Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar, duke marrë në mbrojte ish-deputeten demokrate Grida Duma, pas deklaratave të bëra nga kreu i qeverisë Edi Rama një ditë më parë.
Kreu i shtetit thekson se dënon dhunën verbale dhe linçimin publik, ndaj Dumës, ndërkohë që i bën thirrje Ramës që të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj ish-deputetes.
‘E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma. Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit. Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.’- shkruan Meta.
Një ditë më parë kreu i qeverisë, gjatë një takimi virtual me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, nuk kurseu ironinë ndaj kandidatëve për deputet të PD-së. ‘Po këtu në Kavajë kush fiton?! “Gridare, gridare, ohoho”- u shpreh Rama, teksa nxjerr foton e Grida Dumës.