Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që do të mbikëqyrë procesin e Vetingut, nëpërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, ka artikuluar dje mesazhet e para në adresë të politikës së Tiranës.

Një ditë pas zbarkimit në Tiranë, drejtuesja e operacionit, ka paralajmëruar politikanët shqiptarë që të mos tentojnë ta korruptojnë, për realizimin e interesave të tyre në sistemin e drejtësisë. Nga burime jo zyrtare, Shqiptarja.com ka mësuar se, Genoveva Ruiz Calavera, gjatë një takimi informal, ka pohuar dje se, me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit, politikanët shqiptarë do të tentojnë ta korruptojnë, në përpjekje për të diktuar njerëzit e tyre të besuar në drejtësisë e re. Në këtë kuadër, shefja e ONM ka paralajmëruar politikanët shqiptarë që të mos guxojnë të ndërhyjnë tek ajo, duke shtuar se do të jetë tejet strikte dhe e rreptë.

Po sipas burimeve, Calavera ka theksuar se nuk do të mbajë anë politike, por nga ana tjetër do t’i rezistojë çdo tentative për të korruptuar dhe manipuluar punën e saj. Shefja e OMN ka pohuar gjithashtu se operacioni nuk do të cenojë sovranitetin, duke iu përgjigjur kësisoj një shqetësimi të ngritur nga disa aktorë të politikës shqiptare. Calavera i ka dhënë një mesazh edhe ekipit të saj, teksa ka pohuar se kush nxjerr informacione, do të përjashtohet menjëherë. “Do jemi të rreptë në zbatimin e kritereve të ligjit. Nëse do ketë rrjedhje informacioni nga punonjësit tanë, ata do largohen menjëherë”, tha Genoveva Ruiz Calavera. Ajo ka deklaruar gjithashtu se nuk do të largohet nga Shqipëria pa përfunduar misionin e saj, për pastrimin e drejtësisë nga elementët e papërshtatshëm.

Zonja Calavera ka shtuar se ky operacion do t’i kushtojë shumë para Bashkimit Evropian, duke përmendur shpenzimet për rrogat e ekspertëve, për makinat, përkthimet etj. Shqiptarja.com ka mësuar se pjesë e bordit të menaxhimit të ONM do të jenë edhe vetë ambasadori amerikan Donald Lu si dhe shefja e delegacionit të BE, Romana Vlahutin.  

Konferenca për shtyp
Po gjatë ditës së djeshme, shefja e ONM mbajti një konferencë për shtyp, ku deklaroi se Vetingu është një proces jetik dhe vendimtar për t’i hapur Shqipërisë dyert e Bashkimit Evropian. Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, po ashtu, ka vlerësuar të gjithë faktorët që kontribuuan për Reformën në Drejtësi, duke iu referuar kryesisht popullit shqiptar. “Ky proces Vetingu është një proces jetik për t’i hapur derën negociatave të anëtarësimit me BE. Më lejoni tani ta përmbyll me një fjalë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan për reformën, në veçanti për popullin shqiptar që ka qenë jashtëzakonisht zë lartë në kërkimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe profesional, më lejoni t’i falënderoj ata dhe t’i siguroj që këtë gjë do ta realizojmë. Faleminderit për vëmendjen!”, u shpreh ajo.

Vendimmarrja  
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, u shpreh se OMN nuk merr vendime ekzekutive, por të gjitha gjetjet dhe sugjerimet do të kalojnë në duart e autoriteteve shqiptare, ashtu siç edhe parashikohet në Kushtetutën e re dhe ligjin e Vetingut. “Jam e gëzuar që po kthehem në Tiranë me rastin e prezantimit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit për Vetingun e anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. Sot themeluam bordin e menaxhimintit, i cili do të koordinojë punën ONM dhe unë kam kënaqësinë që do të jem kryetare e këtij bordi. Përgjatë procesit të Vetingu bordi i ONM do të luajë një rol mbikëqyrës dhe koordinimi për këto projekt monitorimi të komunitetit ndërkombëtar. Më lejoni të theksoj qartë se operacioni ndërkombëtar po kryen një monitorim të fuqishëm të procesit të Vetingut, por ai nuk merr vendime ekzekutive. Të gjitha vendimet përfundimtare në këtë proces do t’i takojnë autoriteteve shqiptare dhe kështu duhet të bëhet”, tha ajo.

Nis puna  
Shefja e ONM njoftoi se ditën e sotme do të mbërrijnë në Tiranë ekspertët afatshkurtër nga SHBA-BE, për monitorimin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të Vetingut. “Që nesër do të fillojë puna dhe do të mbërrijnë një grup ekspertësh shumë të kualifikuar nga shtete anëtare të BE dhe nga SHBA, të cilët do të jenë vëzhgues ndërkombëtarë afatshkurtër që do të dërgohen për të monitoruar fazën e parë të procesit që ka të bëjë me përzgjedhjen e anëtarëve shqiptare në procesin e Vetingut. Në këtë fazë të parë ONM do të hartojë rekomandimet për Kuvendin nëpërmjet zyrës së Avokatit të Popullit lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për organet e Vetingut. Do të jetë përgjegjësia e autoritete shqiptarëve që të përfundojnë procesin dhe të emërojnë kandidatët për organet e Vetingut”, pohoi Calavera.

Faza e dytë
Genoveva Ruiz Calavera sqaroi opinionin publik, se gjatë fazës së dytë, SHBA-BE do të sjellin në Tiranë ekspertët afatgjatë. “Pasi faza e parë të ketë përfunduar dhe të jenë ngritur organet e Vetingut do të fillojë faza e dytë dhe Komisioni Europian në bashkëpunim me SHBA do të sjellë një ekip afatgjatë vëzhguesish ndërkombëtarë, përsëri specialistë të nivelit të lartë që do të monitorojnë të gjithë procesin e Vetingut. Si kryetare unë mund t’iu siguroj se ONM do t’i kryejë detyrat e saj me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me ligjin. Në përfundim dua të përgëzoj autoritet e Shqipërisë për krijimin një kornize mjaft të plotë dhe të gjerë për reformën e drejtësisë që përfshiu një qasje mjaft të strukturuar dhe rigoroze për trajtimin e çështjeve që lidhen me profesionalizmin e të gjithë gjyqësorit. Kam besim në bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme të autoritete shqiptare në të gjitha fazat e ardhshme të procesit”, vijoi shefja e ONM.
 
Mesazhi
Një ditë pas zbarkimit në Tiranë, Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, ka paralajmëruar politikanët shqiptarë që të mos tentojnë ta korruptojnë.
 
Lu-Vlahutin
Pjesë e bordit të menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të jenë vetë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu si dhe shefja e delegacionit të BE, Romana Vlahutin. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)