Johnny Depp ka fituar gjyqin për shpifje kundër Amber Heard, pasi një juri në Virxhinia vërtetoi pretendimin se ish-gruaja e tij cenoi reputacionin e tij dhe dëmtoi karrierën e tij kur ku ajo akuzoi aktorin se e kishte dhunuar. Pas tri ditësh diskutim, juria vendosi në favor të aktorit duke i dhënë 15 milionë dollarë dëmshpërblim.
Pas vendimit, Heard tha se ndihej e zhgënjyer dhe se kishte mbetur pa fjalë.
“Zhgënjimi që ndjej sot është përtej fjalëve. Më dhemb zemra që mali i provave ende nuk ishte i mjaftueshëm për t'i bërë ballë fuqisë dhe ndikimit joproporcional të ish-bashkëshortit tim. Unë jam edhe më e zhgënjyer në atë që ky vendim do të thotë për gratë e tjera. Është një kthim prapa. Ajo e kthen orën në një kohë kur një grua që flet mund të turpërohej dhe poshtërohej publikisht. Ajo e kthen prapa idenë se dhuna ndaj grave duhet marrë seriozisht. Unë besoj se avokatët e Johnny-t ia dolën mbanë që juria të anashkalonte çështjen kyçe të Lirisë së Fjalës dhe të shpërfillte provat që ishin aq bindëse sa fituam në MB. Më vjen keq që e humba këtë çështje. Por jam akoma më e trishtuar që duket se kam humbur të drejtën që mendoja se e kisha si amerikane të flas lirshëm dhe hapur”, tha aktorja.
Depp nuk ishte i pranishëm pasi ishte në Britaninë e Madhe në turne me legjendën e kitarës Jeff Beck. Aktori, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin “Piratet e Karaibeve”, e paditi Heard-in për 50 milionë dollarë për një artikull të botuar në The Washington Post në dhjetor 2018, në të cilin ajo e quajti veten “një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.