/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh mbrëmjen e sotme në një intervistë në emisionin "Opinion" se, sa i përket akuzave të deputetit Tom Doshi, kemi të bëjmë me deklarata të karakterit politik, të bëra në momentin kur deputeti përjashtohet nga grupi parlamentar i PS, kur para disa ditësh po ky deputet ka bërë deklarata për disa drejtoresha duke i bërë shantazh Kryeministrit.

Sa i përket hetimit, Meta u shpreh se, "i vetmi person që ka bllokuar hetimin e këtyre akuzave është vetëm deputeti Doshi".
Meta u shpreh se nuk e ka besuar këtë histori asnjëherë, duke theksuar se deputeti Doshi tregon 100 variante të ndryshme. Sipas kreut të Kuvendit kjo histori është e trilluar pas përjashtimit të deputetit Doshi nga grupi parlamentar i PS. Meta thekson se nuk ka ndikuar aspak në përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi parlamentar i PS.
"Puna e videove dhe tritolit është kthyer në një sport popullor", tha Meta, duke shtuar se, "nuk ka asnjë shqetësim në këtë histori dhe drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Jam gati të shkoj çdo ditë të javës në Prokurori për t'u përballur me z. Doshi dhe z. Berisha si dy akuzuesit e mi".

Meta u shpreh se, "Policia kishte marrë masat e saj. Edhe Prokuroria ishte njoftuar. Ehe unë si Kryetar i Kuvendit mora masat e mia, lajmërova kreun e Komisionit të Sigurisë, Z. Braho. E ndoqa vazhdimisht si ngjarje. Emri im nuk doli. Doli vetëm në momentin kur duhej të përdorej për qëllime për të destabilizuar situatën politike. Nuk ka asnjë denoncim nga deputeti në fjalë. Denoncimi bëhet publikisht nga deputeti vetëm kur përjashtohet nga grupi parlamentar i PS".

"As më shkon mendja për filma të tillë, telenovela të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me formimin tim kulturor. Këto mentalitete me hakmarrje, prita, pusi qëndrojnë në mentalitetin e doktorit dhe të disave si ai. Por këto ngjarje, as nuk kanë ndodhur as nuk do të ndodhin veçanërisht për shkakun tim", theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.