Si mund t’u kërkojë Shqipëria aleatëve të NATO-s ta marrin seriozisht shërbimin e saj sekret, kur drejtuesja e SHISH-it dyshohet se ka mbajtur lidhje me një person në kërkim? Kjo është pyetja që ngriti Kreshnik Spahiu në emisionin 'Studio Live' në Report TV pas publikimit të bisedave mes shefes të shkarkuar dhe të arrestuar të SHISH, Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, të cilat i cilësoi një banalitet që buron nga një pushtet i pamerituar.

"As në vitet e para të demokracisë, 90-93’, drejtuesit e institucioneve nuk binin në këtë banalitet. Unë jam shumë pesimist në mënyrën se si na është prezantuar si një shtet i NATO-s ku kreu i SHISH ka një pozicion strategjik. Imagjinoni me çfarë serioziteti mund ta marrë NATO me një kryetare të tillë shërbimi, sidomos kur duam të organizopjmë samitin e NATO-s” tha Spahiu.

Analisti thotë se SPAK duhet të zbulojë nëse marrëdhënia mes Hysenit dhe Agasit ka cenuar vetëm një çështje të caktuar apo edhe sigurinë e shtetit.  Politikisht, ai e quajti të gabuar vendimin për ta emëruar Hysenin në krye të SHISH-it pas shkarkimit të saj nga inteligjenca e Kosovës.

"SPAK duhet të sqarojë a kemi të bëjmë vetëm me një lidhje personale me këtë subjekt, deri ku kanë shkuar marrëdhëniet dhe nëse korruptimi i Vlora Hysenit është vetëm me këtë subjekt apo bëhet fjalë për cënim të rendit kushtetues. E shkuara e saj në Kosovë lidhet më shumë me akuza politike. Ajo përfaqësonte një krah të caktuar politik dhe për atë arsye është mbështetur në Tiranë. Dikur ka përfaqësuar interesat e Hashim Thaçit. Pastaj erdhi Albin Kurti. Çdo kryeministër që vjen, i çdo partie dëshiron të ketë kreun e shërbimit informativ që ta ketë besnik. Çdo parti në Shqipëri apo Kosovë ka larguan kreun e shërbimit sekret. Deri më sot, në Kosovë, nuk ka një akuzë penale por akuza mediatike për Vlora Hysenin. Ajo nuk është e akuzuar apo dënuar në Kosovë për shitje të informacionit të klasifikuar. Normalisht që Kurti do e shkarkonte, nuk do të mbante drejtuesit e Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt. A duhej të merrej në Tiranë pasi u shkarkua në Kosovë? Personalisht them jo. Mund të punësohej por drejtuese ishte e tepërt. Shqipëria nuk ka aq mangësi sa të merrte stolin e rezervave të Kosovës” tha Spahiu

Për Spahiun, çështja nuk mbyllet me sqarimin e rrethanave penale nga SPAK. Ajo kërkon edhe një përgjigje politike për vendimin që i besoi Hysenit drejtimin e SHISH-it. Derisa Prokuroria të përcaktojë nëse marrëdhënia e saj me Agasin ka sjellë pasoja për sigurinë e shtetit, kryeministrit Rama, sipas analistit, i mbetet përgjegjësia për emërimin.

"Çdo lloj emërimi ka një kosto politike dhe është përgjegjësi e personit që e mban. Është aftësi apo paaftësi e një drejtuesi. Në fillim të çdo mandati të qeverisë socialiste, kam qenë skeptik. Shpeshherë ka pasur emërime të personave anonimë, personazhe me profile të ulët për t’i vendosur diku. Duke marrë një Vlorë që në Shqipëri ishte e importuar, askush nuk do të kishte çfarë të kritikonte. Kjo ka ndodhur me 90% të drejtuesve të institucioneve" tha Spahiu

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Kreu i SHISH në arrest shtëpiak, Spahiu në Report TV: SPAK ka hyrë në histori, opozita duhet t’i kërkojë falje Altin Dumanit

 

Opozita ka në dorë një nga dosjet më të rënda për qeverinë Rama, por duke sulmuar Altin Dumanin po dobëson vetë kauzën e saj. Kështu e lexon Kreshnik Spahiu qëndrimin e opozitës pas vendosjes në arrest shtëpiak të drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Gjatë analizës së tij në emisionin 'Studio Live' në Report TV, Spahiu tha se SPAK i ka dhënë opozitës një çështje me të cilën mund të kërkojë përgjegjësi politike nga qeveria por sulmet e PD-së ndaj ish kreut të Prokurorisë së Posaçme, po i japin Ramës hapësirë, në mos oksigjen të qëndrojë në pushtet.

“Opozita është në të drejtën e vet të shfrytëzojë ccdo lloj akuze. Nuk ka moment më të mirë historik për një opozitë. Madje e mendoj që e ka shfrytëzuar pak. Nëse do të kishim një opozitë të fortë do të kishim rotacion politik. Deri dje opozita e ka akuzuar SPAK si bandë kriminale. Kjo bandë kriminale sot i ka sjellë në dorë dosjen historike të Shqipërisë. Opozita duhet të thotë që ky Altin Dumani që Meta e ka quajtur ‘dumdumani’ ndërsa Berisha e ka quajtur ‘Altin Troplini’, ka hyrë në histori, sepse sot ka dosjen për të cilën këta thonë se shteti ka rënë. Nga kush ka rënë shteti? Nga Altin Troplini që u ka çuar të gjithëve fletë arresti? Opozita shqiptare për këtë arsye është në opozitë dhe nuk bie qeveria. Kjo opozitë i jep çdo ditë oksigjen qeverisë Rama dhe është në funksion të zgjatjes së mandatit të tij. Ky njeri sulmon cdo ditë atë që duhej ta kishte aleat. Është e pafalshme që opozita i ka hequr mundësinë popullit për rotacion dhe godet këtë prokurori që ka hyrë në histori me këto dosje penale. Është e rrallë të arrestosh një kryetar të SHISH në detyrë. Sot opozita duhet të na japë shpjegim si mundet që Altin Dumani e bëri këtë. Duhet t’i kërkojnë falje publikisht Altin Dumanit” tha Spahiu.