Në mungesë të një koke të opozitës dhe me aleatin e tij Sali Berishën në arrest shtëpie, Ilir Meta ka intensifikuar daljet para mediave.

Këtë të premte, kreu i Partisë së Lirisë, që duket se i ka vendosur vetes barrën e përballjes me qeverinë, tha se opozita do të intensifikojë aksionin ndaj atij që e quan narkoshtet.

“Opozita nuk ka asnjë rrugë tjetër veç intensifikimit të aksionit të saj në përballje me narko-qeverinë, mediat ndërkombëtare ia kanë bërë të ditur gjithë botës se cfarë përfaqëson një qeveri që i ka rrënjët në krim e në trafiqe. Ne do vazhdojmë këtë front në përballje me qeverinë, çdo qelizë e shtetit është infektuar rëndë nga korrupsioni”

Edhe hetimet e drejtësisë, për të cilën kujdeset sërish të theksojë se është selektive, Meta thotë se vijnë për shkak të presionit opozitar.

“Rezultati është vazhdimësia e pandërprerë e këtyre protestave, përshkallëzimi do të japë rezultate, proceset e hapura edhe pse të vonuara e selektive (5D, inceneratorët) kanë qenë pas denoncimeve të opozitës, do vazhdojmë edhe denoncimet me intensitet të shtuar.”

Meta tha se edhe situata ekonomike në vend, po bëhet gjithnjë e më e rëndë, duke çuar drejt greminës ekonominë familjare të shqiptarëve.