Meta ktheu ‘Kadastrën’, Lame: S’ka argument, Rama s’do e çojë regjistrin në Surrel, edhe Presidenca pa certifikatë

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka reaguar përmes një deklarate për mediat pas vendimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili para dy ditësh ktheu në Kuvend ligjin  “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij (lexo këtu). Lame akuzoi se Presidenca mbushi 14 faqe, por nuk ka asnjë argument për kthimin e ligjit.  Lame shprehet se Presidenti nuk duhet të shqetësohet, pasi me këtë ligj, kryeministri nuk merr atributet e administratorit të regjistrit të pronave të paluajtshme.

Sipas tij, regjistri i pronave është në administrim të ministrisë së Drejtësisë si sot, ndërsa Agjencia e Kadastrës do të jetë në varësi të Kryeministrit. Ai theksoi se Presidenti nuk e di që as godina e Presidencës, që po drejton apo, Kryeministrisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme që ka drejtuar nuk kanë certifikatë pronësie. Vendimi i Metës, sipas Lame penalizon qytetarët, pasi vetëm 4% e pronave janë me certifikatë në Shqipëri.

“Presidenti ktheu ligjin për Kadastrën. Por a e di zoti Meta, që godina e Presidencës nuk ka certifikatë pronësie. Përpara kësaj zoti Meta, ka qenë kryetar Kuvendi, por as ajo sallë nuk ka certifikatë pronësie. Edhe godina e Kryeministrisë dhe ministria e Jashtme nuk ka certifikatë pronësie. Shteti ka edhe 600 mijë prona private të paregjistruara, duhet të maten 80% të pronave të matura.

Me këto punën do të merret kadastra, ndërsa presidenti e ktheu si të rrezikshme. Si t’ua shpjegojmë hallin e presidentit 60 mijë familjeve që presin të mbyllin legalizimet? Apo 220 mijë fermerëve që presin të regjistrojnë tokën? Nëse për shumë ligje që presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të caktuara, ky ligj penalizon cdo shqiptar. Presidenca mbushi 14 faqe, por nuk ka asnjë argument. Një shqetësim më lejoni ta analizoj.

Presidenti shkruan që kryeministri me këtë ligj merr me atributet e administratorit të regjistrit të pronave të paluajtshme, por siguroj Metën, që asnjë kryeministër nuk e kanë idenë si lexohet ky regjistër dhe nuk e duan. Rama nuk ka ndërmend ta çojë në Surrel regjistrin e pronave. Ligji e thotë qartë, regjistri i pronave është në administrim të ministrisë së Drejtësisë si sot, ndërsa Agjencia e Kadastrës do të jetë në varësi të Kryeministrit që ti tërheqë veshin drejtorit për mbarëvajtjen e punës së institucionit, që do të jetë themeli i reformës së pronës” deklaroi Lame.

Deklarata e plotë e Artan Lames
Presidenti i Republikës nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim Ligjin “Për Kadastrën”.

Z. Ilir Meta sot është President i Republikës. Por godina e Presidencës e ndërtuar në vitin 1959, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie.

Përpara kësaj z. Ilir Meta për 4 vjet ka qenë Kryetar i Kuvendit. Por as Salla ku mblidhet Kuvendi, e ndërtuar që në vitet ’50, nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Ministër i Jashtëm. Por edhe Ministria e Jashtme, e ndërtuar që në vitet ’70, nuk është e rregjistruar dhe nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Kryeministër i Republikës. Por as Godina e Kryeministrisë, e ndërtuar që në kohë të Italisë në vitin 1940, sot e gjithë ditën është e pa certifikatë pronësie.

Këto janë vetëm 4 nga pronat e këtij shteti, që ka të regjistruara me certifikatë pronësie vetëm 4% të pronave të veta.

Të këtij shteti, që ka ende edhe 600.000 prona private të paregjistruara.

Të këtij shteti që, sipas raportit të BB, duhet të ri-masë 80% të pronave të matura në këto 25 vjet, sepse janë matur së prapi.

Këto janë punët me të cilat do merret Kadastra, të cilën dje zoti President e ktheu mbrapsht si të rrezikshme.

Mirë se 74 deputetëve që do ta rivotojnë ligjin e Kadastrës po ju themi të presin, po si t’ua shpjegojmë hallin e Presidentit 60.000 familjeve që presin të mbyllin legalizimet, 220.000 fermerëve që presin të regjistrojnë tokën, 50.000 familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra, apo 2.800.000 pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh?!

Nëse për shumë ligje të tjera që Presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të veçanta njerëzish, kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka një çerek shekulli që gjen belanë me pronën.

Duke qenë njeri i letrave, modestisht di të vlerësoj gjënë e shkruar. Ndaj admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të Kadastrës dhe të mos thojë asgjë.

Kemi që dje qe jemi mbedhur dhe përpiqemi të gjejmë një argument në ato 14 faqe dhe s’po ja dalim dot.

Sidoqoftë, njërën prej shqetësimeve presidenciale do më lejoni ta analizoj.

Presidenti shkruan se “me këtë ligj Kryeministri merr atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të paluajtshme”.

Kaq u desh që ca nga ato portalet që bëjnë lëmsh dynjanë, të shkruanin se Edi Rama po grabit regjistrin e pronave të shqiptarëve.

Dëshiroj të siguroj Presidentin se, jo vetëm Kryeministri i sotëm, por asnjëri nga 34 Kryeministrat e historisë së këtij vendi nuk e kanë patur idenë se si lexohet Regjistri i Hipotekës, ndaj s’kanë ç’e duan.

Veç kësaj, unë u përpoqa të bëj verifikime dhe nuk më rezulton që Edi Rama të ketë ndërmend të çojë në Surrel arkivin e Kadastrës.

Ligji e thotë qartë: Regjistri i Pronave është në administrim të Ministrisë së Drejtësisë si deri më sot. Ndërsa Agjensia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, në mënyrë që ky t’i tërheqë veshin direkt Drejtorit për mbarëvajtjen e punës së këtij Institucioni, që do të jetë themeli i reformës së pronës.

Të asaj Reforme të pronës që është nga ato ku s’pati të majtë e të djathtë që nuk ishte dakord se duhej bërë, përfshirë edhe vetë Presidentin kur ishte Kryetar i Kuvendit.

Sot është 17 janari, i 551-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. I atij Skënderbeut që ende sot e ka pa certifikatë pronësie Mauzoleun në Lezhë, gjë që ka bërë që e gjithë ajo zonë të rrethohet, sulmohet e copëtohet me lloj-lloj pronarësh, të qenë e të paqenë.

Së fundi, garantoj zotin President se, një ditë pas fillimit nga puna të Agjesisë së re Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës në Tiranë dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut në Lezhë, për të filluar procedurat e lëshimit të Certifikatave të Pronësisë për to, ashtu siç do vijojnë më tej me zgjidhjen e problemeve të certifikimit të pronës për gjithë pronat e tjera të shqiptarëve të këtij vendi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fad: 17/01/2019 12:03

    O cna kenaqe lame, aty po e ka mendjen like floriri ka apo nuk ka cettifikat pronsie presidenca

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë