Lezha solli në vëmendje figurën e Shën Roza Venerinit, gruan që la gjurmë në histori dhe vijon të frymëzojë edhe sot, pas më shumë se tre shekujsh.

“Mësuesja e Shenjtë”, një rrëfim muzikor mbi forcën, guximin dhe ndikimin e saj në shoqëri, u ngjit në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë.

Shfaqja ishte përgatitur nga të rinjtë e Qendrës Rinore “Motrat Venerini” dhe vajzat pa kujdes prindëror të Shtëpisë Familje “Rozalba”, të cilët përcollën emocione dhe mesazhe të forta për publikun.

Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte edukimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për t’u larguar nga çdo formë skllavërie dhe varësie, ashtu siç predikonte dhe vepronte Shën Roza Venerini.

"Shën Roza Venerini ishte një grua që në shekullin XVII solli për herë të parë shkollën për gra. Mesazhi i këtij aktiviteti është të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë për t’u larguar nga çdo formë skllavërie”, tha Motër Alma Zogu, drejtuese e Qendrës “Rozalba”

Aktiviteti u përshëndet edhe nga përfaqësues të Bashkisë Lezhë dhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit, të cilët vlerësuan kontributin e Motrave Venerini në zonën e Gjadrit, veçanërisht në edukimin dhe mbështetjen e fëmijëve e të rinjve pa kujdes prindëror.

"Na kthyet një mbrëmje të magjishme dhe të shenjtë. Mos të harrojmë se mësuesit janë shumë të rëndësishëm për fëmijët”, tha Fatjon Zefi, nënkryetar i Bashkisë Lezhë.

Shfaqja muzikore “Mësuesja e Shenjtë” zgjati rreth 90 minuta dhe u ndoq me mjaft interes nga publiku, i cili kishte mbushur sallën e Pallatit të Kulturës në Lezhë.

Shën Roza Venerini konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të katolizmit. E lindur në Itali në shekullin XVII, themeloi kongregatën e Motrave “Mësuese të Përshpirtshme Venerini”.

Misioni i saj ishte arsimimi dhe edukimi i vajzave, në një kohë kur mundësitë ishin të kufizuara. Vepra e saj vazhdon edhe sot në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Konkretisht në Gjader të Lezhës, prej vitesh është hapur Qendra Rinore “Motrat Venerini” dhe Shtëpia “Rozalba” që ofrojnë mbështetje sociale për fëmijët e të rinjtë pa kujdes prindëror.