PRISHTINE, 15 Mars/ATSH/- Punëtorët e arsimit nga komuna e Ferizajt të cilët janë të licencuar dhe që për një kohë të gjatë janë në procesin mësimor, do të pajisen shumë shpejtë me kontrata pune të përhershme.
Nga ky rregull do të përjashtohen të gjithë ata punëtorë arsimor që kanë filluar punën në shtator vitit 2014 si dhe ata që nuk janë të kualifikuar sipas normativit. Këta të fundit do të pajisen vetëm me kontratë njëvjeçare.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Ferizajt, Muhamet Halili,duke i hequr kështu të gjitha dilemat që janë paraqitur lidhur me disa kontrata që DKA-ja i ka lëshuar deri në fund të shkurtit.
"Jemi duke u harmonizuar me MASHT-in për kontratat e përhershme që do tu lëshohen atyre mësimdhënësve të cilët i plotësojnë kriteret në bazë të normativit dhe janë të licencuar për lëndët e rregullta", ka shpjeguar Halili.
DKA-ja e Ferizajt mësimdhënësve të licencuar që u kishte skaduar kontrata në gusht të vitit 2014 u kishte vazhduar kontratën e punës deri me 28 shkurt të këtij viti, veprim ky që solli edhe shqetësime te mësimdhënës por edhe të sindikata e arsimit të Ferizajt. Drejtori i DKA-s, Halili, thotë se nuk ka vend për shqetësim ngase u është kërkuar drejtorëve të shkollave që t'i sjellin këto kontrata.
Ai këtë veprim e ka arsyetuar me faktin se me këtë është eliminuar një vakum që ka mund të shfaqet në dosjet e tyre ngase këta mësimdhënës kanë pasur kontratë deri me 31 gushtë të vitit të shkuar.
"Këto kontrata janë bërë me urdhëresë të MASHT-it mu nga problemet që kanë dalë nga moszbatushmëria e kontratës kolektive", ka nënvizuar drejtori Halili.
Edhe sindikata e arsimit thotë se këto kontrata nuk kanë legjitimitet dhe se krejt kjo po bëhet si mbulesë e e MASHT-it dhe DKA-së për moszabtushmërinë e marrëveshjes me SBASHKU-n si dhe për ta mbuluar vakumin e mungesës së kontratave njëvjeçare.
Kryetari i sindikatës së arsimit të Ferizajt, Rexhep Sadiku, thotë se kjo është bërë për ta mbuluar vakumin nga mospuna e organeve.
"Tash këta duan që përmes këtij petku ta mbulojnë atë vakum. Megjithatë ne do të vazhdojmë me kontrata tjera me kontratat që janë me afat të pacaktuar", ka shtuar Sadiku./KosovaPress/ /a.g/