Në seancën plenare të zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar kryedemokratin Basha që të bëjë kujdes.

Pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me 3.4 milionë euro që u sekuestruan në Portin e Durrësit, në makinat “Toyota”, Xhafaj i ka thënë Bashkës të tregojë me emër dhe mbiemër agjencitë e huaj të specializuara që ka dhënë informacionin.

Opozita në këtë sallë, dhe ata të cilët nga ligësia, apo dhe ata që nga naiviteti, apo nga lodhja nervore dhe shpirtërore me këtë realitet politik, më kërkojnë dorëheqjen në emër të moralit politik e njerëzor, duhet ta kursejnë këtë kërkesë për mua, të paktën për këtë rast.
Balta që kërkoni të hidhni tek unë në mënyrën e pamerituar dhe në mënyrën më të shëmtuar me lloj-lloj akuzash dhe intrigash, nuk e pastron kurrsesi baltën që ju ka mbuluar ju me bëmat e së kaluarës dhe me bëmat e të tanishmes. Për këtë jam i vetëdijshëm jo vetëm unë por i gjithë publiku që ju shikon dhe ju gjykon.

Është fare e lehtë sot që të mbyllësh hesapet politike me Lulzimin dhe me kulturën politike që përfaqëson. Ka qenë Ministër i Brendshëm njëherë e një kohë dhe nëse do që të krahasohet për punë dhe rezultate, të urdhërojë, të hapur e ka mejdanin! Le të dëshmojë çfarë pune ka bërë e çfarë gjurme ka lënë! Por këto sfida, të cilat i ka të humbura që në fillim, dihet se nuk i interesojnë, ndaj ka gjetur strehë tek ‘Babale-zbulimet’ dhe spiunimet. 
E meqë ra fjala, ka ardhur dita që pesha e fjalës së cilitdo politikani të matet me përgjegjësinë publike, që ai merr pasi e pohon. 
Ndaj, Lulzim bëj kujdes kur aludon shërbime inteligjente partnere, për informacione të dhëna gjoja prej tyre, në trillet e sajuara prej teje, ose përndryshe gjej guximin të thuash emër e mbiemër! Bëj kujdes se jo vetëm bëhesh qesharak mes tyre, por edhe se nuk dihet se në çfarë dërrase tjetër të kalbur je duke shkelur! 

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj