Mendime të përgjithshme për reformën Administrativo-Territoriale

Mendime të përgjithshme për reformën Administrativo-Territoriale

Foto ilustruese

I.                    PROBLEME TË PËRGJITHËSHME

Shtatë vjet pas Reformës Administrativo-Territoriale del nevoja e një analizë realiste të rezultateve të kësaj reforme, efiçencës së sa.  Domosdoshmëria e rishikimit të vazhdueshëm të rajonizimit, në këtë kuadër edhe të ndarjes administrativo-territoriale, si një nga format e rajonizimit, lidhet me ndryshimet e vazhdueshme në organizimin dhe strukturën e hapësirës sonë gjeografike. Këto ndryshime kushtëzohen nga:

·         Ekonomia e tregut po ristrukturon hapësirën tonë gjeografike;

·         Çvendosja masive e popullsisë nga zonat malore drejt qyteteve të zonës fushore;

·         Hapja e vendit tonë ndaj KE dhe Botës kërkon që ristrukturimi i hapësirës gjeografike shqiptare të integrohet në strukturat rajonale të saj dhe në eurorajonet që po krijohen;

·         Zhvillimi i bashkive dhe i vendit duhet të mbështetet në mundësitë e ofruara nga pasuritë natyrore dhe njerëzore të rajoneve dhe në integrimin e tyre në struktura komplekse të vendit dhe më gjerë.

·         Drejtimet dhe ritmet e reja të zhvillimit kërkojnë vazhdimisht struktura të reja administrative efikase;

·         Ndryshimet klimatike dhe problemet mjedisore gjithmonë në rritje dhe më shqetësuese.

Por për këtë ndarje të re kursesi nuk duhet të nxitohemi, si ndodhi me Komisionin për Reformën Administrative-Territoriale të fundit, i cili e zhvilloi veprimtarinë e tij për 3-4 muaj. Kur në vendet e Europës, procesi ka zgjatur rreth 10 vjet. Në këto vende, pikënisja e procesit është ngritja e një Komisioni mbi Strukturën Administrative, me detyrë pikësëpari detyrën e analizimit nëse është e nevojshme apo jo një reforma administrative-territoriale, duke u përqendruar në optikën e rritjes së eficiencës ekonomike dhe të shërbimeve publike. Në vazhdim komisioni organizon studimin e të gjithë faktorëve dhe kushteve, përcakton saktë kriteret, resurset natyrore e njerëzore, efiçencën ekonomike dhe mundësitë zhvilluese të hapësirave të caktuara gjeografike, të cilat do të jenë njësitë territorial-administrative, pra ndërton hartën paraprake administrative. Kjo hartë i nënështrohet kritereve të tjerë që lidhen me problemet e funksionimit të pushtetit vendor, decentralizimin e kopetencave, zhvillimin e demokracisë etj. Kështu, pas një procesi të gjatë studimor, përfitohet skema më e mirë e ndarjes administrative-territoriale.   

E theksoj këtë se ndarja administrative - territoriale është një proces tepër i ndërlikuar, që kërkon studime të detajuara nga studiues të shumë fushave.

Mendoj se Reforma Administrativo-Territoriale duhet të zgjidhë dy probleme të mëdha, të lidhura me njera-tjetrën dhe kushtëzuese midis tyre:

Problemi i parë lidhet me gjetjen e skemës më të mirë të ndarjes territorialo-administrative të vendit, e cila lidhet me përcaktimin e niveleve të hierarkisë së njësive administrative dhe sidomos me shtrirjen territoriale të secilës prej tyre. Për këtë duhet të përdoren kriteret të posacme të rekomanduara nga KE dhe përvoja e vendeve të zhvilluara e me demokraci të konsoliduar. Këto kritere, për të cilat do të flitet në vazhdim, dhe përvoja botërore duhen parë dhe zbatuar jo në mënyrë mekanike, por në përputhje me kushtet tona natyrore, sociale, ekonomike, historike etj, me gjendjen aktuale dhe të perspektivës së afërt dhe më të largët.

Për të zgjidhur këtë problem të parë, duhet të studiohen resurset natyrore e njerëzore, aktiviteti social dhe ekonomik aktual, struktura e degëve të ekonimisë, niveli i zhvillimit të infrastrukturës (rrugët, autostradat, portet, aeroprtet, tregjet, polet, qendrat urbane etj) brenda njësisë administrative, lidhjet me njësitë e tjera administrative dhe vendet e rajonet e tjera europiane e më gjerë. Të gjitha këto përbëjnë bazën e efiçencës ekonomike dhe të mundësive të jetesës, përbëjnë premisat zhvilluese socialekonomike të hapësirave të caktuara gjeografike, të cilat do të jenë njësitë territoriale administrative. Kjo krijon bazën shkencore të ndërtimit të hartës paraprake administrative. 

Ka studiues, të cilët, duke iu referuar përvojës së disa vendeve të zhvilluara, theksojnë se “problemi territorial nuk ka rëndësi, ndaj nuk duhet humbur kohë me të”. Unë mendoj se vendet, që iu referohen studiuesit në fjalë, e kanë zgjidhur me kohë problemin e shtrirjes territoriale të njësive administrative, territori i të cilave, me resurset e mjaftueshme natyore dhe njerëzore, siguron premisat për zhvillim të mirë të njësive administrative.

Ne ende nuk e kemi zgjidhur këtë problem, ende nuk kemi llogaritur saktë dhe shkencërisht mundësitë dhe efektivitetin e resurseve natyrore dhe njerëzore për jetesën dhe zhvillimin e njësive administrative brenda territorit të tyre gjeografik, ende nuk e dimë saktë se kush e ka fajin për falimentimin e bashkive: resurset natyrore e njerëzore të pamjaftueshme, struktura ekonomike e njësisë administrative, shkalla e zhvillimit dhe lloji i infrastrukturës egzistuese, integrimi i munguar në vend dhe jashtë tij,  apo problemet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, raportet midis pushtetit vendor dhe qendror, vullneti e aftësitë e munguara të stafit drejtues të njësisë administrative etj. Këto të fundit janë objekt i problemit të dytë.

Problemi i dytë lidhet me funksionimin e njësive administrative, me shkallën e decentralizimit ekonomik e financiar dhe të shërbimeve publike, me autonominë reale të pushtetit vendor, me raportet midis pushtetit vendor dhe qendror dhe përmirësimin e vazhdueshëm të këtyre raporteve, me funksionimin dhe zhvillimin e demokracisë, me vullnetin dhe aftësitë drejtuese e organizuese të stafit të bashkisë etj. Të gjitha këto zgjidhen përmes një baze të konsoliduar ligjore dhe vullnetit të mirë politik. Reforma administrativo-territoriale, që të jetë serioze dhe shpëtim për Shqipërinë, duhet të shihet si një reformë decentralizuese dhe vetadministruese, dhe jo si truk elektoral, me synimin e vetëm votat. Pra të synohet ndarja territoriale dhe jo elektorale.

Nisur nga profili im si studiues i gjeografisë së Shqipërisë, unë do të ndalem tek problemi i parë, duke analizuar kriteret e ndarjes administrative dhe të rajonizimit.

II.                  KRITERE TË NDARJES EFIÇENTE ADMINISTRATIVE-TERRITORIALE

Janë të shumtë, por unë do të ndalem tek kriteret, që lidhen me gjeografinë e vendit tonë:

1. Efiçenca ekonomiko-financiare dhe ekonomia e shkallës e njësive territorialo-administrative

Ky kriter kryeson në tërësinë e faktorëve dhe kritereve të ndarjes territorial dhe lidhet me konceptimin e njësive të qeverisjes vendore si “zona funksionale”, të afta për t`u vetadministruar dhe zhvilluar në mënyrë të qendrueshme, duke tërhequr investime dhe siguruar akses përmes infrastrukturës etj.

Për këtë territori i bashkisë duhet të ketë një shtrirje e sipërfaqe të mjaftueshme dhe me burime natyrore e njerëzore, të cilat, përmes vlerësimit dhe shfrytëzimit shkencor efektiv dhe avantazheve të ekonomisë së shkallës, të mundësojnë zhvillimin e qendrueshëm social e ekonomik. Resurset natyrore e njerëzore përfshijnë: pasuritë minerare, gjeomorfologjike, klimatike, ujore, pedolgjike, floristike e faunistike, trashëgiminë natyrore dhe kulturore, potencialin turistik, numurin dhe strukturën e popullsisë, shkallën e arsimimit e kualifikimit të popullsisë aktive, shkallën e zhvillimit të demokracisë, infrastrukturën ligjore, sociale, rrugore, bujqësore, industriale, turistike, nivelin e zhvillimit social-ekonomik aktual dhe në të ardhmen, nivelin e integrimit brenda territorit, midis njësive adminsitrative brenda e jashtë vendit etj.

Më duhet të theksoj se asnjë prej reformave tona administrativo-territoriale nuk është paraprirë nga kjo analizë e detajuar, asnjëherë nuk janë matur parametrat e premisave të ofruar nga resurset natyrore e njerëzorë për zhvillimin socialekonomik të njësive administrative dhe efektet e tyre në këtë zhvillim. Është kjo një nga arsyet kryesore e problemeve jo të vogla që kanë shoqëruar të gjitha reformat tona administrative, si: diporpocionet e mëdha në shtrirjen e sipërfaqen e njësive administrative, nga bashkitë mikroskopike e të varfëra me resurse zhvillimore  deri në ato tepër të mëdha dhe të pasura me këto resurse, duke i thelluar më tej pabarazitë e rajonale; ka jo pak bashki që nuk po mbijetojnë ekonomikisht, po dështojnë apo falimentojnë dhe po braktisen me shpejtësi nga popullsia etj. Si të tilla qeveria i ka kërcënuar se mund të marrë nën kontroll administrimin e tyre si bashki të falimentuara.

Shtoj se egzistojnë specialistë të aftë që mund të kryejnë analiza të detajuara të mundësive zhvillimore të resurseve natyrore e njerëzore të territorit të bashkive dhe të matin saktë dhe me të dhëna konkrete parametrat e tyre.  Uroj dhe shpresoj, që reforma e re administrative – territoriale, ndryshe nga parardhëset, do të paraprihet nga analiza dhe matja e parametrave në fjalë. Kjo do të shtrojë trasen për të realizuar një reformë të mirë, eficente dhe afatgjatë. 

Njëherazi duhet theksuar se, krahas matjes se eficencës së zhvillimit të një rajoni, duhet doemos të decentralizojmë kompetencat ekonomike e financiare të bashkive dhe jo vetëm. Objektivi nuk duhet të jetë rritja e numurit të bashkive, zvogëlimi i tyre apo mbajtja e gjendjes ekzistuese, por efiçenca ekonomike e financiare e bashkive dhe vetëqeverisja e tyre. Kjo e bën reformën afatgjatë dhe me vlera.  Ndarja e mirë administrativo-territoriale ndikon në: cilësinë e qeverisjes vendore, cilësinë e shërbimeve që u ofrohen komuniteteve; në mënyrën dhe cilësinë e përdorimit të resurseve prodhuese dhe resurseve njerëzore në nivelin vendor.

 

 

2.      Numri i popullsisë 

Lidhur me numurin e popullsisë ka mendime të ndryshme: disa studiues theksojnë se nuk duhet të na shqetësojë ky kriter, sepse në disa vende të zhvilluara ka njësi administrative me 1000 banorë; disa të tjerë, duke e vlerësuar rolin e kriterit në fjalë, japin edhe rekomandime për madhësinë e këtij numuri: mbi 30.000 banorë në zonat me densitet të lartë popullsie, mbi 20.000 banorë në zonat me densitet të mesëm dhe mbi 10.000 banorë në zonat me densitet të ulët.  

Unë mendoj se ky kriter duhet të vlerësohet, duke e parë e analizuar me kushtet konkrete të vendit tonë. Sepse, në vendet e zhvilluara ka njësi administrative edhe me 1000 banorë, por me siguri në kushte të tjera: shkallë e lartë e mekanizimit të aktiviteteve ekonomike, niveli i lartë i kualifikimit të fuqisë punëtore, struktura të qendrueshme të popullsisë, aktivitete ekonomike që kërkojnë pak fuqi punëtore etj.

Në vendin tonë nuk mund të ketë kursesi zhvillim me një popullsi të pakët dhe të plakur, me numur të pamjaftueshëm të fuqisë punëtore për të shfrytëzuar resurset natyrore dhe për shërbime, me aftësi tepër të kufizuar blerëse dhe konsumuese të prodhimeve etj. Ndaj, shumë bisnesmenë të bashkive të zonave malore, në mungesë të perspektivës, kanë mbyllur aktivitetin dhe janë larguar drejt zonave më të populluara, ku gjejnë më lehtë forca pune dhe treg për prodhimet e tyre. Kjo, krahas faktorëve të tjerë, ka shpejtuar çpopullimin, madje shkretimin demografik të shumë zonave malore dhe ka thelluar pabarazitë midis rajoneve të vendit.

Njëherazi theksoj se ky kriter nuk duhet të absolutizohet, pra të merren shablon shifrat e mësipërme. Numuri i mundëshëm i popullsisë duhet përcaktohet: në vartësi të nevojave për forca punëtore të aktiviteteve ekonomike e të shërbimeve të ofruar nga resurset natyrore; nga struktura moshore, profesionale, arsimore dhe shkalla e kualifikimit të popullsisë; nga shtimi natyror dhe prirjet migruese; nga nevoja për kapacitete cilësore intelektuale për menaxhimin e zhvillimit, më të mundëshme në një popullsi më të madhe etj. Parë në këtë optikë, del përsëri nevoja e studimit nga specialistët demografë i gjithë këtyre problemeve mbi bazën e të dhënave statistikore të sakta dhe të reja. Mbi këtë bazë të përcaktohet numuri i popullsisë, që duhet të ketë cdo njësi administrative e veçantë, duke siguruar kështu një premisë tjetër të domosdoshme zhvillimore.

3. Kriteri i përfshirjes së zonave urbane dhe rurale

Kjo do të thotë se çdo njësi administrative duhet të ketë qendër apo qendra urbane, pra qytete, të cilët janë motorë të fuqishëm zhvillimi dhe emancipimi. Kjo do të ndihmojë për harmonizimin e politikave zhvillimore dhe do të zvogëlojë pabarazitë e theksuara midis hapësirës urbane dhe rurale të vendit tonë.

Një nga arritjet e reformës së fundit administrative-territoriale ishte eleminimi i komunave, që bashkoi hapësirën urbane me atë rurale, qytetin me fshatin, të cilët janë në simbiozë me njeri-tjetrin, i shërbejnë njeri-tjetrit, duke harmonizuar zhvillimin e tyre.

Por ka edhe disa raste të shkeljes së këtij parimi. Si të tilla do të përmendja tri bashki: Pustecit, Dropullit dhe Finiqit, tek të cilat nuk ka asnjë qendër urbane. Unë e mirëkuptoj arsyen e shpalljes së tyre bashki, duke respektuar të drejtën e patjetërsueshme të përfaqësimit të minoritetit. Është bërë shumë mirë që u respektua kjo e drejtë. Por mungesa e qytetit, resurset tepër të kufizuara natyrore e njerëzore (numuri i vogël i popullsisë tek dy të parat dhe shkalla tepër e plakur e saj) vështirsojnë zhvillimin e këtyre bashkive, vetëqeverisjen e tyre, realizimin e shërbimeve cilësore ndaj komunitetit etj. Ndaj, do të rekomandonja që të zgjidhet ky problem nga politika, natyrisht duke i dhënë prioritet respektimit të të drejtave të minoriteteteve.

4.      Vazhdimësia territoriale dhe distanca nga qendra

        Kjo kërkon unitetin e territorit, lidhje dhe komunikim midis nënnjësive përbërse të bashkisë dhe distanca jo të mëdha të tyre nga qendra urbane e bashkisë, rrugët dhe tregjet e saj, që sigurojnë lehtësi në aksesin ndaj qendrës, ku merren jo pak shërbime etj. Krahas faktorëve të tjerë, zbatimi i këtij kriteri ndihmon në forcimin e kohezionit midis njësive përbërse të      bashkisë, lehtëson  funksionimin e saj si njësi  autonome e vetqeverisëse etj.

Në skemën e fundit, në disa raste nuk është respektuar ky kriter: në bashkinë e Dropullit lidhja midis dy nënnjësive të saj, Pogonit dhe Dropullit, bëhet përmes kreshtës së malit të Buretos,      mbi 1500 m lartësi, ku nuk ka asnjë rrugë;  bashkia e Shkodrës zgjatet drejt veriut me një bre shumë të gushtë përgjatë luginës së lumit të Shalës, ndaj thethianëve u duhen mbi 70 km të komunikojnë me Shkodrën, qendrën e bashkisë; nuk mungojnë as ndërfutjet në formë xhepash të territorit të një bashkie tek tjetra etj.

5. Garantimi dhe respektimi i lidhjeve historike dhe tradicionale

Ky kriter tepër i rëndësishëm, kërkon që të respektohen krahinat etnogjeografike, të krijuara në shekuj, me tradita të veçanta etnokulturore dhe me koshiencë regjionale apo lidhje të forta shpirtërore të banorëve të tyre midis tyre dhe me vet krahinën. Respektimi i kufijve të këtyre krahinave etnogjeografike në ndarjen territorialo-administrative ndihmon në: forcimin e kohezionit të bashkisë; në ruajtjen e traditave të pasura etnokulturore nga proceset globalizuese dhe migrimi intensiv i popullsisë, që tentojnë të rrafshojnë ndryshimet dhe të zhdukin këto tradita, problem ky edhe në shkallë botërore; ndihmon në rritjen e përpjekjeve të banorëve, të lidhur shpirtërisht, që të zhvillojnë krahinën e tyre, duke iu kthyer shpresën e humbur për jetesë të mirë në vendlindje, motiv ky i fortë për t`u rikthyer nga mërgimi.

Ndarjet administrative të vendit tonë nuk kanë respektuar krahinat etnogjeografike. Tre shembuj, por ka edhe të tjerë:

-  Kurveleshi, një krahinë etnogjegrafike e individualizuar në shekuj, është copëtuar në disa bashki fqinje, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë. Asnjëherë kurveleshasit, krenarë për traditat e pasura të krahinës së tyre, nuk e kanë ndjerë vehten gjirokastritë, tepelenas, apo vlonjatë;

-  Nga Mirdita e famshme për historinë e saj, individualitetin e shprehur, traditat shumë të pasura, lidhjet e forta shpirtërore të banorëve, janë hequr pjesë të mëdha, të cilat u janë bashkuar mekanikisht bashkive fqinje. Ende banorët e përjashtuar nga krahina e tyre, vazhdojnë ta ndjejnë vehten mirditorë.

-  Luma, kjo krahinë e famshme për historinë e saj të ngjeshur me ngjarje dhe heroizma, me rëndësi jo vetëm vendore, por në rradhë të parë kombëtare; për traditat shumë të pasura dhe të individualizuara qartë; për lidhje ende të forta shpirtërore të lumianëve etj, për fat të keq, ka humbur krejt, askund nuk përmendet, nuk figuron në asnjë hartë gjeografike të kohëve të fundit dhe natyrisht në asnjë hartë administrative të vendit.

Zgjidhja e këtij problemi jo të vogël do të kërkonte ndihmën e specialistëve, sidomos të etnografëve, historianëve, gjeografëve etj; do të kërkonte edhe punë të detajuar në terren, ku, përmes bisedave dhe anketave, duhet të pyeten banorët si e ndjejnë vehten, cilës krahinë etnogjeografike i përkasin.

Për këtë kriter shtoj se, jo domosdoshmërsht, zgjidhja e tij nuk nënkupton që të gjitha krahinat etnogjeografike të vendit të formojnë bashki të veçanta, por, duke rruajtur shtrirjen e tyre, disa mund të formonin  njësi administrative në përbërje të këtyre bashkive.

Së fundi, do të theksonja se zbatimi i këtij kriteri do të ndihmonte edhe në përgattjen dhe zbatimin e strategjisë kombëtare të forcimit të koshiencës regjionale, të forcimit të lidhjeve shpirtërore me krahinën dhe gjithë vendin, tepër të tronditura nga zhvillimet e fundit në vend, nga pasojat negative të globalizmit, këtij ruli të madh rrafshues të dversitetit natyrore dhe sidomos etnokulturor. Kjo do t`i bashkonte përpjekjet tona me përpjekjet e shumë vendeve të zhvilluara, të kulturave të tyre, me programet e shumë organizmave ndërkombëtare për mbrojtjen e koshiencës regjionale, trashëgimisë etnokulturore të vendeve e kombeve të ndryshme të botës përherë e më të kërcënuara nga rrafshimi dhe zhdukja, të shkaktuar nga globalizmi dhe shumë faktorë të tjerë vendorë, kombëtarë dhe më gjerë. 

6.      Mbrotjen minoriteteve etnike

Për problemin që po diskutojmë, ky kriter lidhet me diferencimin e minoriteteve në njësi të veçanta administrative, aty ku këto minoritete përbëjnë shumicën e popullsisë së njësive vendore. Ky kriter është zbatuar në reformën e fundit dhe kjo është një nga arritjet pozitive të kësaj reforme. Por, si u theksua më lart, bashkitë minoritare kanë dy probleme: mungesa e qendrës urbane dhe e vazhdimsisë territoriale e distanca nga qendra (bashkia Dropull). Këto dy probleme duhet të zgjidhen nga politika në reformën e re administativo terrtoriale. 

Ndërtimi i matrices së këtyre kritereve ndihmon ballafaqimin e krahasimin e rasteve dhe gjetjen e prioriteteve të tyre. Krahas kësaj, të njihen rajonizimet gjeografike, të cilat duhet të shërbejnë si bazë apo piknisje për rajonizimin formal apo ndarjen administrative-territoriale të vendit.

III. RAJONIZIMI GJEOGRAFIK, PIKËNISJE E NDARJES EFIÇENTE ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE

Studimet tona mbi rajonizimin gjeografik kanë përcaktuar faktorët e diferencimit gjeografik të territorit, të hapësirës sonë gjeografike, të cilët mund të grupohen: faktorë natyrorë ose ekologjikë, socialë dhe ekonomikë.

Veprimi i këtyre faktorëve varet nga: shkalla e uniformitetit ose heterogjenitetit natyror, nga format e organizimit ekonomik, social e politik dhe shkalla e zhvillimit socialekonomik i vendit.

Në Shqipëri veprojnë kushte e faktorë të veçantë:

•         Larmi e theksuar natyrore, sa vendi quhet një muze i madh natyror, ndaj është ende e madhe pesha e faktorëve natyrorë në aktivitetin jetësor e prodhues të shoqërisë shqiptare;

•         Peshë ende e madhe e popullsisë rurale. Për pasojë shoqëria shqiptare vazhdon të ruajë tiparet e shoqërisë bujqësore. Në zonat rurale të vendit ka mundur të mbijetojë: kultura tradicionale, forma shprehje të artit popullor, tipe të caktuara marëdhëniesh familjare dhe shoqërore. Këto tradita kanë lënë shenjën e tyre në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit.  

•         Vendi është ende larg botës së mbiteknologjizuar, në të cilën kryhet pandërprerje homogjenizimi i hapësirës së saj sociale, kulturore, ekonomike dhe politike.

•         Ekonomi me zhvillime ende modeste, ndërsa transporti, me gjithë rrugët e reja e autostradat, me degëzime duhet të depërtojë në thellësi të vendit, atje ku jetojnë njerëzit dhe janë realisht resuset kryesore natyrore;

•         Ndryshime të mëdha ekonomike, sociale e kulturore midis zonave të vendit;

•         Njerëzit  janë të lidhur shpirtërisht fort me rajonin;

•         Ndarjet  administrativo-territoriale, duke qënë më tepër arbitrare e politike, nuk kanë mundur të japin efektet pozitive në zhvillim dhe në individualizimin e uniteteve gjeografike;

•         Raportet midis pushtetit vendor dhe qendror janë dalluar nga centralizmi  i theksuar;

Janë përcaktuar faktorët kryesorë të diferencimit të hapësirës sonë gjeografike: faktorët natyrorë, me thekse të veçanta tek relievi, klima, ujërat, tokat, bota e gjallë dhe mënyra e përvehtësimit të vlerave natyrore; baza ekonomike me thekse të veçanta strukturën e degëve, shkëmbimin midis regjioneve, vartësinë midis tyre etj; faktori social me thekse strukturën dhe veçoritë e popullsisë, nivelin kulturor dhe prirjet e saj migruese e sedentare.

Ndërsa në faktorët sekondarë dallohen: koshienca regjionale dhe format e administrimit publik dhe politikat e reja administrative, efekti diferencues i të cilave do kohë që të ndjehet në strukturimin e hapësirës gjeografike.

Mbi këtë bazë janë përcaktuar këto katër rajone gjeografike: Rajoni Verior dhe Verilindor, Rajoni Juglindor, Rajoni Jugor dhe Rajoni Perëndimor

 

 

III.                RIKONCEPTIMI I RAJONIT – KËRKESË E ZHVILLIMEVE TË REJA RAJONALE NË KE

Në tre dhjetvjeçarët e fundit, rajoni dhe rajonizimi janë bërë objekt i debateve shkencore dhe politike, të cilat u kanë dhënë atyre dimensione të reja, shumë më të mëdha: shkencore, administrative dhe politike.

Sipas konceptit të sotëm europian rajoni dhe zhvillimi rajonal përfaqësojnë:

•      Rajoni sot konsiderohet njësia bazë territoriale për zhvillim të qendrueshëm. Por suksesi i zhvillimeve rajonale lidhet me madhësinë dhe aftësinë e tij për funksionimin si njësi administrative. Ndaj, mer rëndësi trajtimi politik, ekonomik dhe social i rajonit.

•      Zhvillimi rajonal është rruga më e mirë për të sheshuar pabarazitë në zhvillimin e një vendi. Zhvillimet e deri sotme janë shoqëruar me ndryshime dhe pabarazi të mëdha midis rajoneve dhe njësive administrative të vendit.

•      Një instrumet për integrim brenda vendit, në rajon dhe më gjerë.

•      Nëpërmjet rajonalizimit, realizohet decentralizimi  dhe  dekoncentrimi i shtetit.

•      Rajonet dhe zhvillimet e tyre mundësojnë krijimin e kushteve të barabarta të jetesës së  njerëzve në rajone të ndryshme, mundësi të njëjta të përfitimit nga shërbimet publike etj.

•      Rajoni është hapësira më e rëndësishme për të siguruar zhvillimin e qendrueshëm ekologjik dhe  për zgjidhjen e problemeve tepër të mëdha mjedisore të sotme.

•      Rajoni dhe zhvillimet rajonale janë instrumeti i realizimit të funksionin politik europian:

Ø  Europa ka kulturë të përbashkët europiane, por njehërazi ka dallime midis shteteve të ndryshme të saj. Ruajtja e këtyre dallimeve etnokulturore kombëtare të shteteve, si vlera edhe në shkallë europiane, përbën një detyrë parësore në kushtet e sotme, kur proceset globalizuese po rrafshojnë këto dallime. Një nga mënyrat e ruajtjes së identitetit europian është edhe evidentimi dhe zhvillimi i rajoneve.

Ø  Përmes politikave rajonale sigurohet solidariteti europian, i konkretizuar në formulimin dhe zbatimin e masave, që duhet të zbatojnë shtetet anëtare të KE për integrimin europian, të dobishme për të gjitha shtetet dhe sidomos për rajonet e varfëra.

Ø  Kohët e fundit, KE po priret të kalojë nga një bashkësi shtetesh të vegjël dhe të mëdhenj, të varfër dhe të pasur, të periferisë dhe të qendrës, ku nuk mungojnë diktati i më të madhit dhe mosmarrëveshjet, që mund të kthehen edhe në konflikte, në një bashkësi rajonesh dhe eurorajonesh të barabartë në madhësi, në shkallën e zhvillimit dhe interesa.

Nisur nga të gjitha këto përcaktime dhe vlerësime të KE, theksoj se ne duhet t`i kushtojmë vemëndjen e duhur studimit dhe përfshirjen e koncepteve të reja europiane mbi rolin e rajonit, rajonizimit dhe zhvillimeve rajonale në realizimin me sukses të reformës së re efiçente administrative-territoriale. Për këtë duhet të:

·         Të njehsohet rajoni si kategori administrative e kategorisë së dytë, ndërmjetëse midis pushtetit vendor dhe qendror. Natyrisht përcaktimi i përmasave, shtrirjes, numurit dhe sidomos funksioneve politike, sociale, ekonomike etj, duhet të jetë objekt i studimeve shumëdisiplinore dhe i debateve të hapura.

Shtoj se ka studime mjaft të mira nga Co-plani dhe Universiteti Polis mbi rajonin dhe propozime mbi numurin e tyre, katër, pesë ose gjashtë. Paraprakisht theksoj se këto studime duhet të kenë parasysh edhe dimesionin gjeografik të rajonit dhe zhvillimeve rajonale. Si theksova edhe më lart, për vlerën jo të vogël në diferencimin gjeografik të territorit tonë, katër rajonet e përmendura gjeografikë të këtij diferencimi duhet të jenë pikënisje e përcaktimit të shtrirjes, përmasave, funksioneve dhe numurit të rojoneve adminitrativo-rajonale.

·         Të aplikohen politika zhvillimi  me bazë rajonale dhe vendore.

·         Strategji  shkencore dhe me afate të sakta për zhvillimet rajonale e vendore.

·         Institucione kombëtare e rajonale me objektiv kryesor  zhvillimet  rajonale e vendore.

·         Monitorim i programeve të zhvillimit  rajonal e vendor;

·         Riorganizimin administrativo-territorial i vendit mbi bazën e kritereve të KE: decentralizim e dekoncentrim.

·         Ne duhet të orjentohemi drejt politikave të zhvillimeve rajonale europiane. Këtu do të ndalesha tek prirja e sotme e kalimit të KE drejt bashkësisë së rajoneve dhe eurorajoneve. Lidhur me këtë do të theksonja se rajonet tona, si kategori e dytë e skemës së re administrative, duhet të jenë në formë, përmbajtje dhe funksione në të njëjtën linjë me prirjen e perspektivës europiane; duhet të përputhen me kriteret, parimet, praktikat, stretegjitë dhe programet  europiane. Kjo do t`i bëjë efektive dhe afatgjata rezultatet e reformës së re administrativo-territoriale.

IV.                NEVOJA E STANDARTIZIMIT GJUHËSOR TË EMËRTIMEVE TË QENDRAVE TË BANUARA

Gjuhëtari i dëgjuar prof. dr. Emil Lafe thekson se në të gjitha ndarjet administrative deri sot nuk është treguar kujdes për formën korrekte drejtshkrimore e gramatikore të emërtimeve të vendbanimeve dhe të objekteve gjeografike. Për këtë arsye edhe në ndarjen e fundit administrative, shkrimi i këtyre emërtimeve ka mjaft të meta e gabime.

Profesori propozon, që bashkë me Shoqatën e Gjeografëve, të hartohet regjistri i përditësuar i emërtimeve të qendrave të banuara të Republikës, që të përcaktojë formën korrekte drejtshkrimore e gramatikore të tyre, kjo të njihet si formë zyrtare dhe të jetë e detyrueshme në të gjitha përdorimet zyrtare, në media etj.

Gjuhëtarët, gjeografët historianët etj janë të gatshëm të bashkëpunojnë me dikasterin e Ministrisë së Brendëshme për të ndërtuar një regjistër zyrtar të standardizuar të emërtimeve të qendrave të banuara, me pjesëmarrjen e domosdoshme edhe të pushteti vendor.

Së fundi i uroj punë të mbarë dhe sukses Komisionit të Posaçmëm Parlamentar të Reformës Administrativo-Territoriale.

______________

* Këto mendime u dhanë para disa ditësh para Grupit të Posaçmë Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit