Mero Baze: Udhëheqësit e protestave janë po aq të vjetër sa udhëheqësit e politikës

Mero Baze: Udhëheqësit e protestave janë po aq të vjetër sa udhëheqësit e politikës

Foto nga protesta kundër rritjes së çmimeve

Ka një debat mbi problemet që shoqërojnë protestat që nisin me vrull nga të ashtuquajturit “liderë të shoqërisë civile”. Këtë radhë për të prishur syrin e keq që ua ka pas prishur protestat, kishin marrë me vete dhe portrete të Lulzim Bashës duke e sharë atë si fajtor për situatën. Me sa duket e kishin menduar gjatë dhe ja ngarkuan atij gjithë përgjegjësitë për dështimet e derisotme të protestave. Me këtë rast dëshmonin qarte dhe përkatësinë e tyre të “Foltores”. 

Por përsëri nuk qullosën gjë. Dhe arsyeja është e njëjte me atë të politikës.  

Të ashtuquajtur udhëheqës të protestave në Shqipëri janë njerëz që e kanë kthyer në profesion atë punë. Ata jetojnë vetëm me këtë gjë. Jetojnë duke organizuar protesta dhe bëjnë sikur janë pjesë e ndërgjegjes qytetare të këtij vendi. Në fakt, janë një grup i gatshëm menaxherësh të protestave, si p.sh grupi i gatshëm i zjarrfikësve apo i policisë, që sa herë mendojnë se mund të kenë sukses si protestues, dalin në shesh.  

Dhe janë dy ngjyrësh dhe këta. Deri më 2009, protestuesit e gatshëm që dilnin në rrugë për 5 minuta, ishin të lidhur me “Mjaft”. Ata krijuan një protagonizëm publik në vitin 2003- 2004 dhe e vazhduan atë për inerci deri më 2013, kur në fakt u bënë thuajse pjesë e Partisë Socialiste. Por duhet te pranojmë se ishin te talentuar. 

Pas 2013, janë sërish i njëjti grup njerëzish, që duan të imitojnë “Mjaft”-in. Një që ka qenë i korruptuar i LSI, një tjetër që ka shëtitur disa parti, disa të zhgënjyer nga Erion Veliaj tek Mjaft, gjithsej nja 10-15 vetë, të cilët janë udhëheqës protestash për çdo gjë , për këndin e lojërave tek Liqeni, për heqjen e furgonave 8 plus 1, për rritjen e çmimit të naftës, për prishjen e teatrit, për mbjelljen e pemëve, për mos mbjelljen e pemëve, për ngjyrat e luleve, për batanijet e studentëve, për të drejtat e komunitetit LGBT dhe çfarë tjetër mund të dëgjojnë. 

Nuk e kanë zgjedhur keq si profesion. Protestat kur nuk janë reale, kur nuk janë shpërthim i zemërimit qytetar, kur nuk kanë një bazament popullor, natyrisht kanë nevojë për aktorë. 

Në Labëri, kur ndodhnin vdekje dhe fisi i të vdekurit nuk kishte gra të besueshme për të qarë, shkonin “vajtocat” e gatshme që ishin në fshat për të qarë dhe të ngjethnin mishin po t’i dëgjoje. Të dukej sikur kishte vdekur Skënderbeu në një fshat të humbur të Kurveleshit. 

Pak a shumë kështu i kemi dhe udhëheqësit e protestave që nuk bëjnë përpjetë, me ndryshimin që nuk janë të talentuar sa vajtocat. Ata bëjnë sikur mallkojnë klasën politike të radhës, edhe pse vetë janë po aq të vjetër sa ata, akuzojnë për korrupsion edhe pse vetë vijnë nga histori banale korrupsioni, dhe mbi të gjitha bëjnë sikur u qajnë hallin njerëzve, ndërkohë që hallet e tyre dhe hallet e njerëzve nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. 

Kjo pastaj u jep shkas politikanëve t’i sulmojnë personalisht, t’u hapin letrat dhe t’i denigrojnë në publik dhe ata bëjnë sikur viktimizohen, sikur është hera e parë që po përpiqet t’i njollosë dikush.  

Është një gjë e shpifur dhe një film i përsëritur për tre dekada në këtë vend. Të vetmet protesta të mëdha në këtë vend i ka organizuar politika, dhe ato janë protestat që kërkojnë ndryshime politike. Kur përputhet nevoja për ndryshim dhe protestat politike, ato diktojnë ndryshimin. 

 Shoqëria civile e Shqipërisë, e kam fjalën për atë pjesë që punon si menaxhere protestash, është po aq e korruptuar, po aq banale dhe e lodhshme për opinionin publik, sa politikanët, me ndryshimin se politikanët së paku kanë një duzinë njerëzish e militantësh nga pas, kurse këta kanë vetëm disa politikanë. 

Kjo është arsyeja që ata përsërisin veten dhe dështimet e tyre. Mes të tjerash, edhe pse nuk janë të talentuar si aktorë dhe janë shumë të lexueshëm si përkatësi politike, ata i shikojnë protestat si një rast për të vënë shishen e qumështit në radhë për një kandidim nga politika. Mjafton të pyesësh për pesë minuta për ta dhe të tregojnë si njëri do të kandidojë për bashki, tjetri do të kandidojë për deputet, dhe gjithë beteja është se kush ta mbajë më lart në protestë portretin e tradhtarit Lulzim Basha që t’i bjerë në sy “patriotit” Sali Berisha, të cilit nuk i del shpirti pa ja nxjerrë shpirtin Shqipërisë. 

Dështimi i tyre në fakt, është dështimi i politikes, e cila është më e vetëdijshme se ata, që është bërë bozë me protesta dhe i përdor këta për “vajtoca” që t’i qajnë hallin popullit. Por të paktën të ngrihen në nivelin e atyre plakave labe, që të bënin të besoje vërtet se po qanin me shpirt dikë që nuk i dinin as emrin. Këta të bëjnë të qeshësh me shpirt kur bëjnë sikur qajnë. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje