Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet e përhapura në rrjetet sociale se gjatë protestës së dhunshme të 15 tetorit në Tiranë janë angazhuar mercenarë serbë për të kryer arrestime dhe për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Në reagimin, Policia i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe dashakeqe, duke theksuar se synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Sipas Policisë, në protestën e 15 tetorit, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm efektivë të Policisë së Shtetit.

"Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendohet se në radhët e saj janë angazhuar punonjës policie nga Serbia.

Përhapja e këtyre pretendimeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave. Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë", thuhet në reagimin e Policisë.

Reagimi vjen pas publikimit në rrjetet sociale të disa mesazheve dhe videove, përmes të cilave pretendohet se persona nga Serbia janë angazhuar për të arrestuar dhe dhunuar protestuesit. Në një mesazh që po qarkullon në rrjet, një person që prezantohet si punonjës policie pretendon se janë sjellë mercenarë serbë me urdhër të kryeministrit Rama, ndërsa në një tjetër bisedë pretendohet se dy të rinj janë plagosur dhe rrëmbyer nga mercenarë serbë.

Aludime pati edhe për një tjetër video që qarkulloi në rrjet, kur policia ndalon një protestues ndërsa lëvizte me motor. Në rrjet u pretendua se policia serbe po rrëmbente vajza, por policia sqaroi në është shoqëruar vetëm protestuesi mashkull pasi drejtonte tubimin e sulmonte policët, dhe jo vajza që ndodhej me të.