Gazmend Bardhi ka bërë një eksperiment social të suksesshëm për tu provuar të gjithëve se çfarë është ajo që tani quhet parti e Sali Berishës, ose mbetje e “Foltores”.
Për këtë ai ka provuar të sulmojë ashpër Sali Berishën duke e portretizuar si “Babi i Zenit”, një epitet i cili prek plagën më të rënd që se ka gërvisht askush brenda PD, simbolin e degradimit të pushtetit të Partisë Demokratike si një pushtet që sakrifikohet për të mbrojtur fëmijët e kryeministrit të zhytur në afera korruptive që kanë kushtuar dhe dhjetëra jetë njerëzish.
Eksperimenti i dha frytet e veta.
Shumë personazhe të “Foltores” janë bashkuar më shumë se çdo herë tjetër për t'iu kundërpërgjigjur Gazmend Bardhit, me një zell mbresëlënës. Mënyra si reagojnë, dëshira që kanë se kush duhet ti dëgjoj kur reagojnë dhe mbi të gjitha kompleksi që kanë për ta trajtuar “Zenin” si të paprekshëm, është radiografia më e mirë e asaj që ka përfunduar nga Partia Demokratike në kullën e Sali Berishës.
Lakmusi i Gazmend Bardhit provon se e gjithë ajo që ka ndodhur nga 19 maji i vitit të kaluar deri më sot, është pikërisht një përpjekje për të mos prekur plagët e pagërvishtura të historisë së pushtetit të berishëve në kurriz të Partisë Demokratike. Dhe akoma më shumë tregon arsyen përse Berisha e do një parti si mburojë për vete dhe fëmijët e tij problematikë.
Epiteti i Gazmend Bardhit, ”Babi i Zenit” mund të mos i shqetësonte “foltoristët”, sikur Zeni të ishte ndonjë djalë i suksesëshëm, që nuk kishte emër të keq në shoqëri, apo ndonjë jetë private për të pasur zili. Përkundrazi ishte rasti kur babi mund të mburrej me të birin.
Mënyra se si reagojnë “foltoristët” tregon se ata jo vetëm janë të ndërgjegjshëm që Zeni i prish punë babit, por mbi të gjitha njohin hallin e Babit që ka marr rrugët në pleqëri, për shkak të hallit fëmijëve.
Kjo e bën qesharakë dhe njëkohësisht mizor gjithë misionin e Sali Berishës.
E bën qesharak, pasi kur mendon se një minues i demokracisë dhe i akuzuar familjarisht për korrupsion madhor nga SHBA, po përpiqet të kundërpërgjigjet politikisht vetëm që të mos i thonë më “babi i Zenit, dhe prap nuk ja del dot, pasi në fund të gjithë kujtohen që është “babi i Zenit”.
Por e bën njëkohësisht dhe mizor, si mision, kur mendon se i gjithë “misioni i Foltores” mbeti vetëm shkatërrimi i një partie historike, vetëm për hallin e fëmijëve të tij.
Dhe e keqja është se debati pas kësaj hynë në rrugë pa krye, pasi që “foltoristët” ta fitojnë këtë debat, ose duhet të pranojnë që Berisha nuk është “Babi i Zenit”, ose të pranojnë Zeni është krenari e tij. Ata nuk thonë as të parën, as të dytën, por thonë vetëm “Ç’keni me Zenin”. Për këtë është mirë të kalojnë nga varezat e Gërdecit, e të pyesin ata që ka dërguar në ferr Zeni dhe shokët e tij dhe jo Gazmend Bardhin. Ai thjesht po ju kujton, përse po e shkatërrojnë PD për “Babin e Zenit”.