ITALI - Organizatorët e Lojërave Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' janë duke marrë masa urgjente për çështjen e medaljeve të dëmtuara, pas ankesave të disa atletëve fitues për cilësinë e tyre.

Dy medalistet e arta amerikane, Breezy Johnson dhe Alysa Liu, raportuan probleme me medaljet e tyre, duke konstatuar se shiriti që mban medaljen u shkëput menjëherë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, duke dëmtuar medaljet.

Johnson, kampione në skitë alpine në disiplinën e zbritjes, tregoi medaljen e thyer gjatë një konference për mediet, ndërsa Liu publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqej medalja dhe shiriti i ndarë. Probleme të ngjashme u panë edhe te ekipi gjerman i biatlonit, ku gjatë festimit një medalje ra nga shiriti.

Andrea Francisi, drejtori i operacioneve të Lojërave, deklaroi se po shqyrtojnë me kujdes çështjen dhe po i kushtojnë vëmendje maksimale medaljeve, pasi ato janë një nga momentet më të rëndësishme për atletët. Gjithashtu pas këtij hetimi është vendosur që medaljet e dëmtuara të zëvendësohen.

Medaljet olimpike të këtij viti janë prodhuar nga 'Zecca dello Stato' dhe janë më të shtrenjtat në histori, ndaj ata kanë ndërhyrë menjëherë. Problemi nuk lidhet me brishtësinë e medaljeve, por një sjellje anormale të sistemit të sigurisë, të parashikuar nga standardet ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që cilësia e medaljeve olimpike vihet në pikëpyetje. Në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, janë bërë mbi 220 kërkesa për zëvendësim medaljesh të dëmtuara, rreth 4% e totalit.