Disa persona të lidhur me rrjetin e ish OJF-ve të Sorosit dhe donatorëve të tjerë për disa media OJF në Shqipëri janë mobilizuar për të bërë review pozitive për Gjergj Erebarën, një nga drejtuesit e protestës që ka bërë thirrje për linçimin e biznesit të turizmit dhe personaliteteve publike, qofshin gazetarë apo politikanë, që nuk janë dakord me protestën e organizuar prej tij. Është qesharake se si ua shkruajnë vetë opinionet dhe ua shpërndajnë veprimtarëve të protestës, që shfaqen befas si mendimtarë. Madje, kësaj deputetes së Dukagjinit ia kishin shkruar dhe “toskërisht”. Shpresoj ta ketë kuptuar.
Kjo është një fushatë për të mbrojtur një përdhunues publik të lirive politike dhe ekonomike në vend. Gjergj Erebara, duke përdorur si pronë familjare edhe BIRN-in, nuk është se ka urdhëruar thjesht një fushatë linçuese mbi biznesin apo mbi gazetarë dhe politikanë. Ai ka qëndrime publike të postuara ku ndjen kënaqësi nga aktet përdhunuese të tij. Do të mjaftojë postimi i tij në stilin e gjuhës së dikurshme të Lul Bashës, ku shkruan: “O Rame, hë mo, ku i ke review?”, duke treguar se një prej bizneseve të sulmuara prej tij dhe bandës së tij ende nuk i ishte rikthyer klasifikimi që kishte më parë në Google. Kjo tregon shumë. Tregon se nuk është një përdhunues aksidental, “nga ata që i kap entuziazmi” kundër oligarkëve, por një përdhunues që e shijonte atë që kishte bërë dhe po gëzohej që viktima po jepte shpirt.
Meqë biznesi e fitoi betejën ndaj përdhunuesve shqiptarë falë Google, që zbuloi mashtrimin përmes fushatës, ai filloi përpjekjen për t’u viktimizuar pas sulmeve që u bënte politikanëve apo gazetarëve. Pasi postoi një “krijim digjital” kundër deputetit Taulant Balla dhe ai e përgënjeshtroi si fake, filloi të viktimizohej pse Taulant Balla nuk e pranon gënjeshtrën e tij. Dhe për këtë ka mobilizuar gjithë OJF-të e korruptuara të shtypit shqiptar dhe gjithë bashkëndarësit e honorareve me të, për të treguar që ai nuk është gazetar që gënjen.
Tani sulmi ndaj Erebarës nuk është bërë si gazetar, por si aktivist, i cili ka marrë përsipër sulmet mbi biznesin dhe kolegë gazetarë apo politikanë.
Kur i jep vetes atributet e organizuesit të një fushate linçuese, si një përdhunues publik i biznesit duke bërë thirrje për review negative, nuk mund të viktimizohesh kur të tjerët japin opinione negative për ty. Ajo është më e pakta që mund të bëjnë. Shpërndarësi i review-ve negative false duhet të ketë mirësinë të pranojë dhe ndonjë review negative të vërtetë për veten. Sepse, ndryshe nga review-t false që bëhen nga Tirana për Velipojën dhe Dhërmiun, review-t për Erebarën bëhen nga ata që e shikojnë produktin e tij si drejtues proteste dhe fushatash kriminalizuese. Këto nuk janë false.
Nga ana tjetër, kjo ideja që ai është edhe gazetar dhe nuk duhet sulmuar është po aq banale. Atë nuk e ka sulmuar njeri si gazetar, se nuk ka bërë ndonjë gjë për të qenë as për t’u mburrur, as për t’u sulmuar. Një gazetar i mirë nuk shqetësohet nga sulmet. Madje as nga dhuna ndaj tij. Nëse një gazetar nuk është përballur me dhunën apo sulme në punën e tij si gazetar në Shqipëri, nuk ka qenë asnjë minutë gazetar.
Bashkëpunëtori më i afërt i Erebarës në protestë, që drejton edhe betejën online kundër gazetarëve, kishte postuar sot një shkrim ku jepte tërë skenarët se si mund të më vriste mua dhe sa shumë e shijonte kjo.
Natyrisht nuk është hera e parë që ndeshem me shkrime manjakësh në këto 35 vite pune si gazetar. Jam ndeshur edhe me njerëz që më kanë qëlluar me plumba makinën, të tjerë që ma kanë djegur makinën, që më kanë zënë pusi rrugëve për të qëlluar etj. Nuk jam impresionuar kurrë prej tyre dhe as jam shpërqendruar nga puna ime. Kush vendos të rrojë si gazetar në Shqipëri, por edhe kudo në botë, duhet t’i llogarisë edhe plumbat dhe jo vetëm pështymat e “qorrave”.
Ana komike e problemit është se të njëjtët përdhunues që ka në krah Erebara, dhe që i angazhon sot për të treguar se si mund të vritem unë si gazetar, janë të njëjtët që ankohen pse bëni review negative për Erebarën. Dhe të njëjtat OJF gazetarësh të korruptuar që ankohen pse Taulant Balla ka sharë posterin fake të Erebarës, janë shokë dhe bashkëpunëtorë të këtyre që postojnë dhunë psikike kundër një gazetari vetëm se nuk është dakord me qorrat e protestës.
Tani merrni këtë shkrimin e shkruar sot nga shokët e Erebarës për mua, hiqeni emrin tim, vurini emrin e Erebarës dhe duartrokiteni, për të treguar se si e mbroni lirinë e mendimit të tjetrit. Atëherë mund të merrni ndonjë review pozitive. Por jo si gazetarë, si sadistë.
Komente











