Ironia ka karakterizuar disa reagime të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta në lidhje me deklarata e tyre politike që bëjnë në rrjetet sociale apo konferenca për shtyp. Sulmeve të ashpra dhe gjuhës së egër të Metës, Rama i është përgjigjur me faktin se Meta e di që do humbasë zgjedhjet, por nuk e kupon se çfarë i kanë bërë shqiptarët ,me gjithë këto ngatërresa që po bën. Nga ana tjetër kundërpërgjigja e Presidentit ka qenë se Rama e ka vlerësuar 20 vite më parë aftësinë e tij në qeverisje, kur ka qene kryebashkiak i Tiranës, dhe se këtë gjë vijon t'ia thotë ende në takimet që zhvillojnë nga afër.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj Ilir Metës duke i kërkuar që në emër të shqiptarëve t'u thonë se çfarë borxhi dhe çfarë faji i kanë atij që nuk rresht së akuzuari dhe nuk ngopet kurrë me asgjë. Me një reagim në twitter, Rama shkruan se Meta po ngatërron dynjanë edhe pse shqiptarët i kanë dhënë në dorë si kurrë ndonjë tjetri historinë e shtetit të tyre.

"Ilir aman të keqen thuaja shqiptarëve çfarë borxhi të kanë ty që t'i dhanë të gjitha siç nuk ia kanë dhënë askujt në historinë e shtetit të tyre dhe prapë nuk ngopesh dhe nuk pushon së ngatërruari dynjanë në Shqipëri e matanë?! Thuaja pash Zotin çfarë borxhi të kanë akoma", shkruan Rama.

Më herët gjatë prezantimit të platformës online, kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh atij, por se Meta i ka një borxh tepër të madh Shqipërisë, pasi falë qytetarëve është bërë kryeministër, kryeparlamentar dhe president.

Kreu i Shtetit Ilir Meta prek kohës ka nisur një fushatë sulmesh ndaj qeverisë duke lënë mënjanë rolin e Presidentit dhe marrjes së atij të opozitarit ku shpesh i ka marrë dhe kauzat opozitës jashtëparlamentare. Por e gjithë kjo pakënaqësi dhe sulme të Ilir Metës, për Kryeministrin Rama vjen si pasojë e faktit se e di që do të humbasë zgjedhjet e 25 prillit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
Rama reagon për Metën: Nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë, por sërish ngatërron dynjanë

Kryeministri Rama ka reaguar për postimin e Presidentit Meta duke u shprehur se nuk ndryshon mendim për ato që ka thënë. Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se çfarë borxhi kanë shqiptarët që Meta nuk ndalet duke ngatërruar dynjanë.

"Ilir unë s'u heq asnjë presje atyre ç'kam thënë e s'kam asnjë arsye të shqetësohem ç'do mendojë nesër kush do lexojë fjalimet e shkrimet dhe do shohë intervistat e mia, përkundrazi! Po shqiptarëve sot ti duhet t'ua thuash çfarë borxhi të kanë që s'pushon së ngatërruari dynjanë" - shkruan Rama në Twitter.

Ora 14:29
Meta i përgjigjet Ramës me ironi e 'butësi': Faleminderit për fjalët e mira që ke thënë 20 vite më parë, mi thua sërish dhe sot në takimet nga afër (VIDEO)

Ironizimit të kryeministrit Edi Rama që Ilir Meta të tregojë se me kë e ka inatin kaq të madh që po ngatërron dynjanë me sulme dhe ndasitë e tij,  kreu i shtetit ka zgjedhur gjithashtu ironinë duke risjellë në vëmendje fjalët vlerësuese që Rama ka bërë vite më parë për Ilir Metën

Kreu i shtetit ndërroi taktikën e sulmeve të tij, ku me ironi dhe "butësi"  ka kujtuar vlerësimet e Edi Ramës në kohën kur ka qenë kryebashkiak i Tiranës, i cili shprehet se "Meta ka treguar se ka talentin për të qeverisur por ka dhe aftësinë për të bashkëjetuar me një grup njerëzish të aftë që i përkasin një gjenerate të re".

Meta madje shkruan se këto fjalë të mira, Edi Rama vijon t'ia thotë edhe në takimet e sotme nga afër.

"Edi, faleminderit për fjalët e mira që ke thënë për mua 20 vite më parë dhe që m'i thua gjithmonë kur takohemi nga afër. E di vetë ti! Por nesër është një ditë e rëndësishme për shqiptarët, ndaj të lutem mos dëgjo më bandat dhe oligarkët se nuk ja u ka parë kush hajrin! Koha për një FRYMË TË RE, për një bashkëjetesë qytetare dhe europiane, është tani! Respekto Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe të lutem hapi listat, për socialistët në radhë të parë dhe për të gjithë shqiptarët", shkruan Meta.