Meta për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku: I shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë

Meta për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku: I shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur Sali Shijaku. Meta shkruan se ndarja nga jea e Shijakut është një humbje e madhe për të gjithë kombin. Shijaku, shkruan Meta, do të mbetet i paharrueshëm ndërsa me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, duke lënë pas një trashëgimi artistike.

“Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.  Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar.

Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit.  Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.

Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t'i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. "Po këpucët ku i ka?", e pyeten. "Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit", - u përgjigj me dinakëri artisti. "Ke të drejtë, i thanë, aprovohet".

Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t'ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.

Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore.  Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.

Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgimia e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht. Ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Shijaku, bashkëpunëtorëve ndër vite dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! Të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta.


Lajmi kryesor:

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku! Prej disa ditësh ishte i shtuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja