Meta s’ia fal Berishës publikimin e dosjes së Sigurimit, dështon pakti opozitar

Meta s’ia fal Berishës publikimin e dosjes së Sigurimit, dështon pakti opozitar

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Klima e mosbesimit brenda lidershipit të opozitës tashmë ka marrë formën zyrtare dhe pritet që deri në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor të marrë përmasa dramatike.

Ajo që kemi thënë ditë më parë në lidhje me një përplasje të fortë mes Ilir Meta(j)t dhe Sali Berishës, për shkak të daljes në publik të emrit të ish presidentit në dosjet e Sigurimit të Shtetit, si ish bashkëpunëtor që ka marrë më qafë një bashkë-student, tashmë ka rezultuar i vërtetë.

As takimi i pangjarë deri më tani larg syrit të kamerave sikurse e pranoi dhe vetë Ilir Meta(j), as komunikimi opozitar online i pranuar po nga vetë ish presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, nuk kanë mundur të shuajnë pakënaqësitë që ai ka me kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha.

Kjo u pa dhe në lëvizjen më të fundit politike të Meta(j)t, i cili teksa ka folur për aksionin opozitar, dhe për protestën e paralajmëruar për javën e ardhshme tek inceneratori i Tiranës, nuk ka përmendur në asnjë rast mbështetjen apo arritjen e një akordi me Berishën dhe PD për të bërë një protestë të përbashkët. Metaj tha se të martën tjetër në orën 18:00 do protestohet tek inceneratori i Tiranës.

“Protestën e parë Partia e Lirisë do ta organizojë pas një jave në orën 18:00 te incineratori i Tiranës. Për këtë çështje do të bëjmë edhe veprime të tjera. Jemi të vendosur të godasim këtë skemë mafioze që shkatërron shëndetin e qytetarëve”, deklaroi Ilir Meta(j), ditë më parë.

I pyetur nëse Partia Demokratike dhe Sali Berisha do të marrin pjesë, ai tha se janë të ftuar t’i bashkohen tubimit të partisë së tij. Njësoj siç janë të ftuar të gjithë qytetarët e tjerë për të marrë pjesë në një protestë politike, mund të lexohet përgjigjia e Meta(j)t në lidhje me mundësinë e pjesëmarrjes së demokratëve të udhëhequr nga Berisha në këtë tubim.

Pra, në protestën e parë të shtatorit, aq të paralajmëruar nga ana e liderëve të opozitës Berisha dhe Meta(j), Partia e Lirisë del e vetme, pa aleatin e supozuar Partinë Demokratike.

Të thuash se Berisha ka refuzuar për srsye ‘etike’ pjesëmarrjen në një tubim kundër “armikut” të tij Edi Rama, as që e çon njeri në mendje, pasi ai ka mbështetur dhe kauza të tjera shumë më të “vobekta” vetëm e vetëm që të gjente një “podium” për të sulmuar kryeministrin socialist.

E vërteta e kulluar është se Ilir Meta(j) dhe Sali Berisha nuk janë marrë vesh për lidershipin e opozitës, por dhe për elementë të tjerë krucialë që kanë të bëjnë me formatimin e një opozite të bashkuar apo koalicioni politik mes partish politike në përgjithësi.

Me sa duket Berisha nuk është i gatshëm të vendosë që Meta(j) të kryesojë opozitën e bashkuar PD-PL në aksionin opozitar deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin vendor, për shumë arësye.

Në krye të herës, Berisha e ka të vështirë të ketë dikë para vetes, pra të parë dhe ai të jetë “violinë” e dytë në një formacion apo koalicion politik. Këtë e ka treguar në 9 vitet e “tërheqjes” së tij zyrtare nga drejtimi i PD, ku nga prapaskena drejtonte Lulzim Bashën zyrtarisht kryetar të partisë.

Dhe lëvizjet politike të partisë më të madhe opozitare diktoheshin me një postim në rrjetin social apo me një deklaratë publike të vetë Berishës, për të shërbyer më pas si kauzë për tërë opozitën, por e artikuluar zyrtarisht me gojën e Lulzim Bashës. Kështu është vepruar me djegien e mandateve, me sulmin ndaj institucioneve dhe me bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019 për pushtetin vendor nga ana e PD dhe opozitës.

Ndërkohë që Berisha ende nuk është i sigurtë nëse do të jetë në favor të tij vendimi i Apelit, pas ankimit të Alibeajt për vulën dhe logon e partisë. Një vendim kundër tij nga Apeli, e ul ndjeshëm “pazarin” e tij me Ilir Meta(j)n, pasi për shkak të kohës së paktë në dizpozicion deri në zgjedhjet e pranverës së ardhshme për pushtetin vendor, Berisha do të jetë i detyruar të përdorë sërish siglën e partisë së Meta(j)t, tashmë Partia e Lirisë, si në zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit, për të futur kandidatët e tij në garë.

Por duke qënë se Metaj e ka “oreksin” për pushtet më të madh se takatin dhe fuqinë e Partisë së Lirisë, këtë radhë jo si më 6 mars ku nuk paraqiti asnjë kandidat, do të kërkojë në mos gjysmën e kandidatëve për kryetarë bashkie më 2023, të paktën 40 përqind të tyre. Dhe në këtë përqindje do të kërkojë dhe bashkitë e sigurta.

Për këtë arsye Berisha po ngurron që të të jetë bashkë me Meta(j)n që tani në një koalicion të vetëm PD-PL për aksionin opozitar këtë vjeshtë. Pasi e kanë paralajmëruar një gjë të tillë, ndërkohë që në realitet po ndodh e kundërta: Opozita është më e ndarë se kurrë dhe kërcënimi me protesta të përbashkëta që në shtator për rrëzimin e Ramës, tashmë i përkasin të shkuarës.

Ilir Meta(j) e njeh mirë “pazarin” politik. Këtë e ka treguar në të gjitha rastet kur ka “gërryer” pushtet si nga PS dhe sidomos ka gërryer shumë nga PD, me vetë Berishën që me 4 deputetë i mori gati gjysmën e qeverisë dhe me Bashën që i mori gati 20 përqind të elektoratit demokrat, dhe në zona të caktuara elektorale e nxori PD-në parti të tretë politike, si më 2017.

Duke e njohur këtë realitet të vështirë për Berishën, të shpallur zyrtarish dhe “non grata” familjarisht nga SHBA dhe Britania e Madhe, Meta(j) po përpiqet me të gjitha mënyrat për të ushtruar presion për krijimin sa më shpejt të një aleance PD-PL, me qëllimin e vetëm balancimin e peshores politike mes këtyre dy partive.

Pra përmes përfitimit të elektoratit të PD, sepse partitë e Meta(j)t, si LSI ashtu dhe PL janë parti klienteliste. Oferta për mbështetje bëhet përmes vendeve të punës dhe mundësisë për të abuzuar me pushtetin. Eshtë një “film” i parë gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga viti 2004 kur Meta(j) krijoi subjektin e tij politik LSI e deri në shkrirjen e kësaj partie, dhe ngritjen në gërmadhat e saj të Partisë së Lirisë.

Prandaj Metaj bën si i zemëruar me Berishën në lidhje me paranojën e tij se ka qënë pikërisht lideri i PD ai që ka sponsorizuar publikimin e dosjes së Sigurimit të Shtetit, ku I.M figuronte një spiun aktiv në vitin 1989. Madje dhe rekrutues nëse i referohemi dokumenteve të Autoritetit të hapjes së Dosjeve, ku LSI ka kërkuar heqjen e nenit në ligjin që kufizonte verifikimin e figurës për të gjithë ata politikanë e zyrtarë që kanë kaluar më parë komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”, duke marrë certifikatën e pastërtisë.

Metaj rrezikon që të mos jetë jo vetëm deputet por as kryetar partie jashtë parlamentit, nëse miratohen nismat e PS dhe të PD të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj në Parlament, për spiunët e Sigurimit dhe ish zyrtarët e PPSH. Penalizohet dhe Berisha me këto nisma, të cilat është e sigurtë se do të miratohen në Kuvend. Palët kanë treguar vendosmëri për t’i miratuar.

Në këtë këndvështrim Ilir Meta(j) ia kujton Berishës, madje dhe në takimin e fundit, faktin se ka qënë ai strumbullari i publikimit të dosjes së tij të Sigurimit, dhe për këtë kërkon kompensim, dhënien në dorë të drejtimit të opozitës por dhe marrjen përsipër të kandidimit të shumë bashkive në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, me kandidatët e Partisë së Lirisë, të mbështetur nga koalicioni opozitar.

Me sa duket as presioni dhe as bisedimet s’kanë ndikuar që Berisha të tërhiqet, ndaj dhe protesta e parë e paralajmëruar e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës, do jetë gjysmake. Do protestojë vetëm Partia e Lirisë e Ilir Meta(j)t, duke treguar qartë se opozita vijon të jetë e përçarë për shkak të krizës së lidershipit.

Megjithatë Meta(j) nuk ia fal Berishës andrallën që i ka krijuar pikërisht në vigjilje të dekretimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor nga ana e Presidentit të Republikës. Pasi është i bindur se Berisha, njeriu që ka të gjitha dosjet në Shqipëri dhe me të cilat ka qeverisur si në pushtet ashtu dhe në opozitë përmes presionit me këto dosje, ka “dorë” dhe në bërjen publike të dosjes së tij si spiun i Sigurimit.

Aq shumë i ka ‘djegur” kjo Meta(j)t sa është detyruar të dalë nga dy herë në ditë para mediave për të sqaruar pozicionin e tij, herë duke e mohuar të ketë qënë ish bashkëpunëtor Sigurimi e tashmë duke deklaruar se ia kanë manipuluar këtë dosje.

Duke e detyruar dhe atë “fakirin” Filip Talon që të bëjë kërkesë në Autoritetin e Dosjeve, e pangjashme deri më sot me asnjë kërkesë tjetër drejtuar në këtë institucion, që të “revizionohet” dhe ndryshohet dosja e tij. E shkruar e zeza mbi të bardhë nga operativët e asaj kohe që rekrutuan I.M-të por dhe vetë Filip Talon, si kompensim për ta lënë jashtë burgut për shkak të tentativës për arratisje jashtë vendit më 1989. Dhe që për fatin e tij të keq kishte rrëfyer tek I.M-të duke u thënë dyerve të burgut “hapuni”.

Referuar të gjitha zhvillimeve, opozita sot është më e ndarë se kurrë, për shkak se Berisha dhe Meta nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët. Pretendojnë të dy liderin e opozitës, të dy duan vendin e parë në “autobusin” e opozitës. Pavarësisht se si Berisha ashtu dhe Meta(j) kanë garantuar një opozitë të gjatë, njëri sepse është “non grata” për korrupsion të lartë dhe tjetri është nën akuza të forta për të gjithë elementët e mundshëm të korrupsionit.

Aq më tepër që aleanca mes tyre ka qënë për shkak të dosjes së Sigurimit, ku Meta(j) ka qënë i detyruar të veprojë siç ka dashur Sali Berisha, që e zotëronte dhe tundte këtë dosje. Pra një bashkëpunim nga halli dhe presioni, ndonëse kanë të dy hall të përbashkët, janë të izoluar nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nuk kanë pikë mbështetjeje prej tyre dhe janë përballë drejtësisë për zullumet e tyre të shumta në këto 32 vite.

Shtuar këtu dhe grupin e Alibeajt, pas të cilit gjendet Lulzim Basha, i cili deri më 2025 zotëron gati 60 përqind të grupit parlamentar të PD. Dhe s’është pa gjë dhe me mbështetje në elektorat, jo për të ardhur në pushtet por sa për të prishur punë. Pa llogaritur këtu heshtjen e aleatëve traditcionalë të PD, të cilët ende nuk dinë me cilin grup të pozicionohen.

Pjesa tjetër, jo Ilir Meta apo Ilir Metaj, dhe elementë të këtij lloji që kanë të bëjnë me dosjen e Sigurimit të Shtetit, aty janë, e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka pse të akuzohet media se ia ka hequr “j”-në në fund të emrit. Meta(j)t i ka “shijuar” aq shumë emri “Meta” sa dhe në dekretet presidenciale që nga emërimi i Edi Ramës kryeministër e deri tek dekretimet e ministrave pikërisht me “Ilir Meta” i ka nënshkruar. Si dhe të gjitha dekretet e tjera që kanë dalë nga zyra e ish Presidentit. Arsyet i di vetë Meta, por që do të zbulohen shumë shpejt në të ardhmen.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda