Mero Baze: Pse publikimi i dosjes e çliroi Ilir Metën nga pengmarrja e Berishës

Mero Baze: Pse publikimi i dosjes e çliroi Ilir Metën nga pengmarrja e Berishës

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ka një dozë agresiviteti dhe mungesë kontrolli në fjalimin e Ilir Metës pas 24 Korrikut, që të krijon idenë se ai këtë muaj e ka si një “jetë a vdekje” për të ardhmen e tij. Agresiviteti u shumëfishua kur paralelisht me daljen nga zyra e Presidentit u bë publik fakti se njeriu që ka 30 vjet në politikën shqiptare, është një bashkëpunëtor i rëndomtë i Sigurimit të Shtetit. Edhe pse u përpoq të mbrohej me akronime shokësh dhe iniciale, ai e provoi tërësisht të vërtetën e hidhur, duke refuzuar të autorizojë Autoritetin e Dosjeve të hapë dosjen e tij, gjë që do të bëhet me ndryshime ligjore në Shtator.

Agresiviteti i Ilir Metës u rrit jo aq shumë pse Autoriteti ra në gjurmët e tij si bashkëpunëtor sigurimi, se sa nga paranoja se këtë kurth e kishte nga Sali Berisha. Tre nga pesë anëtarët e Bordit të Autoriteteve janë të afërt me opozitën, ndërsa njëri ka qenë njeriu i LSI. Dyshimet e Ilir Metës, se Berisha ka bashkëpunuar me Bordin dhe i ka orientuar ata të gjejnë dosjen, ku ai inkriminohet si bashkëpunëtor Sigurimi, janë të plota. Kjo është në të vërtetë ajo që shumëfishoi agresivitetin e vet, tanimë jo për të sulmuar Berishën direkt, por për ta rivalizuar atë si faktor opozitar.

Fjalori i tij ndaj Berishës është dukshëm më distancues sidomos kur ju referua vërtetimit që kishte marrë nga Komisioni Mezini në vitin 1996, për të cilin tha se e ka marrë në kohën e të “madhërishmit Sali Berisha” një dozë ironie, për të treguar se ai që po i bën gropën tani, dikur e ka pastruar me një vërtetim.

Sali Berisha i cili ndjeu paranojën e Ilir Metës, ka udhëzuar menjëherë deputetët e tij të mbrojnë fort Ilir Metën, “edhe pse është e vështirë”, pasi ai dyshon realisht se pas gjetjes së dosjes qëndron Sali Berisha.

Kjo natyrisht që krijon çarjen e fortë mes tyre, e cila u reflektua dhe në protestën e parë për vajzën 7 vjeçare, viktimë tragjike e një polici të papërgjegjshëm në  Himarë.

Në protestat e tjera në radhë, të cilat kanë lajmëruar të dy, Berisha dhe Meta, duket që qëllimi më shumë se sa protesta është kolaudimi i raporteve me Berishën, dhe pritshmëria që Berisha t'i hapë rrugë dhe të marrë Ilir Meta flamurin e protestës.

Fatkeqësia e rëndë e familjes së vajzës shtatë vjeçare, në fakt është i vetmi fat që i ka trokitur këto ditë në derë Ilir Metës të ndajë hesapet me Sali Berishën, ose ta nënshtrojë që ai t'i hapë rrugë drejtimit të opozitës. Asnjë kauzë më shumë se sa ndjeshmëria ndaj vdekjes së vajzës nuk do t'i kishte motivuar të dilnin në rrugë jo për tragjedinë e vajzës, por për raportet e tyre tragjike me njëri tjetrin, të mbështetura në paranoja, mungesë besimi dhe rivalitet ët heshtur në kufijtë e luftës së ftohtë.

Kjo është arsyeja që muaji gusht do të jetë i mbushur me rivalitete të tilla, që do motivojnë protesta simbolike, në fund të të cilave Ilir Meta kërkon të çertifikohet vendi i tij në opozitë, kandidatura e tij për bashkinë e Tiranës, dhe mbi të gjitha nënshtrimi i Berishës para tij, duke e konsideruar si të kapur në flagrancë” për zbulimin e dosjes.

Ilir Meta po sillet sikur gushti është muaji i fundit të tij në politikë, jo se në Shtator ai do përjashtohet me ligj nga politika, por se deri në Shtator ai duhet të ndajë hesapet me Sali Berishën, për rolin e tij më tej në opozitë. 

Ndaj mos u çudisni për lotët e tyre për vogëlushen 7 vjeçare të ndarë tragjikisht nga jeta, pasi lotët realë i burojnë nga pasiguria që kanë ndaj njëri tjetrit, në atë që më 2013 Berisha do ta quante “aleanca e qelbësirave” për shkak të Ilir Metës. Tani i duhet të ulë kokën para tij, madje dhe t'i hapë rrugë. Ndryshe e pret një beteje tjetër para saj me Edi Ramën, që nuk ka për të qenë si beteja kundër Lulzim Bashës. 

E vetmja gjë me të cilën Berisha e mbante peng Ilir Metën, tani nuk është më sekret dhe Ilir Meta është çliruar nga pengmarrja e Berishës. Ai nuk ka çfarë të humbasë më nëse Berisha nuk i hap rrugë si lider i opozitës.  Ndaj po sillet sikur muaji gusht është muaji i fundit i jetës së tij politike. Por jo për shkak të Edi Ramës, por për shkak të Berishës. Për shkak të Edi Ramës, mund ta kenë të dy muajin e fundit.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni