimi ndryshe i një trajte, nuk mund të kthehet në normë shkrimi i shqipes.
Thuhet se gjërat janë diskutuar, nuk e dinë akademikët e Prishtinës këtë rregull?
-Unë dhe kolegët e mi jemi të bindur se qëllimet nga nisen autorët e këtyre ndryshimeve nuk janë përmirësimi i ligjërimit të folur e të shkruar, po përmbushja e një synimi me frymëzime politike, krahinore e fetare. Këtë e kanë dëshmuar qëndrimet në këta 20 vjet të grupit brenda këtij Këshilli që i propozon dhe që i voton këto ndryshime. Mjafton të kujtojmë qëndrimin mohues të tyre ndaj Konsultës së Prishtinës dhe Kongresit të Drejtshkrimit, të lexohen “Orientimet” e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për ndryshimin e drejtshkrimit apo rolin e tyre në organizimin e konferencës së Durrësit më 2010.
Konferenca e Durrësit është bërë si “delja e zezë” në çështjen e drejtshkrimit, çfarë ka ndodhur në të vërtetë në 2010-n?
-Nuk është sekret të themi se këta ruajnë në raftet e bibliotekave të tyre ftesën e bërë nga ipeshkvi i mëparshëm i Shkodrës për të marrë pjesë në projektin për standardizimin e gegërishtes. Po, meqë ky projekt nuk u arrit të jetësohej, këta iu kthyen rrugës së zhbërjes së normave të gjuhës standarde. Pikërisht këta, falë qëndrimit të lëkundur të disa anëtarëve të tjerë të Këshillit, po ndjekin me konsekuencë qëllimet e tyre jokombëtare e joshkencore. Është koha që Akademia e Shkencave të heqë dorë nga projekte të tilla dhe që qeveritë në Tiranë e Prishtinë të mos mbështetin financiarisht projekte të tilla të dëmshme për njësinë kombëtare.
Shkrimi u publikua sot (11.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)