Presidenti Ilir Meta komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Durrësit që nuk i vërtetoi mandatin kryetares së re të Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Argument i këtij vendimi u bë fakti që sipas gjykatës, Bindja Demokratike u regjistrua në KQZ përtej afateve ligjore. Por kreu i shtetit tha se çdo proces gjyqësor që vazhdon të bëhet është demonstrim i rrëmujhanes ligjore që ekziston në Shqipëri, duke përmendur edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi dekretin e tij për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
"Çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është një pasqyrim i rrëmujhanes ligjore, që për fat të keq vazhdon në vendin e në shtetin tonë. Ky është rezultat i mungesës së respektit për Kushtetutën, i keqzbatimit të qëllimshëm e të njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese që u arritën me konsensus unanim tri vite më parë. Kjo gjë u demonstrua shumë qartë që në momentin kur me një qarkore Kuvendi u shpall gjoja inekzistent dekreti i Presidentit dhe u udhëzua organizata socialiste në KQZ, por edhe u ushtrua trysni mbi Kolegjin Zgjedhor që të interpretonte rrëzimin e kërkesës së zotit Idajet Beqiri si rrëzim i dekretit të Presidentit", u shpreh Meta në përgjigje t ëinteresit të gazetarëve.
Me këtë reagim Presidenti lë të kuptohet se vendimi i Gjykatës është i pavlerë, sido që ai të merret, pasi kreu i shtetit pretendon se zgjedhjet e 30 qershorit janë mbajtur totalisht në shkelje të Kushtetutës. Për kreun e shtetit ato janë inekzistente dhe se palët politike duhet të ulen në negociata për mbajtjen e zgjedhjeve të tjera vendore, në datën 13 tetor që ai ka caktuar, dhe që sot për herë të parë u shpreh i gatshëm për ta negociuar.