Pas anulimit të dekretit për 30 qershorin, presidenti Ilir Meta është takuar me krerët e partive opozitare, aleate me Bashën, për të diskutuar një datë tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Takimi është zhvilluar në ambientet e presidencës, ku kanë qenë të pranishëm Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka, Nard Ndoka dhe përfaqësuesi i PR, Arian Madhi.

Në përfundim të tij, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi foli në emër të partive aleatëve, ku deklaroi se nëse mazhoranca do të vijojë që të këmbëngul që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor, atëherë opozita do të vijojë aksionin e saj, me beteja që sipas tij, nuk do të ishin të mira dhe të vlefshme për Shqipërinë. Megjithatë kreu i LSHK-së e cilësoi si një takim shumë konstruktiv ku tha se u hodh një hap i vogël drejt "rrugës së drejtë". Shehi ka zbuluar se as opozita dhe presidenti as nuk kanë sjellë në tryezë ditën e sotme një datë konkrete, duke theksuar se kjo gjë do të vendoset nëpërmjet një marrëveshjeje politike.

Në një kohë kur vendi është pa datë zgjedhjesh, vetë presidenti u shpreh gjatë deklaratës së tij ku solli argumentet për anulimin e 30 qershorit se data e re duhet të negociohet mes palëve politike, arsyetim i cili bie në kontradiktë me nismën që ai që ndërmori ditën e sotme, duke thirrur palët më vete dhe jo në një diskutim të përbashkët.

Në këtë tryezë nuk kanë qenë prezent as mazhoranca dhe as partia më e madhe opozitare, ku të dyja palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama këmbëngul që zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor, e ndërsa kryedemokrati Basha është shprehur se zgjedhjet nuk do të mbahen më as 30 qershor as 30 gusht duke qartësuar se asgjë nuk do të ndodhë nësë Rama vazhdon të jetë kryeministër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:20
Milo: S'ka rëndësi kur mbahen zgjedhjet, duhet zgjidhje të krizës

Pas takimit më përfaqësues të krerëve të partive aleate të Bashës, në presidencë ka shkuar kryetari i PSD-së, Paskal Milo. Ai është shprehur se i gatshëm që të ulet në tryezë me partitë politike për të dakordësuar mbi krizën dhe një datë të re për zgjedhjet lokale.

"Ne do vijojmë të takohemi jo vetëm me presidentin. Shprehim gatishmërinë tonë për t'u takuar me të gjitha subjektet politike për ta trajtuar me përgjegjshmëri krizën politike në të cilën ndodhet Shqipëria që të gjejmë zgjidhjen më të përshtatshme më të domosdoshme. Ndaj partia social demokrate është e gatshme për t'u takuar edhe me PS edhe me subjektet e tjera politike me mendimin se Shqipërisë në këto momente të vështira duhet të dëshmoje urtësi dhe klasës politike përgjegjshmëri që interesi kombëtar të mbizotëroje mbi interesat politike", tha Milo.

Ora 19:45
Takimi me Metën/Shehi: Opozita s'ka një datë konkrete për zgjedhjet, u hodh një hap i vogël

Në përfundim të takimit me presidentin Meta, Dashamir Shehu tha se u hodh një hap pozitiv, teksa ka theksuar se opozita dhe as presidenti nuk ka propozuar një datë tjetër për zgjedhjet lokale. Ai theksoi se një datë e tillë do të vendoset vetëm me një marrëveshje politike. Gjithashtu, Shehi përsëriti se nëse mazhoranca vijon të këmbëngulë që zgjedhjet do të jenë më 30 qershor, aksioni opozitar do të vijojë.

"Qe një takim shumë miqësor dhe sipas tezës së presidenti, u munduam që të sqarojmë këtë situatë. E falënderuam për këtë që ka bërë për zgjidhjen e krizës, por gjykojnë se si takimi i parë në këtë situatë kaq të rëndë, idetë janë të përgjithshme. Aksioni opozitar nuk mund të reduktohet. Dita e zgjedhjeve duhet të jetë derivat i një analize tjetër, çfarë duhet të bëjmë që zgjedhjet të jenë të pranueshme.  Mundësia e një marrëveshje politike, që të merren në konsideratë kërkesat e opozitës. Është bërë një hap i vogël në rrugën e duhur. Data do të dalë nga marrëveshja politike. Pa asnjë propozim në tryezë. Jemi më afër një marrëveshjeje politike, nëse pala tjetër do vijojë me pretendimin se do bëhen zgjedhjen me datë 30 do bëhemi gati për aksione të tjera, rrethana të tjera", u shpreh Shehi në emër të aleatëve.

Ora 19:01
Anuloi 30 qershorin/ Nis takimi i presidentit Meta me aleatët e Bashës

Mbërrijnë në Presidencë krerët e Partive aleate të Lulzim Bashës. Në takim kanë mbërritur Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka, Nard Ndoka dhe përfaqësuesi i PR, Arian Madhi.