PRISHTINË, 24 Mars/ATSH/.- Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë do të nënshkruajnë një plan bilateral bashkëpunimi për vitin 2015.
Sipas KosovaPress, ky nënshkrim do të bëhet gjatë vizitës që do të bëjnë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, gjatë vizitës dyditore në Kroaci.
Demolli dhe Rama do të priten me nderime të larta shtetërore fillimisht në ministrinë e Mbrojtjes të Kroacisë, ku do të zhvillohet takimi me ministrin kroat, Ante Kotromanoviq.
Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se, Demolli dhe Rama do të takohen edhe me presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq, kryetarin e Parlamentit, Josip Leko në Parlamentin kroat, dhe një varg vizitash në kazerma dhe ambiente ushtarake të Republikës së Kroacisë./m.m/