Presidenti i vendit Ilir Meta e shikon hapjen e listave 100 % si mënyrën që populli të vendos jo vetëm se nga kush do të qeveriset, pro në të ardhmen të zgjedhë dhe presidentin. Kjo është një kërkesë e hershme e Metës, i cili ka kërkuar shpesh që presidenti të zgjidhet me referendum nga popullit dhe duket se me listat e hapura 100 %  ai është duke shtuar edhe një tjetër "kërkesë në emër të opozitës" që presidentin ta zgjedh populli. Listat e hapura 100 % u propozuan nga opozita e bashkuar.

Përmes një statusi në "Facebook" Meta shkruan se listat e hapura 100 % do u heqin të drejtën kryetarëve që të zgjedhin persona që deri më sot kanë shkatërrua interesin publik dhe demokracinë duke shtuar se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin dhe flasin vetë.

"Populli do të zgjedhë shumë më mirë se Kryetarët, të cilët i kthyen deputetët në kartonngritës shkatërrues të interesit publik, shtetit ligjor dhe demokracisë. Bashkë me deputetët populli duhet të zgjedhë drejtpërdrejt në të ardhmen edhe Presidentin e Republikës. Koha që shqiptarët të zgjedhin dhe të flasin vetë! Sovraniteti në republikën e Shqipërisë i përket popullit", shkruan Meta.

Ditën e djeshme Lulzim Basha deklaroi në emër të opozitës së bashkuar se është pro hapjes së listave 100 % por duke ruajtur koalicionet që janë, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca ka kërkuar dhënien e shembujve konkret se si mund të zbatohet hapja e listave duke u ruajtur koalicionet parazgjedhore që janë me sistemin aktual zgjedhor që ka vendi, proporcional rajonal. Modeli i propozuar nga opozita jashtëparlamentare, ai i Kosovës, është në të vërtetë i njëjti model që propozon Edi Rama dhe Partia Socialiste domethënë me koalicione, por me listë unike.