TIRANE - Mos gjetja e konsensusit të “artë” e të shumëkërkuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e tij të fundit mes palëve të politikës shqiptare, ka detyruar kryeparlamentarin Meta që pas një debati prej gati 10 orësh, të shtyjë për të enjten tjetër votimin për një komision hetimor për ligjshmërinë e emërimeve në adminsitratë.

Mazhoranca ra paramisht dakord me kërkesën e demokratëve për të hetuar emërimet në administratën shtetërore, por sipas tyre objekti i hetimit duhet të nisë nga viti 2009 kur të djathtët ishin në pushtet, dhe jo nga Shtatori i 2013-ës, siç kërkon opozita e sotme.

E kjo javë sipas Metës, deri në votimin e së enjtes, duhet të shërbejë për një përpjekje të sinqetë për gjetjen e konsensusit mes opozitës dhe mazhorancës.

 “Unë personalisht kam nevojë për më shumë kohë , personalisht , si Kryetar i Kuvendit që mbaj përgjegjësi për ndjekjen e procedurave. Jam midis dy kërkesave. Grupi i shumicës që kërkon që të votohet propozimi i tij me argumentet përkatëse, me të drejtë apo pa të drejtë, edhe ata i referohen Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Grupi i Partisë Demokratike kërkon që të votohet vendimi sikurse ju e keni kërkuar. Ndërkohë që edhe ju e pranoni që përveç afateve ka nevojë dhe për një riformulim dhe jeni të gatshëm që të bisedoni. Prandaj unë edhe një herë tjetër do ju kërkoja që ta shtyjmë për votim për të enjten tjetër,  sepse debatin e kemi konsumuar dhe të bëjmë një përpjekje të sinqertë për të gjetur mundësinë e një kompromisi dhe në rast se jo unë të paktën të jem i qetë për procedurën”, tha Meta.

Ridvan Bode: S’mund të bëhet marrim amendamentet mbi pakicën dhe t’i hedhim në votim, s’keni çfarë votoni, nëse jepni konsensus për të sjellë brenda etikës parlamentare formatimin e objektit tone, por jo zgjerimin e afatit. Ju prakitikisht keni kufizuar objektin e hetimit parlamentar, keni refuzuar kërkesën tonë për hetim parlamentar.

Ilir Meta: Shumica parlamentare në rast se konstaton se shkelen standardet kushtetuese është e detyruar të japë alternative duke i dhënë mundësinë opozitës të rishikojë objektin e saj.  Ju qëllimin e keni të realizoni atë objektiv që keni. Edhe ju e pranoni që ka nevojë për riformulime dhe jeni të gatshëm të bisedoni

Fatmir Xhafaj: Nuk mund të ngrihet një komision hetimor kur këta janë pakicë. 


Kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për emërimet në administratë të personave sipas PD të inkriminuar, ngjalli debate të forta sot në seancën parlamentare, e cila përveç një diskutimi të shkurtër për raportin e KE-së për statusin dhe raportin për hetimin të lëvizjeve e shkarkimeve në Policinë e Shtetit, pati në qendër të diskutimeve parlamentare akuza dhe kundërakuza për emërimet në adminsitratë në kohën e PD e tanimë në kohën e PS.

Sipas ish-mazhorancës së djathtë, qeveria po vë në krye njerëz me precedentë penalë, ndërsa sipas shumicës së sotme, ish-qeveria Berisha vendosi në poste drejtuese, e sidomos në selitë tona diplomatike fëmijë politikanësh. Për këto akuza deputeti Balla solli emrat e fëmijëve të deputetëve të emrëruar në ambasada, ku spikati ai i dhëndrit të ish-kryeparlamentares Topalli në ambasadën tonë në Francë, i cili radhiste në në CV-në e tij, faktin se është këngëtar dhe se ka marrë çmimin e parë në një nga edicionet e festivalit të RTSH-së.
 
Deputeti i PS, Armando Subashi tha se mazhoranca është dakord për ngritjen e këtij Komisioni, por me kusht që objekti i hetimit të nisë nga 2009 dhe jo vetëm për 3 muaj siç kërkohet nga opozita. “Ne duam të shkojmë edhe më tej, që këto fenomene të dalin në dritën e diellit, dhe sigurisht që duke zgjeruar kohën e këtij hetimi, do ta ndihmojë këtë parlament nëse duhet të ndërhyjë për përmirësimin e legjislacionit. Pas këtij komisioni administrata publike do të jetë më e pastër. Propozimi ynë është shumë konkret, të ngremë këtë komision hetimor, por objekt do të jetë hetimi nga 2009 deri më 31 maj të këtij viti,” u shpreh Subashi

Nga ana e tjetër ish-kryeministri Sali Berisha vijoi akuzat në drejtim të qeverisë për emërimet në administratë, duke shtuar se kryetari i ri i Këshillit të Qarkut Vlorë është një skafist sipas tij. "Nëse doni të merreni komision hetimor për nga periudha 2009 bëjeni ne nuk humbasim gjë, por na lini të bëjmë detyrën tonë. Dje kryeskafistin e vlorës e lartësuat kryetar qarku, sepse i ka dhënë Koços me 100 mijë euro." tha Berisha

Sakaq, kryetar i komisionit z. Arben Ristani dhe zv. kryetari z.Taulant Balla paraqitën para seancës dy raportet përfundimtar të opozitës dhe mazhorancës të komisionit hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit” . Raporti u miratua me 72 vota pro.

Kuvendi miratoi dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2013” me 72 vota pro. Seanca plenare mbylli punimet e në orën 20.00


DEBATET NE SEANCEN PARLAMENTARE DHE "PERPLASJET" QEVERI-OPOZITE

Xhafaj: Ligj i ri për Komisionet Hetimore, të shamngim telenovelnë e radhës

Deputeti Fatmir Xhafaj në emër të Partisë Socialiste kërkoi të shikohej mundësia e një ligji të ri për komisionet parlamentare, duke marrë parasysh faktin se vetëm kohët e fundit me kërkesë të Partisë Demokratike janë ngritur komisione të shumta hetimore, si ajo e lëvizjeve në polici, për trafikun e drogës etj.
 
“Komisioni hetimor s’mund të jetë masha sa herë që ju kërkoni të nxirrni nga zjarri gështenjat e politikës suaj të ditës. E keni një meritë, keni dhënë një kontribut për të pasuruar doktrinën kushtetuese të një komisioni hetimor dhe vetë gjykatën e ka sosur durimi, saqë me vendimin e fundit që nxorri për komisionet hetimore, ju tha juve: Bëni ç’të doni, vrisni veten mes vedit, por mos na çoni më të nxjerrim jurispundencë kushtetuese. Pas 5 vendimeve rrjesht në vendim numër 6 na tha ne: Meqë ju bëni sikur s’e kuptoni 5 vendimet e mëparshme, ne po bëjmë sikur nuk e kuptojmë se ku doni të dilni ju me komisionet hetimore, pa e vrarë mendjen për kompetencat institucionale. Të shohim mundësinë e një ligji të ri për komisionet hetimore, do të shmangte telenovelën parlamentare të radhës, do t’i hiqnim gjykatës kushtetuese, dhe do t’i hiqnim shqiptarëve një tjetër tallje”, tha Xhafaj.