/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Romë, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e konferencës së kryeparlamentarëve të vendeve të BE-së, ka vijuar takimet me homologët europianë.
Zyra e shtypit e Kuvendit njofton për takimin e kryetarit të Kuvendit, Meta me kryetarin e Kongresit të Deputetëve të Spanjës, Jesus Posada. Dy zyrtarët e lartë vlerësuan se të dy Parlamentet duhet të intensifikojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin e tyre në interes të forcimit të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Posada vuri në dukje se nga Kongresi i Deputetëve të Spanjës ka një interes të madh për të zhvilluar një bashkëpunim më të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë dhe në këtë drejtim e ftoi kryeparlamentarin shqiptar për një vizitë zyrtare në Madrid, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
Z. Meta u shpreh se ndjenjat e miqësisë së fortë mes popullit shqiptar dhe atij spanjoll duhen përkthyer në një program bashkëpunimi politik dhe ekonomik më të dukshëm mes dy vendeve dhe në këtë drejtim rikonfirmoi gjithashtu ftesën e tij ndaj homologut, z. Posada për një vizitë zyrtare në Tiranë, e cila u mirëprit gjithashtu me kënaqësi.
Në përfundim, kryetari i Kuvendit i shprehu z. Posada qëndrimin e Shqipërisë për një përqasje dhe përkushtim edhe më angazhues të Spanjës ndaj Kosovës, si një kontribut për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, duke e konsideruar pavarësinë e saj si një realitet të pakthyeshëm e një zhvillim pozitiv për tërë rajonin.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjate takimit me Presidenten e Dhomës së Lartë të Parlamentit austriak, Sonia Zwazl
Më herët kryetari i Kuvendit u takua me Presidenten e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Austrisë, Sonia Zwazl, me të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta e tradicionale mes dy vendeve, ndërsa ndanë bindjen se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar më tej në shërbim të bashkëpunimit dypalësh.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë si në kuadër të procesit të integrimit evropian, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Këtu, ai u ndal tek potencialet e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e investimeve në energji, shëndetësi dhe në drejtim të arsimit profesional.
Presidentja e Dhomës së Lartë të Parlamentit austriak u shpreh se në këto momente të vështira ekonomike për tërë Evropën, arsimi profesional dhe trajnimi i të rinjve për tregun real të punës është një prioritet i paneglizhueshëm, dhe në këtë kontekst, tha Zwazl, Austria është e gatshme të ofrojë asistencën e saj.
Gjatë vizitës dyditore në Itali, z. Meta dhe delegacioni që e shoqëron, u pritën ngrohtësisht në 5 komunat arbëreshe të Unionit të Arbërisë në Kalabri, në kuadër të ditëve kulturore të kolonisë së piktorëve figurativë.
Vizita nisi në Komunën e Santa Sofia D'Epiro, ku u prit nga autoritetet lokale, kryebashkiaku, Prefekti i Kozencës dhe kryetari i Parlamentit Rajonal të Kalabrisë.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, tha se kjo vizitë e parë në tokat arbëreshe shënon një emocion për të gjithë ne. Arbëreshët, theksoi ai, ishin çelësi i ruajtjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare, pa të cilët sot nuk do të kishte Shqipëri, ndaj ndjehemi mirënjohës.
"Arbëreshët janë ura më e shkëlqyer e lidhjeve të forta shpirtërore mes Shqipërisë dhe Italisë dhe shqiptarët e çmojnë me krenari kulturën arbëreshe të ruajtur prej shekujsh. Kontributi juaj për Shqipërinë dhe Italinë nuk ka çmim. Ne duhet të ndërtojmë një program të përbashkët pune për ruajtjen e vlerave gjuhësore dhe kulturore të arbëreshëve", u shpreh kryeparlamentari.