Mero Baze: Nga mënyra si do gjykojë 21 janarin, shqiptarët do gjykojnë nëse kemi apo jo një drejtësi të re

 Mero Baze: Nga mënyra si do gjykojë 21 janarin, shqiptarët do gjykojnë nëse kemi apo jo një drejtësi të re

Homazhe per nder te 4 të vrarëve më 21 janar 2011

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, që çështja e 21 janarit të hetohet nga SPAK, rikthen shansin që drejtësia shqiptare të hetojë krimin më të rëndë shtetëror të 33 viteve, kur kryeministri i vendit, u përfshi me vetëdije në vrasje politike ndaj qytetarëve, u përfshi në përpjekje të vetëdijshme për fshehje të provave dhe në presion mbi drejtësinë shqiptare që të mos hetohej dhe gjykohej, duke përdorur pushtetin politik.

Vendimi i cili vjen pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, që e cilëson vrasjen një krim shtetëror dhe mos gjykimin e saj një pasojë të presionit politik mbi drejtësinë, rikthen shansin e humbur nga drejtësia shqiptare që të vendosë dinjitetin e saj të nëpërkëmbur nga pushteti, para një ngjarje të rëndë dhe tragjike si ajo.

Ka tre momente të qarta që e bëjnë Sali Berishën përgjegjës dhe fajtor në këtë histori. 

E para, është përpjekja e tij në orën 19: 30 minuta të datës 21 janar 2011, kur doli dhe tha se protestuesit ishin vrarë nga njerëz të opozitës, përmes armëve të maskuara të tyre në protestë, ku përmendi dhe çadra pistoletë, thika me helm gjarpërinjsh dhe marrëzira të tjera. Në ndihmë të tij dolën dhe dy mjekë të politizuar që u paraprinë deklaratave se viktimat ishin qëlluar nga afër me pushkë të lehta, që nuk i disponon Garda, dhe më pas TV Klan që e ilustronte me pamje të një plaku të trembur me çadër që ishte afër Ziver Veizit të ndjerë.

Pas mesnatës, kur u bë e qartë me video se vrasjet u kryen nga godina e Kryeministrisë, Sali Berisha ndryshoi version, justifikoi vrasjet si përpjekje për të ndalur një grusht shteti dhe futi nën akuzë presidentin e vendit, kryeprokuroren e vendit dhe katër gazetarë.

E gjithë kjo përpjekje e tij fillimisht për të fshehur autorësinë e krimit e më pas për ta justifikuar atë, është një përpjekje e vetëdijshme për të justifikuar krimin shtetëror.

Së dyti, Sali Berisha u përfshi në prishje të provave dhe mos bashkëpunim me drejtësinë.

Ai fillimisht deklaroi se serveri i kamerave të Kryeministrisë do të ishte në dispozicion të hetimeve, por e zhduku atë fizikisht, sipas ekspertizës së FBI, në orën 01:30 të datës 22 janar, në mesnatë, duke e zëvendësuar me një kompjuter të ri. 

Ai refuzoi dorëzimin e gjashtë gardistëve të dyshuar për vrasjet, me arsyetimin se prekte sipas tij “zinxhirin komandues” të Gardës, në kushtet e shpikura të “Grushtit të shtetit”, dhe nuk lejoi dy prokurorët e gatshëm që të dokumentonin skenën e krimit para Kryeministrisë, duke pastruar gëzhojat në sytë e tyre dhe duke ndërruar derën e Kryeministrisë.

Më vonë hetimet provuan se Garda ka ndryshuar dhe tytën e pistoletës me të cilën është vrarë Aleks Nika dhe janë cenuar dokumentet e magazinimit të armëve në Gardë.

Të gjitha janë akte me pasoja prishjen e provave dhe përgjegjësinë për to e ka marrë publikisht në atë kohë dhe më pas, vetë Sali Berisha.

Së treti, Berisha ndërmori veprime politike publike për t’i bërë presion drejtësisë të mos hetonte, duke ngritur një Komision hetimor kundër presidentit, kryeprokurores dhe gazetarëve të akuzuar për grusht shteti, duke i vënë ata nën akuzë politike dhe mbushte sallën e gjykatave plot me gardistë, ndërkohë që gjykoheshin dy prej të akuzuarve për vrasje, komandanti i Gardës Ndue Prendi dhe gardisti Agim Llupo, të cilët me dënime qesharake u lanë të lirë.

Ende dhe sot nuk është provuar për shkak të prishjes së provave autori i vrasjes së Aleks Nikës, dhe po pritet përfundimi i ekspertizës së plumbit në Itali.

Hetimi i plotë dhe gjykimi i kësaj ngjarje rrit peshën e drejtësisë së re, pasi çon në një nivel tjetër rikthimin e drejtësisë në vend, duke ndëshkuar politikën shqiptare për një nga gjërat më të shëmtuara të saj në historinë e 33 viteve demokraci, që është vrasje për arsye politike e katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të pafuqishëm dhe të parrezikshëm, që ushtronin të drejtën e tyre për proteste para Kryeministrisë.

Sali Berisha është mbyllur sot majë penxheres për një krim që buron nga përdorimi i pushtetit të tij për të pasuruar vajzën në një aferë korruptive, por do të jetë e padrejtë që ai të shkojë në botën tjetër me këtë dënim, i cili ngjan si gjyqi për kafetë e Nexhmije Hoxhës para krimit të vërtetë real që ai ka bërë në politikën shqiptare, që është vrasja e qytetarëve për motive politike. 

Me 21 janarin Sali Berisha ka dëshmuar mospranimin e rendit demokratik prej tij si politikan, mospranimin e protestës dhe opozitës si koncept dhe mbi të gjitha, mospranimin e gjykimit si kriminel kur është kapur me fakte në mes të ditës. 

Për gjithë këto arsye dhe të tjera, ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, por drejtësia shqiptare ende nguron të thotë fjalën e saj.

Sot është bërë një hap i vogël në rikthimin e këtij shansi. Derisa ditën që drejtësia të shqiptojë ndëshkimin e tij si fajtor për këtë krim, ende nuk mund të themi se drejtësia e re është rikthyer në Shqipëri.

21 janari nuk është ndëshkim për Sali Berishën, por test për të prekur dhe ndjerë, se drejtësia e re ka ardhur. /Tema/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë