Presidenti Ilir Meta ka reaguar për raportin e Komsionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, sa i përket emigracionit për vitin 2020.

Duke iu referuar raportit Meta thekson se që Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë. Për presidentin shpopullimi është drama më e madhe që po i ndodh vendit tonë.

"Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë", shkruan Meta.

Duke iu referuar raportit, Meta thotë se në vitin 2020, mesatarja e të larguarave ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë. Ndër të tjera, presidenti thotë se “duhet të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre”.

"Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.

Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve. Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve", vijon Meta.

Në raportin e publikuar nga revista monitor thuhet se në vitin 2020 ishte mbi 550 për 100 mijë banorë për Shqipërinë, një tendencë dukshëm në rritje në raport me vitin 2015 kur janë krahasuar të njëjtat shifra dhe treguesi ishte rreth 350 për 100 mijë banorë. Ky tregues është përpiluar nga UNHCR, Agjencia e KB për Refugjatët, dhe sipas raportit përdor të dhëna për nivelet e refugjatëve që janë mbledhur në mënyrë rutinore nga UNHCR përmes Rishikimit të saj vjetor të Statistikave të Popullsisë (PSR), duke përfshirë të dhëna në nivel vendi nga sistemet administrative të azilit dhe bazat e të dhënave direkte të regjistrimit të refugjatëve.

Pas Shqipërisë ndodhet Turqia e cila ka pasur një rritje të shtetasve që lënë vendin në raport me popullsinë totale në vitin 2020 kur krahasimi bëhet me 5 vite më parë. Por pavarësisht tendencës së ngjashme Turqia ka vetëm 100 refugjatë për 100 mijë banorë.