Mesazhi i Bashës: Zgjedhjet i
kemi të humbura, t’i bllokojmë

Mesazhi i Bashës: Zgjedhjet i<br />kemi të humbura, t’i bllokojmë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket se nuk ka asnjë plan për të rishikuar pozicionin e tij në krye të opozitës pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 18 Qershorit. Si rrallë ndonjëherë, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, në takimin e fundit me aleatët dhe bashkëpunëtorët e tij më të besuar, ka deklaruar se koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike nuk ka asnjë mundësi për të fituar zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit përballë koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste.

Shqiptarja.com ka mësuar nga të pranishmit në takimin e fundit se, Lulzim Basha, nisur edhe nga 7 humbjet radhazi të PD në 6 vitet e fundit, ka deklaruar se, një proces normal zgjedhor në 18 Qershor është në disfavor të opozitës. Basha ka renditur të gjitha rrethanat dhe faktorët në favor të mazhorancës qeverisëse.

Por, më shumë se sa një mesazh për aleatët dhe rrethin e tij të besuar, paralajmërimi i humbjes nga Lulzim Basha duket se është një mesazh që i adresohet pikësëpari kundërshtarëve të tij të deklaruar dhe të heshtur në parti, të cilët pritet t’i kërkojnë dorëheqjen, gjithnjë nëse opozita do t’i humbasë zgjedhjet.

Paralajmërimi i humbjes 5 muaj para mund të lexohet si një strategji e kryetarit të PD për t’ju kundërvënë zërave kundra, të cilët mund të rebelohet pas rezultatit të zgjedhjeve. Gjithsesi, fati i Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të 18 Qershorit, me shumë gjasa, do të jetë në dorën e Sali Berishës.

Krahas paralajmërimit të humbjes, kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka hedhur disa ide për krijimin e një situate kaotike gjatë zgjedhjeve të 18 Qershorit. Por, për daljen me një strategji të qartë, Lulzim Basha ka njoftuar të gjithë krerët e partive aleate, për të zhvilluar një mbledhje, ditën e hënë. Pas takimit me aleatët parlamentar, Shqiptarja.com ka mësuar se kryetari i opozitës ka njoftuar të gjithë krerët e partive aleatet, për të marrë pjesë në tryezën e ditës së hënë, për të vendosur për strategjinë që do të ndiqet për zgjedhjet parlamentare.

Nisur nga mesazhet e artikuluara në mbledhjen me dyert të mbyllua del qartë se kërkesa për votim elektronik po përdoret si një alibi, për të mbështetur dhe justifikuar veprimet për shtyrjen apo prishjen e procesit zgjedhor. Ndërkaq, vetë deputetë të Partisë Socialiste i kanë lexuar kushtet si alibi për të bojkotuar Kuvendin, me qëllim për të mos votuar ngritjen e institucioneve të Vetingut. Gjithsesi, ditën e hënë opozita do të dalë me një vendim. Paraprakisht mësohet se është propozuar për t’i lënë një afat kryeministrit Edi Rama për të pranuar kushtet e artikuluara.  

Faktori ndërkombëtar do të ketë një rol përcaktues sa i takon lëvizjeve të opozitës në raport me zgjedhjet e 18 Qershorit. Sipas burimeve, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, ka ngritur një grup me ekspertë të BE për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të kërkesës së Partisë Demokratike për numërimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet e 18 Qershorit. Në ditën në vijim, grupi i ekspertëve do të dalë me një opinion, sa i takon kushteve dhe mundësive për realizimin e projektit.
 
Kërcënimet e PD për dhunë dhe bojkot
 
Edi Paloka
“Teknologjia mund të përdoret në zgjedhjet e ardhshme nëse ka vullnet politik, por Rama nuk e ka. Nuk është diskutuar në PD, por nëse duhet periudhë më e gjatë për votim dhe numërim elektronik, zgjedhjet mund të shtyhen. Ky është mendimi im. Nëse Rama tenton të blejë zgjedhjet, nuk mund të flitet më për stabilitet. PD nuk po mendon për bojkotim të zgjedhjeve, por për të përdorur të gjithë arsenalin e mundshëm që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
 
Lulzim Basha
Opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me çuarjen përpara të reformës zgjedhore, e cila jep qytetarëve fuqinë për të vendosur qeverisjen e ardhshme. Çdo akt tjetër, çdo veprim tjetër është sekondar përpara garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, opozita parlamentare sot është dakordësuar që çështja numër një, problemi numër një që kanë Shqipëria dhe shqiptarët sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.
 
Flamur Noka
“Guxoni dhe prekni votën me 18 qershor dhe do të gjeni këtu, do t’ju duket lule ’97-a, ç’a ka për t’ju gjetur. Po guxuat të prekni qoftë edhe një votë. Po ua them unë, po jua them unë sot këtu, të kërcënoj ty dhe qeverinë tënde bandite, po cenuat votën, do të ketë një revolucion demokratik qytetar që nuk do të gjeni vrimë ku të hyni. Ti e ke vrimë se do shkosh në burg, por po flas për këta të tjerët. Nuk do të gjeni vrimë të hyni. Kaq kisha”.
 
Edmond Spaho
“Partia Demokratike po bën të gjitha përpjekjet të ndërgjegjësojë opinionin brenda dhe jashtë vendit. Nëse zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, por do të blihen sikurse u veprua në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015-të, zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë, vendi do të futet në rrugën e destabilitetit politik dhe të përplasjes në sheshe dhe rrugë. Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar”.
 
Kastriot Islami
“Dhe nëse rezultati zgjedhor do të vlerësohej ilegjitim, situata gjatë apo paszgjedhore do të ishte ilegjitime dhe një situatë e tillë do të nxiste reagimin masiv qytetar e për rrjedhojë edhe trazira sociale e do të mund të shkaktonte destabilitetin e vendit. Askush të mos mendojë se populli është i nënshtruar dhe i zhgënjyer e pashpresë dhe s’do të reagojë, sepse banda e Ramës jua ka sjellë shpirtin në majë të hundës; gota për t’u derdhur mjafton vetëm një ngacmim shumë i vogël… Reagimi do të jetë i paimagjinueshëm…”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

‘Java e suksesit, nëse do të…’ Jorgo Pulla këshillon shenjat / Horoskopi javor 1-7 korrik

‘Java e suksesit, nëse do të…’ Jorgo Pulla këshillon shenjat / Horoskopi javor 1-7 korrik