TIRANË-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa me të cilin vlerësuan forcimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve dhe diskutuan mbi zhvillimet e fundit ne Kosovë e në rajon.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i uroi mirëseardhjen Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në Tiranë dhe duke vlerësuar bashkëpunimin mes forcave politike të Kosovës, e siguroi atë njëkohësisht për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në konkretizimin e përpjekjeve të përbashkëta të dy qeverive respektive me qëllim rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal. Në këtë kuadër u nënvizua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve reciproke.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë të Shqipërisë ndaj konsolidimit institucional dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke theksuar se Kosova mbështetet tek përkrahja e Shqipërisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë në funksion të avancimit të axhendës së saj rajonale dhe ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se sfida e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu si edhe te vendeve të tjera të rajonit tonë mbetet forcimi ekonomik e social i vendeve tona, dhe në këtë drejtim Shqipëria mbështet avancimin e dialogut dhe implementimin integral të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të japë rezultate të prekshme në terren për qytetarët.
Kryetari Meta dhe Kryeministri Mustafa ndanë bindjen e përbashkët në përfundim se fokusimi i punës së përbashkët në eliminimin e barrierave burokratike dhe në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben kuadrit më të gjerë të projekteve strategjike të ndërlidhjes rajonale, i cili është edhe një prej prioriteteve kryesore të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit. /ATSH/