TIRANE-Ndryshe nga sa deklaron Edi Rama, Partia Demokratike shprehet e bindur se koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura mund të funksionojnë pa asnjë problem me njëri tjetrin duke marrë shembullin e Kosovës. "Koalicioni që përdorim sot është një formë liste e hapur, ku zgjedhësi përcakton fuqinë e secilës parti. Është e njëjta gjë që po përpiqemi që të bëjmë me këtë propozim. Por Edi Rama kërkon të mbyllë listën e partive. Këto të dyja funksionojnë shumë mirë dhe pa asnjë problem.

Votuesi cakton partinë dhe kandidatin e asaj partie në një fletë votimi, si për partitë brenda apo jashtë koalicionit. Cdo parti e koalicionet del me emër të vecantë. Është teknikalitet i zgjidhshëm lehtësisht, si në Kosovë. Edi Rama në padijen e tij dhe qëllimin tinzar përdor këtë lidhje vetëm me një qëlli, që të zhdukë koalicionet" tha Oerd Bykykbashi.

Gazment Bardhi thotë se tani që PD-ja propozoi hapjen 100% të listave, Edi Ramës i ka ikur gjuha. "Me formulën që propozon Edi Rama, 1/3 e listave zgjidhet nga partitë, ndërsa 2/3, humbësit të zgjidhen nga qytetarët. Kjo do të thotë se 100 deputetë të jenë të paracaktuar dhe vetëm 40 të jenë me listë të hapura. Opozita ka propozuar hapjen 100% të listave, por vota e qytetarëve nuk ka rëndësi për Ramën. Maska e Ramës ka rënë.

Qëllimi i tij është ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Pra votat që qytetarët hedhin për të larguar Ramën duhet të prodhojnë mandate për Edi Ramën. Tani si humbës dhe frikacak po përpiqet që të zhbëjë marrëveshjen e 5 qershorit me preteksin e hapjes së listave. Tani që propozuam hapjen 100% Ramës i ka ikur gjuha, teksa cicëronte si bilbil. As ai dhe askush nuk do të mbajnë peng vendin dhe njerëzit që duan ditë më të mira për familjet e tyre".

Propozimin e Damian Gjiknurit për opozitën jashtë parlamentit dje në Këshillin Politik që PD-LSI të mblidhnin 28 firma në Kuvend për ta paraqitur kërkesën e tyre si nisëm ligjore, Bardhi e cilësoi absurde. "Ky ishte qëndrim absurd dje në mbledhjen e këshillit politik, që është forum i të gjitha partive për të realizuar reformën zgjedhore dhe cdo diskutim në atë tryezë për të gjetur konsensusin i kalon më pas parlamentit sikur është vepruar edhe në rastin e ndryshimeve që dakordësuam të gjithë bashkë. Qëllimi është që të fusim në procedurë dicka që nuk është procedurë, por cështje politike.

Ne kemi shprehur vullnetin që të hapen 100% listat, pa ndryshuar rregullat për pjesën tjetër të garës për koalicionet, ndarjen e mandateve, apo zonat zgjedhore. Ne po na thuhet të marrim pjesë në zgjedhje me rregullat që cakton Edi Rama, kjo është e papranueshme. Pala tjetër duhet ta thotë a është për hapjen e listave 100% apo ndryshimin e koalicioneve. Për hapjen e listave jemi gati dhe të hapur të punojmë pa pushim, por për cështjen tjetër për koalicionet jo, pasi prekin dhe rihapin nga e para marrëveshjen e 5 qershorit".

Por përse PD-ja ndryshoi qëndrim për hapjen e listave kur më parë tha duhet të kalojë në referendum? "Ndryshimet Kushtetuese duhet të kalojnë përmes referendumit. Dhe ne i qëndrojmë, jemi koherent në këtë qëndrim. Mirëpo sa kohë është parashtruar një cështje, ne mbajmë një qëndrim konkret, ne jemi dakord për hapjen e vërtetë të listave 100%. Dhe këtë e kemi ofruar në tryezë palës tjetër si formulë kompromisi për të ecur bashkërisht".

Një tjetër arsye që PD-ja kundërshtonte ishte koha e shkurtër e diskutimit, por tani ka ndryshuar qëndrim. "Vullneti politik ka qenë cështja kyçe për të qenë të suksesshëm. Ne e kemi treguar. U kërkuam të heqin dorë nga teoria e faktit të kryer, që në 5 ditë, janë hapësirë e mjaftueshme që qeveria të thotë heqim dorë nga zhbërja e koalicioneve dhe ecim përpara me hapjen e listave. Nëse ka dakordësi në Këshill, ashtu si 5 qershori, ashtu gjendjen 28 firmat, që janë obligim i shumicës për ta cuar në parlament për ndryshimet e nevojshme" u shpreh Bardhi.

Në pikën që ndahen palët për listën, te garantimi i përfaqësimit gjinor, PD-ja bën një propozim. "Fillimisht të bëhet shpërndarja e mandateve për gratë derisa arrin 1/3 më pas kalohet te burrat. Kjo mund të jetë një zgjidhje, por e rëndësishme është që në parlament nuk mund të ketë disa deputët të zgjedhur dhe disa që nuk i zgjedhin qytetarët. Nëse kalohet në modelin e listave të hapura duhet të jenë 100% të hapura. PS-ja t'i thotë PO listave 100% të hapura dhe integrimit, hallet e shqiptarëve janë më të mëdha se të Edi Ramës" tha Bardhi.

Për sekretarin e përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi opozita e bashkuar jo vetëm që do ti fitojë zgjedhjet e ardhshme, por thellë. "Kryeministri të mbajë një qëndrim nëse është për Shqipërinë në Europë apo standardeve anti-demokratike, në jemi për Shqipërinë në Europë, zgjedhjen tjetër ta bëjë pala tjetër". Për Petrit Vasilin 'koalicioni opozitar është fitues 'de fakto'' prandaj Edi Rama, sipas tij kërkon që të ndalojë koalicionet parazgjedhore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:31
Maliqi i drejtohet Ramës: Bëhu burrë dhe prano listat e hapura 100%

Deputeti i opozitës parlamentare Lefter Maliqi i është drejtuar kryeministrit Edi Rama që të pranojë listat e hapura 100%.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Maliqi shkruan se Rama ose duhet të zgjedhë demokracinë me lista të hapura, ose pushtetin në tavolinë me mafian, oligarkët dhe drogën. Sipas tij refuzimi i listave të hapura 100% tregon një rilindje të kapur dhe të keqpërdorur.

"Opozita parlamentare ka kërkuar dhe kemi firmosur në mënyrë unanime të 39 deputetet për lista të hapura 100%. Zgjidhni jeni me shqiptaret qe duan lista te hapura 100% sic kemi firmosur te 39 apo lista të pjesshme e prishje koalicionesh sic do Rilindja e krimit. Dy rruge keni o rreshtohuni me popullin ashtu sic keni firmosur ose u doli boja shkoni me Rilindjen si te kapur dhe te keqpërdorur. Listat e hapura demokraci e paster, populli voton partine brenda kualicionit dhe kandidatin për Deputet sipas nr. Ramzi zgjidh do demokracinë me listat e hapura 100% apo do pushtet ne tavoline me mafien, oligarket, drogen, institucionet e kapura dhe krimin.

Ja fleta e votimit e thjeshtë e kuptueshme, votohet partia brenda koalicionit dhe kandidati për deputet sipas nr.Ramzi o ditezi që mbete me djallezi behu burrë prano listat e hapura 100%  sic duan Shqiptaret dhe shikoje sa do të vlej lekura e ujkut që mban të mbrojtur me antiplumb. Antiplumbin ta çpon populli me vote të drejtperdrejt me lista te hapura 100%. Hiqe maskën e zeze, vere maskë të bardhë si gjithë populli",- shkruan Lefter Maliqi.

Shembull i fletës së votimit e publikuar nga PD-ja.
Ora 16:25
Koalicionet, Salianji: Ramës nuk është se nuk ia mban fleta, nuk ja mban b....



Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka publikuar fletën e votimit që propozoi Partia Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E ndërsa Edi Rama thotë se listat e hapura dhe koalicionet nuk mund të qëndrojnë bashkë në një listë, pasi do të kthehej në libër, Salianji shprehet se "Koalicionet, Ramës nuk është se nuk ia mban fleta, nuk ja mban b....Ja model flete votimi, kaq e thjeshtë!" shkruan ai.

Ora 13:44
PD tregon formatin e Kosovës: Ja si mund të votoni në një fletë për koalicionin dhe kandidatin me numër, jo emër

Partia Demokratike thotë se hapja e listave dhe koalicionet parazgjedhore funksionojnë bashkë. Oerd Bylykbashi ka publikuar një format duke treguar sipas tij se si në të njëjtën fletë votimi mund të jetë edhe lista e partive në koalicion parazgjedhor dhe përbri saj kandidatët për deputetë për të zgjedhur, por me numra dhe jo emra. Oerd Bylykbashi tha se ky është shembulli i sistemit në Kosovë. Pra sipas PD-së emrat e kandidatëve duhet të jetë të parapbublikuar më parë, ndërsa në fletën e votimit të jenë me numra. 

"Funksionimi bashkë i listave dhe koalicionet është e zgjidhur lehtësisht teknikisht në kod. Lista e partive dhe një pjesë me numra që i korrespodon kandidatit në listën emërore që partia ka publikuar. Zgjedhësi përzgjedh partinë, më pas me numër kandidatin që ka vendosur. Kjo është një fletë votimi e thjeshtë. Këtë model ka Kosova. Rama po projekton në mendjen e shqiptarëve që fleta e votimit do të jetë një libër duke e bërë të pamundur zgjedhjen, kjo nuk është e vërtetë. Nëse Rama mendon se do kufizojë të drejtën partive për të garuar, tregon qartë qëllimin e tij.

Fleta e votimit të Kosovës, votohet për parti dhe zgjidhet numri i kandidatit. Kjo është pjesë teknike dhe zgjidhet. Por Rama duke hequr koalicionet do të zhbëjë maskimalisht vota shqiptarësh. Edi Rama do që vota për partitë e vogla të bëhet nul. Modeli aktual i koalicioneve është sanksionuar në ligj që në vitin 2003, e kemi marrë nga Italia, e përdor Holanda. Koalicionet parazgjedhore janë ofertë publike e ndershme" tha Bylykbashi.

Fleta e votimit që propozon PD-ja për zgjedhjet