Kryeparlamentari Ilir Meta priti sot Nënkryetarin e Parlamentit të Izraelit, njëkohësisht Kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael-Shqipëri në Knesset, Hamad Amar i cili shoqërohej nga një delegacion parlamentar.
Meta shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë të nivelit të lartë të një delegacioni parlamentar izraelit në Tiranë duke vlerësuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit po njohin një dinamikë të re bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, Meta theksoi vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të nxitur shkëmbimet mes dy parlamenteve përmes grupeve reciproke të miqësisë, komisioneve të ndryshme parlamentare si dhe në kuadër të forumeve shumëpalëshe si Unioni Ndërparlamentar dhe Asambleja Parlamentare e Euro-Mesdheut.

Nënkryetari i Knesset, Hamad Amar shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë në Shqipëri e cila vjen pas vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Izrael pak javë më parë.
Amar shprehu mbështetjen e Knesset për forcimin e marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve duke vënë në dukje se Grupi i Miqësisë Izrael-Shqipëri që ai drejton do të punojë për konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Nënkryetari i Knesset  Hamad Amar ndanë bindjen se miqësia tradicionale mes dy popujve është një bazë solide e zhvillimit të shkëmbimeve në të gjitha fushat mes dy vendeve, veçanërisht në fushat e burimeve natyrore, energjisë, bujqësisë dhe agro-përpunimit, turizmit dhe teknologjisë.

Meta dhe  Amar biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare, ku u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të mbarëvajtjes së paqes, stabilitetit dhe rritjes së sigurisë ndërkombëtare.

Në përfundim, Meta rikonfirmoi ftesën zyrtare për një vizitë të Kryetarit të Knesset z. Yuli Eldestein në Tiranë, e cila do të kontribuonte në solidifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Izraelit. ATSH