Meta: LSI mbështet Bazhdarin, zgjedhja e duhur për ndryshimin e madh në Shkodë

/ATSH/- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar edhe nga kandidatja e Aleancës për Shqipërisë Europiane në zgjedhjet e 21 qershorit, Keti Bazhdari, deputeti i LSI-së Agron Çela, deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj dhe Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani, zhvilloi nje takim te premten me strukturat e partisë në qarkun e  Shkodrës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu kënaqësinë e zhvillimit të këtij takimi të parë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër me kandidaten e re për zgjedhjet e 21 qershorit për bashkinë e këtij qyteti, Keti Bazhdari.
Kryeparlamentari Meta tha se  "është shumë bukur kur simboli i këtij ndryshimi, bëhet një vajzë, një grua e re e cila ka arritur që të tregojë se di ta ndërtojë suksesin në punën e saj, në jetën e saj, të jetë e dobishme jo vetëm për familjen e saj, por edhe për komunitetin siç është Keti Bazhdari".
"Jam vërtet shumë i kënaqur, me këtë zgjedhje, që ka propozuar Partia Socialiste e Shkodrës dhe që tani është zgjedhje edhe  e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe e gjithë koalicionit tonë, sepse nuk kemi një kandidate e cila kërkon të bëhet kryetare e bashkisë për të patur një pushtet që ta jep kjo pozitë për të përdorur këtë pushtet për interesa personale, por jam i bindur se kemi vërtet një kandidate e cila ka një ëndërr, që e ndjen mbi supet e saj se ka një mision, për t'i dhënë Shkodrës atë shkëlqim që meriton, jo vetëm te pedonalja, por që nga Velipoja e deri në Theth dhe bashkia e re i ka këto mundësi, ka potenciale të jashtëzakonshme", theksoi  Meta.
Kryetari i LSI-së tha se, ky ndryshim kërkon një vizion të ri, të guximshëm, një shpirt sipërmarrjeje të sprovuar dhe kandidatja Keti Bazhdari i ka të gjitha këto cilësi.
"Duhet kuptuar se askush nuk mund të jetë i suksesshëm pa krijuar një ekip të suksesshëm, pa ditur të integrojë kontributin e gjithë të tjerëve dhe jam i bindur se forca dhe suksesi i saj do të qëndrojë te forca dhe aftësia e saj për të bashkëpunuar me të gjithë ju dhe me të gjithë qytetarët e Shkodrës"-tha Meta, ndersa nenvizoi se, vizioni i Ketit dhe backgroundi i saj, do të arrijë të ndërtojë këtu në  Bashkinë e Shkodrës një koalicion më të madh se sa koalicioni që ne kemi sot, si Aleancë për Shqipërinë Europiane, që do të jetë koalicioni për Shkodrën , duke afruar dhe integruar, duke bashkëpunuar me të gjithë qytetarët shkodranë pa dallim bindjesh politike, pa përkatësi të majtë apo të djathtë, por me të gjithë qytetarët shkodranë të cilët kërkojnë një ritëm tjetër për ndryshimin e Shkodrës, për ripërtëritjen e saj, për rilindjen e saj dhe për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë varfërisë në tryezat e shkodranëve që nga Velipoja e deri në Theth", tha Meta.
Kryeparlamentari Meta komentoi dhe ndryshimet e miratuara të enjten në seancë plenare ku rritet përfaqësimi i femrave në vendimmarrje duke u shprehur se "në këto zgjedhje, gratë dhe vajzat e Shkodrës dhe të Shqipërisë do të kenë mundësinë që të kenë një vend tjetër në këshillin bashkiak për t'u përfaqësuar, por padyshim që suksesi më i rëndësishëm, jo vetëm për to këtu në Shkodër, jam i bindur edhe një shembull i jashtëzakonshëm suksesi në të gjithë Shqipërinë, do të jetë zgjedhja e Keti Bazhdarit si kryebashkiake e Shkodrës".
Kryetari i LSI-së tha se Shkodra është një prioritet i padiskutueshëm i qeverisë. Duke komentuar projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Shkodrës, Kryetari i LSI-së tha se ky është një vlerësim për atë që ky qytet i ka dhënë sportit.
" Padyshim që e meriton një stadium të ri aq më tepër për një ndeshje kaq të rëndësishme si ajo që pritet të zhvillohet në muajt e ardhshëm sepse jo vetëm është një respekt për traditën e Shkodrës, për atë që ka dhënë për futbollin dhe për sportin shqiptar, që është pjesë e investimit të saj për krenarinë tonë kombëtare, por njëkohësisht sepse duhet dhënë ai mesazh që Shkodra ka mundësi dhe duhet të japë shumë më tepër", tha Meta.
Kryetari i LSI-së i shprehu mbështetjen kandidates Keti Bazhdari në zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës. Duke aprovuar bindjen se vota do të jetë masive për kandidaturën e Keti Bazhdarit, Meta tha se, ajo do të jetë e vetmja zgjidhje sepse secili do të shohë veten e saj dhe akoma më tepër për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shkodrës të cilët kërkojnë një zgjim tjetër të këtij qyteti, në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë e sigurt dhe të jetë një e ardhme europiane në Shkodrën e tyre të dashur.
Kandidatja e përbashkët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 21 qershorit për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari shprehu kënaqësinë për mbështetjen që i është dhënë nga strukturat e LSI-së.
"Për mua është kënaqësi e madhe mbështetja dhe afeksioni që ju më keni dhënë që në takimin e parë. Më bëhet qejfi se jeni me të vërtetë shumë të organizuar  dhe shoh tek ju pasionin dhe dëshirën për të mbështetur këtë fushatë. Duhet të kuptojmë që unë jam një kandidate e koalicionit dhe koalicioni i të gjithë ne bashkë. Nëse ne vërtet duam të sjellin ndryshimin në Shkodër,duhet të dalim jashtë kulturës së paragjykimeve dhe duhet të jemi të gjithë bashkë. Pushteti lokal i Shkodrës nuk mund të ndryshojë nëse forca e ndryshimit, e transformimit është e cunguar. Prandaj ne kemi nevojë që të bashkohemi dhe të japim një mesazh që të gjithë të bëhemi ndryshimi që duam të shohim", tha znj. Bazhdari.
Ndersa Deputeti i LSI-së për qarkun Shkodrës, Agron Çela tha se ky takim me strukturat është një mesazh bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe mirënjohje për mbështetjen që është dhënë nga qeveria dhe nga Kryetari i Parlamentit.
Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj tha se mbështetja për Keti Bazhdarin, është një mbështetje për të ardhmen.
Edhe Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani shprehu mbështetjen për kandidaturën e Keti Bazhdari dhe shprehu besimin në fitoren e zgjedhjeve vendore. 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri