“Kur në mendje kultivon mendime të këqija, që do të thotë të dhunshme, shkatërruese, agresive, egoiste, pra mendime që të sjellin përfitime për egon, harxhon vetëm energji. Këto mendime të heqin shumë energji. Nuk do të realizohen kurrë: po mbjell gurë, gjë që nuk mbin dhe as lulëzon. E gjithë energjia jote do të shkojë dëm!”.

Në të vërtetë, kur shohim mes nesh realitete dikur të rëndësishme e sot të mpakëta, ose dhe realitete që lindin por mbeten të tkurrura pavarësisht zhurmës, imponimit, zërit të lartë, investimit, pyesim veten pse? Si ka mundësi që me gjithë energjinë që konsumohet, nuk rriten, përkundrazi.

Paragrafi i parë, është një shkëputje nga leksione që cilido mësues budist apo zen, do t’i jepte një nxënësi fillestar që kërkon të ndryshojë mentalitetin e tij dhe këndvështrimin për jetën. Dhe nxënës fillestarë nga Perëndimi i pasur dhe frenetik, në një moment të jetës, ka me mijëra që vrapojnë të kuptojnë diçka për të mu në Orient.

Nëse sot vazhdojmë të dëgjojmë një agresivitet të paparë, një gjuhë vulgare dhe të pamëshirshme në logjikë dhe në fakte nga disa bashkëatdhetarët tanë, mjafton ta hapim pak më shumë fokusin e vëzhgimit rreth tyre, për të kuptuar se janë përherë e më të mpakët, përherë e më vetëm, përherë e më të braktisur. Toka përreth iu bëhet shkretëtirë, terren i djegur, ku, siç e thonë mjeshtërit budistë: po mbillet me gurë që nuk lulëzojnë.

Pra, edhe pse bërtasin e ulërasin me sa kanë fuqi, zëri i tyre, siç thotë populli ynë: bie në vesh të shurdhët, sepse nuk është kritik, por është ofendues, nuk është i vërtetë, por është sajues, nuk është konstruktiv, por është shkatërrues, e për këtë arsye, i destinuar të mos fitojë zemrat e të tjerëve, pavarësisht ngjyrave, mendimeve, bindjeve që ato zemra kanë.