TIRANE- Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë jep garancinë se mielli që përdoret në furrat e bukës është i sigurt, pa ngjyrues apo element të tjerë toksik. Ministri siguroi qytetarët se mielli që hyn në Shqipëri nga çdo vend si Serbia, Belgjika, Gjermania, etj; kontrollohet që në doganë, dhe më pas edhe në furrat e bukës ku merren mostra në mënyrë periodike nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili deri më tani nuk ka konstatuar asnjë rast abuzimi.

"Analizat e Institutit të Sigurisë Ushqimore të kryera në kampione të shumta të miellit kryesisht atij të importit por edhe të miellit të vendit kanë treguar se ky ndotës shumë i rrezikshëm, mungon në miellrat tona, pra mielli ynë është i sigurt nga aflatoksina. Nga ana tjetër ne jemi përqendruar edhe të ndotës të tjerë. Unë inspektova vetë procesin e përgatitjes së bukës, nuk përdoret absolutisht asnjë lloj ingredienti, pra çdo gjë përgatitet në mënyrë të natyrshme, me miell, ujë dhe maja," tha ministri Edmond Panariti pas inspektimit që kreu në një furrë buke në Tiranë.

Lidhur me disa artikuj të publikuar në disa media ku thuhet se në Shqipëri ka hyrë miell i kontaminuar nga Serbia dhe Rusia ministri u shpreh se këtu nuk ka asgjë të vërtetë. Ai shtoi se kushdo është i lirë të bëjë hipoteza, por këto janë fjalë të pabazuara në fakte, pasi analizat e Institutit të Sigurisë Ushqimore nuk flasin për asnjë lloj ndotësi në miellin që përdoret për bukën në Shqipëri.

"Ka një diferencë midis hipotezave dhe tezave. Tezat janë të konfirmuara, hipotezat janë hipoteza. Mirë është që bëhen hipoteza sepse në një farë mënyre mbajnë të ndezur vëmendjen e opinionit publik ndaj rreziqeve potenciale, por hipotezat nuk mund të shiten për teza, për sa kohë që nuk ka të dhëna të provuara analitike siç janë të dhënat tona që vijnë nga Instituti i Sigurisë Ushqimore i cili është i certifikuar, që dëshmojnë dhe vërtetojnë që ndotësit nuk janë të pranishëm dhe për këtë arsye nuk është e udhës që të krijohet panik i pajustifkuar të konsumatorët," tha ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Marrë nga "Kosova Press"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)