Në verën e vitit 1991, Shqipëria jetonte ndoshta ditët më të errëta dhe më të trazuara të historisë së saj të afërt. Pas rrëzimit të regjimit komunist, vendi ishte zhytur në pasiguri, varfëri dhe ankth. Në portet e vendit, në rrugë, në fytyrat e njerëzve dhe në heshtjen e rëndë të qyteteve ndihej një tension i padukshëm, por i frikshëm, sikur të gjithë po mbanin frymën përballë një të ardhmeje që nuk dukej askund. Pikërisht në atë klimë dëshpërimi, frike dhe shprese të çmendur, eksodi me anijen “Vlora” u kthye në një nga ngjarjet më të mëdha dhe më dramatike që ka përjetuar Shqipëria.
Nisja dhe situata në port
Atë ditë shkova në anije si zakonisht. Prej vitesh punoja si kryemekanik i anijes “Vlora” dhe e njihja atë anije siç njeh njeriu shtëpinë e vet, me çdo zhurmë, çdo dridhje dhe çdo frymëmarrje të saj. Rreth orës 09:00 të paradites më njoftuan nga ekuipazhi se “ishte hapur porti”, domethënë njerëzit ishin lejuar papritur të hynin dhe të hipnin në anije, pasi policia që kontrollonte hyrjen kishte marrë urdhër të hapte dyert.
Anija ndodhej në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit, shumë pranë hyrjes së portit, dhe të parët që erdhën kërkonin me ngulm që ajo të bëhej gati për t’u nisur drejt Italisë. U thashë se kjo ishte e pamundur, sepse anija ishte në remont dhe nuk mund të lëvizte.
U fola njerëzve që po hipnin në bord dhe u përpoqa t’u shpjegoja me qetësi se anija nuk mund të nisej. Për mua ishte e pabesueshme ajo që po ndodhte. Nuk mund ta imagjinoja se do të vinte një ditë kur njerëzit do të vërshonin kështu mbi një anije të palëvizshme, të shtyrë vetëm nga frika dhe nga shpresa e dëshpëruar për të ikur.
U thashë të shkonin te anija Skënderbeu, që ndodhej pak më tutje. Ata më besuan dhe u drejtuan atje, por turma nuk po pakësohej; përkundrazi, sa vinte e shtohej. Njerëzit vinin me fytyra të lodhura, me sy të skuqur nga pagjumësia, me trupat e rënduar nga pritja dhe me një ngut të çmendur, sikur secili kërkonte të kapte me çdo kusht një shans të fundit për të shpëtuar nga tmerret e Diktaturës.
Takova kapitenin Halim Milaqi dhe i propozova të lironim litarët e anijes dhe të qëndronim në spirancë brenda portit të Durrësit, sepse era na largonte nga kalata ku ishim akostuar dhe kjo do të na ndihmonte të mbronim anijen. Ai nuk pranoi. Më tha se po priste urdhër. E pyeta: Nga kush ? por nuk m’u përgjigj. E pyeta përsëri nëse kishte folur me Kapitenerinë. Më tha se kishte folur, por askush nuk përgjigjej. Heshtja në radio dhe mungesa e çdo vendimi e bënin situatën edhe më të rëndë. I thashë se duhej të vepronim vetë, me iniciativë, sepse çdo minutë që kalonte e bënte më të rrezikshme gjendjen, por ai mbeti i frikësuar dhe nuk veproi. Atë çast ndjeva një pafuqi të thellë: anija ishte në duart tona, por njëkohësisht dukej sikur nuk i përkiste më askujt.
Mbushja e anijes
Kur Skënderbeu u mbush, njerëzit filluan t’i afroheshin "Vlorës" me një vrull gjithnjë e më të madh. Në atë moment kapiteni urdhëroi të ngrihej shkalla e anijes dhe të liroheshin litarët, por gjithçka ndodhi me një shpejtësi të frikshme. Një person me thikë në gojë u ngjit në bord duke u kapur pas litarëve dhe e detyroi kapitenin ta kthente anijen pranë kalatës dhe të ulte shkallën që njerëzit të hipnin. Ishte një skenë e rëndë, e egër dhe e pabesueshme, ku frika, dëshpërimi dhe instinkti për mbijetesë ishin bërë një.
Pas rreth dy orësh, anija ishte mbushur me mijëra njerëz. Kuvertat, korridoret, shkallët, çdo hapësirë e lirë ishte zënë. Ajri ishte i rëndë, i nxehtë dhe i mbushur me zhurmën e turmës, me britma, me thirrje për ujë, me ankth, dhe me një shpresë të përzier me tmerr.
Gjatë kohës që anija po mbushej me njerëz, eca nëpër korridoret e saj, kërkova vartësit e mi, por nuk i gjeta. Ku ishin? Ku kishin shkuar? Pse nuk erdhën të më takonin para se të largoheshin nga anija? Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ende nuk i di arsyet. Ndoshta kam pasur pjesën time të fajit, sepse gjithmonë isha përpjekur të isha i afërt dhe tolerant me ta.
Pamjet pranë shkallëve ishin të tmerrshme: njerëz që nxitonin të hipnin, fytyra të shtrembëruara nga frika dhe dëshpërimi, një rrëmujë që dukej sikur kishte tejkaluar çdo kufi.
Më tepër se një orë më vonë, drejt meje u afruan dy njerëz të armatosur. Njëri prej tyre, me pistoletë të drejtuar nga unë, më tha: “Jam Gaz Muço, më thanë se ti e ke në dorë ta bësh motorin gati e të nisemi.” Nuk di kush e orientoi te unë Gaz Muçon, i cili ishte i shoqëruar nga një person tjetër me kallashnikov, armë që, sipas asaj që mësova, ia kishin marrë ushtarit që ruante anijen. Më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk e bëja anijen gati për lundrim. Në atë moment ndjeva se gjithçka mund të përfundonte në tragjedi.
Udhëtimi drejt Italisë
U përpoqa t’i qetësoja dhe u shpjegova se nuk kisha ekuipazh, sepse mekanikët ishin larguar nga frika. Për ta bindur, e çova të shihte motorin kryesor. Pasi e pa, u bind dhe më pyeti çfarë duhej të bënim. I thashë se duheshin njerëz të profesionit për ta mbyllur punën dhe se duhej të ruheshin pajisjet e nevojshme të anijes, pa të cilat lundrimi nuk ishte i sigurt. Ai reagoi pozitivisht, vendosi roje te pajisjet dhe filluan të kërkonin mekanikë që do të më ndihmonin. Problemi ishte se duheshin njerëz me përvojë në atë anije dhe mekanikë të rastësishëm nuk mund të bënin shumë.
Pas pak kohe, për fatin tonë të përbashkët, erdhi një nga mekanikët, Qemal Kërtusha. Nuk kishte ikur me të tjerët. U gëzova pa masë dhe filluam punën me një vrull të dëshpëruar, sikur çdo minutë të na digjte në duar. Pas disa orësh motori u vu në gjendje pune, njoftova kapitenin dhe pas pak u nisëm.
Kam dëgjuar më vonë se në momentin kur anija u nis, për shkak të prezencës jashtë saj të aq shumë njerëzve, ndodhën tragjedi, por në ato rrethana, që e vetmja që mund të bënim ishte të vazhdonim udhëtimin drejt Italisë.
Atë ditë ishte një vapë e tmerrshme, por përveç vapës mbetëm edhe pa ujë. Gjatë kohës që po përpiqeshim ta vinim anijen në lëvizje, njerëzit e kishin konsumuar dhe shpërdoruar mijëra litra ujë të rezervës. Kjo e bëri situatën edhe më të rëndë. Qindra njerëz hynin në sallën e motorëve duke kërkuar ujë; nuk linin gjë pa lëvizur, me shpresën se do të gjenin një pikë ujë, por ujë nuk kishte. Në ato çaste rrinim të tensionuar, duke pritur çdo çast ndonjë fatkeqësi tjetër.
Bari
Anija u nis drejt Brindisit. Udhëtimi ishte i tmerrshëm dhe i paharrueshëm. Mezi prisnim të hynim në port, por kur u afruam, Kapiteneria e Brindisit na njoftoi se duhej të vazhdonim drejt Barit, ku na prisnin autoritetet. Të nesërmen në mëngjes mbërritëm në Bari dhe u akostuam në Kalatën Zero, ku zbritën rreth 20.000 azilkërkues.
Ishte një zbarkim i jashtëzakonshëm, i rëndë dhe i paharrueshëm, me njerëz që zbrisnin të lodhur, të hutuar, të uritur dhe të mbushur me shpresën e fundit për një jetë tjetër.
Më kujtohet se në anije erdhi edhe një gjeneral i karabinierisë italiane. E pyeta se çfarë do të bënin me gjithë ata njerëz. Më pa me një lloj mospërfilljeje, sepse isha i lodhur dhe i pistë nga puna. Por kur i thanë se unë isha kryemekaniku i anijes, vetëm ngriti supet dhe tha: “E çfarë mund të bëjmë me gjithë këta njerëz?” Në atë çast e kuptova se do t’i kthenin mbrapsht. Dhe vërtet kështu ndodhi.
Pas zbritjes së emigrantëve, autoritetet italiane kontrolluan anijen. Në bord ishte edhe një djalë i ri i vrarë me thikë. E morën trupin dhe e dërguan në morg. Pas dy javësh erdhi në anije i ati i tij, një peshkatar nga Durrësi. Më tregoi fotografinë e djalit dhe më pyeti nëse ngjante me trupin që kishin gjetur. Nuk doja t’i jepja shpresë të kotë, por as të gabohesha. Shkuam bashkë në policinë e Barit dhe, pasi e çuan të shihte kufomën, u provua fati tragjik: Po, ishte djali i tij. Më erdhi shumë keq. Të dy shpërthyem në lot. Nuk mund të bëja asgjë për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen atij babai.
Në anije ishte edhe kunati im, vëllai i gruas. Kishte ardhur për të shkuar te shokët e tij që kishin ikur në Itali me eksodin e parë, në mars 1991. E luta të qëndronte në kabinën time dhe, kur gjendja të qetësohej, ta nisja ku ai dëshironte. Nuk pranoi. Më tha: “Kam ardhur me shokët e mi dhe do rri me ta.” Fati i tij ishte shumë i rëndë. E lanë me shumë të tjerë në diell për tre ditë, të etur për ujë e të pangrënë, jashtë në kalatën e portit, të ruajtur me qindra policë e karabinierë. Pas tre ditësh e nisën me avion ushtarak drejt Rinasit. Në shtëpi kishte mbërritur i cfilitur, i zbathur dhe i shkatërruar. Tregonte sa keq i kishin trajtuar autoritetet italiane ato tre ditë.
Pasi njerëzit zbritën, autoritetet italiane na urdhëruan të dilnim në radë. Ky ishte një veprim që na shpëtoi ne dhe anijen. Po të qëndronim në port, do rrezikonim jetën tonë dhe vetë anijen. Aty qëndruam disa ditë.
Shumica e emigrantëve u transportuan me autobusë drejt stadiumit të vjetër të Barit, ndërsa një pjesë u mbajtën në port nën ruajtjen e forcave të shumta policore. Më pas, me avionë ushtarakë dhe me miratimin e shtetit shqiptar, shumë prej tyre u kthyen në Rinas. Ishte një proces i rëndë dhe i dhimbshëm, ku në fytyrat e njerëzve lexohej lodhja, zhgënjimi dhe pasiguria për atë që i priste më pas.
Kur dolëm në radë, gjëja e parë që bëra, sapo përfunduan manovrat, u ngjita në timonerinë e anijes kërkova me radio që Bari të më lidhte me Durrësin. Doja të njoftoja gruan time se isha gjallë. Për fat kisha një kushërirë që kishte telefon në shtëpi dhe doja që, nëpërmjet saj, të flisja me familjen time. Në atë moment erdhi kapiteni dhe më tha se nuk lejohej, sepse rriteshin shpenzimet e anijes. Nuk u përmbajta dhe i thashë se kjo tragjedi që ndodhi ishte edhe pasojë e vendimeve të tij; unë kisha qëndruar në anije dhe kisha luftuar për ta shpëtuar atë dhe jetën e tij e të marinarëve, ndërsa ai shqetësohej për shpenzimet e një telefonate. I thashë të largohej dhe vazhdova telefonatën me kushërirën time Dezdemona Ypi, duke qetësuar atë dhe gruan time se isha shëndoshë e mirë.
Gjatë qëndrimit në radë, agjencia na furnizoi me ujë dhe ushqime; më sollën edhe veshje, sepse kisha mbetur vetëm me mbathje, të cilat ishin nxirë nga puna gjatë gjithë asaj dite të llahtarëshme.
Kabinën time e kishin pushtuar të fortët dhe kishin shkatërruar gjithçka. Fillova të kërkoj dhe, për çudi, gjeta një videokasetë, në të cilën ishte i regjistruar nga RTSH-ja koncerti i Albanos në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Kjo më gëzoi pa masë. E mora videokasetën, të cilën e kishim parë në anije me dhjetëra herë, dhe e dërgova më pas në shtëpi, si një kujtim të çmuar që sa herë e shikoj dhe e dëgjoj, më sjell emocione dhe kujtime të forta nga ajo kohë.
Kthimi në Durrës
Pas rreth një jave u rikthyem në kalatë, në portin e Barit, ku nuk kishte mbetur më njeri. Heshtja që mbretëronte aty ishte e pazakontë dhe e rëndë, sikur porti vetë të kishte mbetur pa frymë pas asaj vale njerëzish që e kishte pushtuar. Anija qëndroi edhe rreth tre javë në portin e Barit e sekuestruar, derisa autoritetet italiane vendosën ta lironin, sepse u vërtetua se ekuipazhi i anijes ishte i pafajshëm dhe nuk kishte bashkëpunuar në asnjë aventurë. Vetëm atëherë u nisëm dhe u kthyem në Durrës, duke lënë pas një nga episodet më të jashtëzakonshme dhe më tronditëse të jetës sime.
Kanë kaluar shumë vite. Vazhdoj të pyes veten: pse ndodhi kjo tragjedi? Kush dha urdhër që njerëzit të lejoheshin papritur të pushtonin anijet? Besoj se Ramiz Alia dashi të shfrynte një pjesë të ashtuquajturve "problematikë", siç kishte ndodhur edhe në eksodin e marsit 1991, por situata i doli jashtë kontrollit.
Komente









