Mero Baze: Për ata që e duan Berishën 'kryetar nderi'

Mero Baze: Për ata që e duan Berishën 'kryetar nderi'

Sali Berisha

Shumë mbështetës të njohur të Berishës, madje dhe militantë të tij, kanë nisur të flasin për nevojën që Berisha të bëhet një farë kryetar nderi i partisë dhe opozita të riorganizohet. 

Shumë prej tyre e thonë me naivitet, pasi mendojnë se kjo është një gjë e mire, që duhet bërë. Disa e thonë me cinizëm, pasi nuk duan ta sulmojnë hapur dhe gjejnë një mënyrë t’i ngrejnë nervat. Por e përbashkëta e këtij debati tinëzak mbi Berishën, është që me atë kryetar nuk fitojnë dot, dhe kanë shpresë që ai do t’i mirëkuptojë.

Problemi që kanë këta njerëz, dhe këtu e kam fjalën fillimisht tek ata që besojnë vërtet që po i shtijnë në mendje Berishës një gjë të mirë, është se ata akoma nuk e kuptojnë që Berisha e di më mirë se ata se çfarë është e mirë për opozitën, por nuk është i interesuar për të. 

Për opozitën është natyrisht shumë mirë që Berisha të tërhiqet e të shkojë në shtëpi, dhe ajo të riorganizohet. Por ky nuk është ndonjë opsion që do shumë punë të vrasësh mendje ta gjesh. Ky opsion ka ekzistuar formalisht para shpalljes “non grata”.

Berisha nuk është kthyer në parti të fitojë pushtetin, por të mbajë peng opozitën për hallin e tij.

Problemi që ka opozita me të, nuk është se ai nuk e di se i prish punë opozitës. Problem është se ai e di shumë mirë që i prish punë opozitës dhe ndaj është i vendosur ta mbajë peng atë. Ai është një pengmarrës që mendon se mund të shpëtojë duke mbajtur peng opozitën. Dhe ky nuk është keqkuptim i tij. Kjo është bindja e tij.

Keqkuptim është kjo ideja e disa militantëve që ai të ikë e të bëhet kryetar nderi.

Pala tjetër po ashtu në opozitë, që e di shumë mirë këtë që kam shkruar, por që thotë se opozita duhet ribërë me emra të ri e figura të reja dhe Berisha le të rrijë kryetar nderi i saj, natyrisht që është pjesa cinike e opozitës, që është duke i thënë Sali Berishës të iki, se nuk e ndjekin më pas.

Dhe kjo vlen dhe për Berishën, dhe për Metën.

Përfaqësues tipik i kësaj pjese të opozitës është zoti Manjani, i cili në të vërtetë e thotë këtë të pastrojë shpirtin se e di që as Meta e as Berisha nuk ikin, por ai thjesht duhet ta thotë, se në fat dhe e dëshiron atë gjë. 

Ai, ndryshe nga të tjerët, e di që Berisha nuk ikën, Meta nuk ikën, dhe mbi të gjitha, sikur të ndodhte mrekullia të ikte, ai vetëm kryetar nderi nuk mund të bëhej. 

Ai e di se Berisha e do opozitën ose për vete, ose të shkrihet. Atij nuk i hyn në punë një opozitë e re me mendësi të re dhe emra të rinj, se ajo do të jetë një opozitë e cila ka jo kryetar nderi, por do përballet me Berishën si monument turpi opozitarizmi. 

Sali Berisha më lehtë pranon të mbajë në pushtet Edi Ramën sa të jetë gjallë, duke qëndruar vet në krye të opozitës, se sa të vijnë ca djem e vajza të reja, të ringrejnë opozitën, të bëjnë historinë e tyre të re politike pa Berishën dhe të fitojnë pa të. 

Këtë gjë ai e urren 100 herë më tepër se pushteti i Edi Ramës. Ndaj mos ja prishni gjakun dhe kur ja thoni me sinqeritet, dhe aq më keq kur bëheni cinik me të dhe ja kërkoni si të vetëvritet.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar