Nëse ka një statistikë që e turpëron politikisht Sali Berishën, është beteja për të zhdukur të vetmen ngjarje pozitive në historinë e PD, që lidhet me Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP) më 2005, me të cilin donte të tregonte përpjekjet për reformimin e PD.
Praktikisht Sali Berisha ka eliminuar dhe është në betejë finale me gjithë KOP-in e vitit 2005, me të cilin u përpoq të krijonte idenë e një ndryshimi në politikën e Partisë Demokratike dhe hapjen e saj.
Tani i gjithë KOP-i është asgjësuar dhe është shpallur armik. Gati 18 vite më pas, kryetari i KOP, Lulzim Basha, është armiku i tij kryesor, Enkelejd Alibeaj po ashtu, Fatbardh Kadilli është shpallur armik me kohë, Neritan Sejamini po ashtu...
Lista vazhdon me gjithë anëtarët të cilët, ose janë shpallur armiq, ose janë larguar apo vetëlarguar në hallet e tyre.
Të vetmin aksion politik në jetë, me të cilin donte të tregonte hapjen dhe të maskonte autoritarizmin e tij, ai nuk e gëlltiti dot për një kohë të gjatë dhe e asgjësoi.
Sot ai është në betejë me krerët e fundit të KOP-it të vitit 2005, me të cilët gënjeu shqiptarët se kishte ndryshuar dhe nuk ishte më një diktator i PD.
Pas 18 vitesh, po u kërkon falje shqiptarëve që i ka gënjyer dhe po këmbëngul që ajo që ka bërë ishte gabim, duke u përpjekur të vërë nën kontroll PD, e cila tani është thjesht një trup i vdekur.
Madje kjo është dhe një shpjegim pse zonja Topalli u rikthye në shtëpinë e saj. Edhe ajo ka 18 vite, por me sinqeritetin që nuk e ka duruar dot kurrë atë hipokrizinë e Berishës me KOP.
Ndaj tani është e lumtur që ai po zhduk dhe armiqtë e fundit të infiltruar më 2005, duke i rikthyer tek një çetë bashibozukësh që kanë simbol Nokën dhe Palokën.
Do të mjaftotne një lexim me gjakftohtësi i këtij fakti, për të treguar se ku është rikthyer opozita dhe përse ajo nuk ka asnjë shans të vijë më në pushtet me Sali Berishën.
Edhe me gjithë atë makijazh politik që bëri më 2005, PD arriti të marrë vetëm 43 për qind të votave dhe po të mos ishin marrëzirat e Fatos Nanos në aspektin taktik elektoral, kurrë nuk do fitonte.
Por tani ka kundër gjithçka. Ka kundër Perëndimin, ka kundër SHBA dhe Britaninë e Madhe në veçanti, ka kundër mungesën e vlerave politike në partinë e tij, ka kundër aleancën me Ilir Metën, ka kundër degradimin e partisë së tij në njerëz ordinerë, dhe mbi të gjitha ka kundër shifrat elektorale, që e çojnë përditë poshtë e më poshtë.
Beteja e tij e tanishme është betejë me Sali Berishën e 2005, me të vetmin moment pozitiv të historisë së tij politike, të cilin po përpiqet ta vrasë. Pushka top dhe prehu në paqe bashkë me të!