Juristi Kreshnik Spahiu thotë se gazetarët e meritojnë më shumë se çdokush për të qenë pjesë e një statusi të mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, teksa në Kuvend u miratua dekriminalizimi i shpifjes me 84 vota.

Megjithatë, në emisionin "Frontline" në Report Tv, Spahiu tha se është kundër heqjes së shpifjes për gazetarët partiakë.

Spahiu shtoi se ata janë një armë e mbushur e kryetarëve të partive, të cilët vjellin vrer dhe shpifin kudo.

“Duhet të kemi parasysh që afro 70% e legjislacionit në Shqipëri në 3 dekadat e fundit është ndryshuar, për shkak të standardeve që kërkon BE. Shpesh herë është mirë mos të kemi praktika të tilla, Shqipëria shkon drejt atyre praktikave. Nëse ka një grup, një komunitet i cili ka vlera në Shqipëri, janë gazetarët dhe mediat. Ata e meritojnë më shumë se çdokush, për të qenë pjesë e një statusi të mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, i kanë rezistuar turbulencave të një shteti me shumë probleme në këto dekada, presionesh politike. Shqipëria ka kaluar momente shumë të vështira. Është momenti për ta përqasur legjislacionin në këtë standard. Megjithatë, mendoj që legjislacioni lë shumë vakume, me këto ndryshime. Ende nuk është e qartë se kush do e ketë statusin e gazetarit, kush do të jetë i regjistruar si gazetar. Unë do bëj një pyetje për publikun. Këtu ka dy probleme, ka subjekti dhe objekti, ligji nuk e përcakton qartë dhe duhen disa akte nënligjore për të përcaktuar subjektet që të kenë statusin e gazetarit.

Në këtë panel që jemi sot ne, vetëm zoti Poli dhe zoti Çipa përfitojnë nga ato që thonë, ne të tjerët jo? Pyetja e parë. Pyetja e dytë është për publikun, në Shqipëri janë afro 1500 portale online. Po e zëmë 500. A ndihet publiku që disa nga këto portale e konsumojnë veprën e shpifjes? Po ose jo. Nëse ata e konsumojnë, mendojnë se ata duhen konsideruar gazetarë duke përfituar nga këto ndryshime të legjislacionit? Mendoj se Shqipëria është shumë e brishtë, sidomos në futjen e medias elektronike në median sociale dhe shpesh gjithkush e ka marrë atë statusin. Sot rrjetet sociale, fatmirësht dhe fatkeqësisht, janë më të aksesueshme se media klasike. Zoti Çipa i cili është legjendë në gazetari, mund të mos e frekuentojë portalet dhe rrjetet sociale, dhe ende ka mbetur në median klasike, por një pjesë e publikut preferojnë ato rrjetet sociale. Edhe shumë gazetarë politikë që janë zëdhënësa të shumë partive politike, ose armë të mbushura të këtyre partive, shpesh herë vjellin vrer ndaj subjekteve apo shpifin kudo dhe  mendoj që Shqipëria është paksa e papërgatitur, ose ligji duhet përpunuar më mirë, me qëllim që ata gazetarë që e meritojnë, t’u jepen status edhe më i fortë se politikani.", deklaroi Spahiu.