TIRANË-  Me argumentin kryesor se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë ilegjitimë, presidenti Ilir Meta kthen për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në mbështetje të këtij vendimi, kreu i shtetit liston disa argumente të tjera. Sipas tij, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të njëanshme, pa konsensus; dëmtojnë rëndë klimën politike; cenojnë kushtet e vendosura nga BE; cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike

Me kërkesën e kreut të PD-së, Ilir Meta e ka dërguar Kodin Zgjedhor për opinion në Komisionin e Venecias.

 “Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit të Venecias për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, shkruhet në dokument. 

Për PS, Ilir Meta ka bërë një thirrje për reflektim. Ai i ka kërkuar që ta lexojnë këtë dokument 81 faqësh, për të cilin thekson se është bërë nga eskpertë të presidencës dhe ndërkombëtarë, dhe të reflektojë.

"Meta ka motivuar, në  mënyrë të qartë është bërë një punim shkencor nga ekspertët e presidentit, por edhe ndërkombëtar për të gjitha standartet që shkel ky kuvend që ka të bëjë me standartet e OSBE, Venecias dhe Kushtetutën tonë, shpresoj që ata të lexojnë të reflektojnë", tha Meta nga Korça. Megjithatë, mazhoranca këtë reformë e quan sukses dhe nga Elbasani, sekretari i përgjithshëm, i PS-së, Taulant Balla tha se i kanë të gjitha mundësitë për ta kaluar në Kuvend. "Më vjen keq që presidenti i Republikës mori kohën për të vonuar procedurat parlamentare. Ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Kodi zgjedhor është një kod i plotë i cili ka transferuar qasjen dhe i ka dhënë një fuqi më të madhe popullit të zgjedhë jo vetëm kryetarin dhe partinë politike që do por të zgjedhe edhe listën e kandidateve qe do. Çdo vonesë që vjen nga një president mistrec dhe hileqar unë mendoj që i kemi të gjitha mundësitë ta kalojmë", tha Balla. 

Por cilat janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që presidenti i Republikës refuzoi t'i dekretojë? Në ndryshimet në Kodin Zgjedhor përcaktohet  pragu kombëtar do të jetë 1 %, do të ketë  ri-renditje të pjesës së parë të listës së kandidatëve bazuar tek vota preferenciale, i jep të drejtë kryetarit të partisë të garojë në 4 zona zgjedhore njëkohësisht dhe se për të kaluar pragun e listës, kandidatëve u vendoset prag tavan 10 mijë vota si dhe heqja e koalicioneve të përbëra dhe kandidimi me listë unike. Sipas formulës së PS, shpërndarja e mandatit fillon sipas renditjes së kandidatëve nga i pari tek i fundit, në bazë të listës që ka bërë kryetari i partisë.

Argumentet që sjell Meta
- Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;

- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;

- Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standartet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;

- Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambjent elektoral rregullash që favorizojnë mazhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, krijojnë rrezik që procesi para-elektoral, ai i fushatës elektorale, i votimit, numërit, dhe ai ankimor deri në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike, antagoniste, të mungesës së besimit ndërmjet palëve, që rrjedhimisht mund të sjellin si pasojë cenimin e standardeve zgjedhore, prishjen e paqes sociale dhe mundësinë e rritjes së tensionit në jetën shoqërore në vend;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, janë realizuar ndërkohë që Presidenti i Republikës që prej datës 6 shtator 2020 me Dekretin nr. 11700, ka caktuar datën e zgjedhjeve për Kuvendin, ditë e dielë, datë 25 prill 2021, duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratike;

- Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe bien ndesh me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

- Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës.

Për sa më sipër dhe siç do të trajtohet gjerësisht në vijim, duke respektuar edhe kërkesën e grupittë Partive Popullore Europiane të shprehur përmes deputetit të Parlamentit Evropian zoti Michael Gahler1 , në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji në mbështetje të nenit 85 pika 1, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, si një mundësi e fundit që mazhoranca qeverisëse e Partisë Socialiste, të reflektojë e të tërhiqet nga sjellja dhe veprimet anti-demokratike që mund të favorizojnë Partinë Socialiste në proçesin zgjedhor të 25 prillit 2021, por që do të dëmtojnë rëndë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe të ardhmen europiane të tyre.

(Kliko këtu për të lexuar arsyetimin e presidentit Meta për kthimin e ligjit)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:10
Meta: Kush vjedh votën t'i pritet dora si në Mesjetë! Meqë dënimi me vdekje është i ndaluar

KORÇË- Presidenti Ilir Meta tha nga Korça se pas 25 prillit,  krimet më të mëdha dhe më të ndëshkuara për vendin tonë do të jenë prekja e Kushtetutës dhe e votës.

Madje arriti deri në një propozim ekstrem. 

“E gjithë vëmendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të jenë të zgjedhjet. Shqipëria do të jetë vend që ka shpresë, dhe jo e 5 oligarkëve. Që i marrin shpirtin këtij vendi. Nuk ka ndodhur kurrë që të rritet borxhi publik dhe varfëria. Borxhi nuk merret për të ndihmuar njerëzit në vështirësi, por merret për PP, që nuk kanë asnjë çmim. Të ardhurat shkojnë poshtë. Zgjedhjet do të zgjidhin sundimin e ligjit. Pas 25 prillit, Shqipëria do të hyjë në një epokë të re, në çdo rast. Të dy do të jenë krimet më të mëdha dhe më të ndëshkueshme. Prekja e Kushtetutës dhe vjedhja e votës. As presja e Kushtetutës nuk do të preket më. Kush prek një votë t’i pritet dora, si në Mesjetë. Meqë dënimin me vdekje e kemi të ndaluar.”, tha Meta.

Ora 12:54
Ktheu ligjin për Kodin Zgjedhor/ Meta nga Korça: E vonova se u konsultova me ekspertë ndërkombëtarë! Mazhoranca ta lexojë e të reflektojë

Nga Korça, presidenti Ilir Meta ka argumentuar vendimin se përse ka kthyer në Kuvend ligjin për Kodin Zgjedhor.

"Për t'i dhënë një mundësi mazhorancës që të reflektojë të respektojë marrëveshjen se do mbajë një përgjegjësi kritike jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm në 3 dekada të ndryshimit të rregullave të lojës, por edhe për vonesat e celjes së procesin të negociatave se respektimi i kësaj marrëveshjeje është kusht i BE, përvec kushteve të tjera.

Presidenti është i qetë për arsye sepse presidenti është me një gjatësi ale me popullin shqiptar dhe i gjithë populli pavarësisht nga preferencat partiake apo politike, i mërzitur nga lojërat e tyre kërkon t'i jepet fund kësaj krize artificiale, kësaj mungese skandaloze të legjitimitetit të të gjitha institucioneve dhe në radhë të parë të vetë Kuvendit që kurrë në historinë e tij nuk ka qenë në këtë gjendje dhe populli kërkon paqe, qetësi, integrim Eruopian dhe këto nuk mund të arrihet pa pasur një reflektim në plan afatshkkurtër. Meta ka motivuar, në  mënyrë të qartë është bërë një punim shkencor nga ekspertët e presidentit, por edhe ndërkombëtar për të gjitha standartet që shkel ky kuvend që ka të bëjë me standartet e OSBE, Venecias dhe Kushtetutën tonë, shpresoj që ata të lexojnë të reflektojnë. Presidenti dëshiron që të ketë zgjedhje, të ndjekë edhe ai programet e partie të alternativave të ndryshme, lidhur me situatën e pandemisë, me problemet e taksave, problemet ekonomike dhe presidenti ka vetëm një votë si çdo qytetar që do e hedh në kutinë e fshehtë. Nëse do kemi një këmbëngulje për të dëmtuar zgjedhjet dhe për t'i vendosur një mur për integrimin në BE, presidenti do të jetë me gjithë shqiptarët", tha Meta.