Deputeti i ‘Rithemelimit’, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e lajmeve të Report Tv me gazetarin Arber Hitaj foli për bashkëpunimin e Rithemelimit me Partinë e Lirisë. I pyetur nëse Ilir Meta do të kandidonte për Kryetar Bashkie i Tiranës në zgjedhjet lokale, siç është  përfolur, Boçi citoi përgjigjen e Metës në lidhje me këtë, duke thënë se ai “ka ambicie rivendosjen e demokracisë. Ndërsa, për protestën e këtij muaji të paralajmëruar nga Meta, Boçi tha se edhe Rithemelimi është pjesë e këtij aktiviteti.

“Unë di që Meta është treguar shterues dje kur ka thënë që ka ambicie më të mëdha, siç është rivendosja e demokracisë. PD ka gati rregulloren e primareve dhe nuk mund të bëhet zgjedhja nga drejtuesit por brenda strukturës, ndoshta mund të shkojmë deri te qytetarët përtej anëtarësisë. Berisha dhe Meta pas dorëzimit të mandatit të presidentit nuk kanë reshtur së kryeri aktivitet. Aksioni politik i flaktë e i zjarrtë në raport me situatën zgjedhore, organizimin e brendshëm, organizimin e protestave. Protestat synohet të jenë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Do të kenë një konkludim politik, të rritet besimi i qytetarëve te opozita dhe politika, zgjedhjet të jenë sa më afër, me qëllim që konfigurimi i sotëm i dalë si rezultat i vjedhjes së votës të mos jetë i tillë. Qeverisja nuk është reflektim i vullnetit të qytetarëve por plotësim i interesave të ndërsjella. Bashkëmarrëdhënie fronti opozitar edhe në protesta edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ne jemi në kohezion të plotë për protestat. PD dhe PL kanë sjellë fakte të reja të skemës së pastrimit dhe grabitjes së miliona eurove me inceneratorët. Çdo qytetar që e ka parë skemën korruptive nga Rama, do të dojë të marrë pjesë. Pjesëmarrje dhe kohezion i nënkuptuar. Kjo do rrisë vëmendjen e publikut për këtë aferë, që është edhe simbol si ka qeverisur Rama”, u shpreh Boçi.

Boçi foli edhe për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin ditën e sotme, të lajmëruar edhe nga Rama, për shkak të sulmeve kibernetike. Ai tha se vendimi ishte i drejtë por ishte vendim i partnerëve e jo i Ramës, ndërsa tha se mund të ketë edhe arsyeja të tjera përveç sulmit kibernetik.

“Kompani që përgjigjet për sigurinë kibernetike. Sulmi kibernetik, paralajmërimi për sulme terroriste në rastin e Manzës. Një nga format është edhe ndërprerja e marrëdhënieve. Është vendim i partnerëve. Rama nuk mund të fshihet pas vendimeve të partnerëve. Ka arsye të tjera për të shkuar në një vendim të tillë, edhe ajo do të mjaftonte. Siguria e faqeve të sigurisë është shumë  dobët, ata kanë hyrë me protokoll të thjeshtë dhe mund të merrnin çdo të dhënë”, tha Boçi.

Shqipëria prishi sot marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik, teksa iu është dhënë urdhër ambasadorit dhe të gjithë stafit të ambasadës iraniane të largohen nga Shqipëria brenda 24 orëve.