Migjeni (ndër)kohë

Migjeni (ndër)kohë
Si rrallë autor tjetër i letërsisë shqipe, Migjeni bën pjesë në grupin e atyre shkrimtarëve, vepra e të cilëve nuk mund të kuptohet pa njohur mirë dramën e jetës së tij, të realitetit, mentalitetit e atmosferës së asaj periudhe.

E gjithë poetika migjeniane është e ngjyer me nota biografizmi dhe në të mund të krijosh marrëdhënie reale vetëm duke depërtuar më së pari në kontekstin e kohës kur jetoi e krijoi poeti. Megjithatë, fakti që ende sot, pas gati një shekulli, poezia e tij lexohet me të njëjtin ritëm e dëshirë, kuptohet e shijohet po njësoj si në kohën kur u shkrua; fakti që në vazhdimësi shkruhen kritika e recensione, bëhen studime e vlerësime në bazë metodash të ndryshme interpretimi, të gjitha këto tregojnë se krijimtaria e Migjenit, poezia dhe proza, i përkasin tashmë përmasës së universales.

Horizonti i pritjes ka rezultuar gjithnjë premtues, gjë që i ka siguruar gjithëkohësinë. Gjuhët në të cilat është përkthyer janë disa e kjo ka bërë që vepra e tij të ketë edhe shtrirje të konsiderueshme në hapësirë.

“Poema e mjerimit” e identifikon më së miri zërin autorial të poetit, por njëkohësisht na ofron edhe nuancat më të gjalla të jetës së viteve tridhjetë. Këtu, autori përshkruan me nota therëse situatën e rëndë ekonomike, politike e sociale të vendit. Po përjetoheshin pasojat e një rrënimi që buronte sa nga padituria e sa nga meskinizmi dhe hipokrizia e atyre njerëzve që kishin abuzuar me pozitën e tyre, duke krijuar përçarje të marrëdhënieve mes njerëzve në luftën e ashpër kundër humanizmit.

Autori krijon në këtë poemë një panoramë të qartë të asaj çka sjell mjerimi, rrezatimin e tij në fytyrat e njerëzve që e bartin atë dhe qëndrimin e heshtur të shoqërisë përballë fuqisë shkatërrimtare të këtij fenomeni të shëmtuar.

Migjeni qe zhytur me të gjithë qenien në kohën e vet. Prandaj, edhe forca e reagimit të tij ndaj fenomeneve, situatave e imazheve që i ofronte jeta e përditshme, është e kuptueshme. Fryma dhe idetë që na ka përcjellë janë krejt të patëdyta, ndoshta edhe ngaqë zotëronte vetëdijen se do të mund të dëgjohej në rrjedhat e kohës vetëm duke qenë i veçantë, duke mos i ngjarë askujt tjetër. Përgjatë gjithë vargjeve të poemës në fjalë shohim se poeti është i motivuar nga thellësitë dhe trazimet shpirtërore.

Artikulon emocionet personale, por, po aq edhe zjarrminë e mendimit. Synon veprimin, por gjithnjë i zhytur në dyshime. Ndihet efekti melankolik e elegjiak i vargjeve, ndihet dëshpërimi që shkon deri në vetëflijim, por edhe dëshira e heshtur për revoltim.

Te “Poema e mjerimit” shfaqet hapur problemi i ekzistencës së njeriut, i fatit të tij, nga lindja deri në vdekje; shpërfaqet enigma e qenies njerëzore, me të mirat e të këqijat e jetës, si dhe tragjeditë e komeditë si bashkëudhëtare të saj. Duke paraqitur situatën e rëndë të kohës kur jetoi e shkroi, poeti nuk ngurron të hedhë poshtë anën hyjnore të njeriut, por duke u ndalur dhe protestuar në atë që ky i fundit meriton të trajtohet ashtu siç është në vetvete e në rrethanat shoqërore.

Si një pishtar i ndezur në mes të errësirës, Migjeni pati simpatizuar disa ide të mendimtarëve të mëdhej, që u kushtonin vëmendje nevojave jetësore të individit e të shoqërisë, si dhe prirjeve natyrore të jetës. Nën ndikimin dhe prangimin e strukuturave të veçanta të kohës së tij, si varfëria e injoranca, ai u ngrit duke shprehur hapur rebelimin dhe mospajtimin me një situatë që i kish shkaktuar kaq shumë dhimbje shoqërisë shqiptare.

Migjeni jetoi në një periudhë transite, të karakterizuar nga një situatë e paqëndrueshme politike, sociale e ekzistenciale. Koha e ardhjes së tij lidhej ngushtë me daljen në skenë të një grupi të madh shkrimtarësh e mendimtarësh të lëmive të ndryshme.

Por, kur shumëkush kërkonte ta fshinte e fshihte të vërtetën e hidhur, Migjeni veproi krejt ndryshe, duke u dalluar e veçuar jo vetëm për tematikën e problematikën e parashtruar, por edhe për mënyrën e shtjellimit e të artikulimit. Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka përcaktuar poetikën e tij është edhe sëmundja e rëndë, e cila kishte depërtuar deri në thellësi të shpirtit, duke e mbushur me pesimizëm dhe duke e shndërruar në një yll që erdhi vazhdimisht në zbehje, derisa shkoi në shuarje të plotë.

Vepra e Migjenit u shkrua në një kohë pa kohë, por u lexua kohë pas kohe, derisa fitoi pakohësinë. Tashmë ekziston mëdyshja e madhe nëse ishte koha ajo që nuk e braktiste poetin, apo ishte poeti ai që nuk e braktiste kohën. Deri në frymën e fundit të jetës së tij, Migjeni vrapoi të ndalonte kohën e vonuar, duke qenë i bindur e besimplotë se mund të ndryshohet. Zemra e tij pushoi së rrahuri. Koha vazhdoi të jetë po ajo: dje, sot, mot e përherë.
migjeni

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit