Deputetët e PD sulmojnë efektivët e FNSH në Kuvend: Na drejtuan armën! Policia: S'është e vërtetë, kishin spraj! JA ME VIDEO ÇFARË KA NDODHUR

TIRANË- Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të FNSH në oborrin e Kuvendit. Pasi militantët që po protestonin në Bashkinë e Tiranës iu afruan hyrjes së Kuvendit, FNSH u fut në oborrin e Kuvendit dhe këtu nisi përplasja fizike.

Deputetët demokratë pretendojnë se një efektiv i FNSH i ka nxjerrë armën Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën edhe videon e momentit si nisi përplasja. Sa i takon eftktivit për të cilin PD pretendon se ka nxjerrë armën, në video dallohet qartë se si dy deputetët e sulmojnë fizikisht, i heqin kapelën dhe tentojnë t’i marrin skafandrën mbrojtëse.

Instinktivisht për t’u mbrojtur, efektivi dallohet teksa vë dorën në anën e djathtë të tij dhe pikërisht për këtë moment deputetët demokratë pretendojnë se ka nxjerrë armën.

"I drejton armën dy deputetëve të Shqipërisë, Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Kërcënojnë me armë deputetët e opozitës brenda ambienteve të tyre të punës”, tha Bardhi.

Por, në një video të publikuar më vonë, Policia e Shtetit hedh poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, duke thënë se efektivi i FNSH, sipas ligjit për tubimin, nuk ka qenë i armatosur në protestë. Në videon e publikuar nga policia dallohet qartë se efektivi mban në anën e djathtë një spraj piper për t’u mbrojtur.

“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, deklaroi policia.

Policia thotë se do të kallëzojë deputetët që dhunuan efektivët, nga ana tjetër PD ka paralajmëruar kallëzim në SPAK.

“Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori”, njoftoi Policia e Shtetit.

“Grupi Parlamentar i PD do bëjë kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës, disa punonjës të paidentifikuar policie: U futën persona ta armatosur në Kuvend, kanosën me armë deputetët”, njoftoi PD.

E pikërisht, futja e FNSH në oborrin e Kuvendit nxiti një konflikt kompetencash mes Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.

Dinamika e përplasjes

Gjithçka nisi pasi militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës.  

Lajm ne perditesim....

VIDEO e publikuar nga policia ku tregohet se efektivi i FNSH mban spraj priperi dhe jo armë

 

 

VIDEO- Përplasja e deputetëve me FNSH dhe VIDEO e publikuar nga policia ku efektivi ka spraj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
Bardhi vlerëson Gardën dhe akuzon Policinë: Mbrojti jetën e deputetëve të opozitës nga kanosja e Policisë! Kuvendi u shndërrua në fytyrën e Ramës

1729160602_gazmentbardhi.jpg

Deputeti Gazment Bardhi akuzon Policinë për kanosje 

Pak pasi është mbyllur protesta e dhunshme e opozitës para Parlamentit, ku u pretendua edhe për një kërcënim me armë nga efektivi i Policisë ndaj ligjvënësit Luan Baçi, por që rezultoi blof, Gazment Bardhi ka reaguar përsëri.

Kreu i grupit të PD ka akuzuar me një postim në rrjetin social Facebook mazhorancën, se ka përdorur Gardën dhe Forcat e FNSH për të sulmuar deputetët e opozitës.

Bardhi theksoi ndër të tjera se “nuk kishte ndodhur kurrë rrethimi i deputetëve të opozitës, përdorimi i Gardës, ndërhyrja e Policisë në territorin e Parlamentit apo kërcënimi me jetë i një deputeti nga punonjësi i policisë”. Postimi shoqërohet edhe me pamjet e videos, ku në një moment pretendohet se efektivi kanos deputetin Luan Baçi.

Reagimi i Bardhit:

“Kurrë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur që deputetët të rrethohen nga forcat speciale të Policisë së Shtetit brenda ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.

Kurrë gjatë një seance plenare nuk ka ndodhur që forcat speciale të Policisë së Shtetit të futen në ambientet e brendshme të Kuvendit dhe të pengojnë lëvizjen e deputetëve. Kuvendi sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit ka forcat e veta të sigurisë, që janë pjesë e Gardës së Republikës.

Kurrë nuk ka ndodhur që një punonjës policie brenda ambienteve të Kuvendit të kanosë me jetë një deputet.

Pavarësisht debateve të përhershme dhe tejkalimeve të kompetencave herë pas here nga Garda e Republikës, sot ishin pikërisht punonjësit e Gardës që mbrojtën jetën e deputetëve të kanosur nga Policia në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Sot Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në fytyrën e vërtetë të Edi Ramës. Shteti që kërcënon brenda Kuvendit me polici deputetët e opozitës, nuk ka asnjë lidhje me nje shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe asnjë lidhje me parimet që udhëheqin një vend anëtar i NATO-s!”

Postimi i deputetit Gazment Bardhi
Ora 13:21
PD del blof me denoncimin se efektivi nxori pistoletën, ja pamjet që sqarojnë të vërtetën! Policia: Nuk ishte armë, por sprajt (VIDEO) 

Opozita denoncoi publikisht sot gjatë tensioneve dhe protestës së dhunshme para Parlamentit, se një efektiv policie i FNSH i kërcënoi me armë zjarri.

Në një video ku duket efektivi që vë dorën në brez, ndezi situatën dhe tashmë PD ka njoftuar edhe kallëzim në SPAK.

Policia e Shtetit fillimisht mohoi publikisht me reagim zyrtar, duke sqaruar se efektivët nuk mbajnë armë shërbimi gjatë protestave, përveç mjeteve të tjera, si shkopi i gomës apo spraj.

Dhe në këtë video shoqëruese sqarohet më mirë se çfarë kishte në brez, te vendi i pistoletës efektivi dhe kolegët e tij. Një spraj që përdoret në protesta, kur ka sulme fizike, kundërshtim dhe thyerje të rendit dhe perimetrit.

 1729163936_gardaerepubliksspraj.jpg

Sprajti i policit që u akuzua se kishte armë në brez
Ora 12:57
Tensionet te Parlamenti, Grupi i PD: Kallëzim penal në SPAK për Spiropalin, Hoxhën, Prodën, Vocajn dhe punonjësit e paidentifikuar të Policisë!

 

Pak pas përfundimit të protestës dhe tensioneve para Parlamentit nga opozita, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Partia Demokratike.

Selia blu deklaron se:

“Grupi Parlamentar i PD do bëjë kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës, disa punonjës të paidentifikuar policie: U futën persona ta armatosur në Kuvend, kanosën me armë deputetët”.

PD pretendon se deputetët u kanosën me armë, ndaj për këtë qëllim do bëjë kallëzim në SPAK për Elisa Spiropalin, Ilir Prodën, Ervin Hoxhën, e Tonin Vocajn dhe të tjerët.

Ora 12:49
Noka: Jemi të vendosur në rrugën e mosbindjes civile, s'na ndal as Spirogjoka dhe as stërnipi i Enver Hoxhës! Vetëm juntat fusin Policinë në Parlament

 

Flamur Noka foli pas largimit të deputetëve të opozitës drejt selisë së PD, para mbështetësve të tij, duke siguruar se mosbindja civile do të vazhdojë. Ai denoncoi edhe njëherë policinë se kërcënoi me armë deputetët e opozitës.

Noka akuzoi me epitete edhe kryeparlamentaren Eliza Spiropali, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha. Këtë të fundit e quajti edhe si “stërnipi i Enver Hoxhës”.

Reagimi i Nokës:

“Sot regjimi arriti kulmin. Duke kërcënuar nën tyten e armës deputetët. Nuk kishte ndodhur kurrë që forca speciale të policisë të armatosura gjer në dhëmbë të futen në territorin e Parlamentit dhe Gardës e të kërcënojnë deputetët përfaqësues të popullit. Këtu vdes demokracia, këtu vdes shteti ligjor. Vetëm diktaturat, juntat fusin në Parlament polici dhe forca të atmarotusa. Institucionet janë të mbrojtura nga forcat e Gardës dhe jo policia. Po kur stërnipi i Enver Hoxhës, ministri Brendshëm, kërcënon deputetët nga Parlamenti i narkoshteti, çfarë nuk pret më tjetër.

E pamë sot që nga dhuna, prania e gardës dhe policisë tregon panik. Narkoregjimi është në panik nga mosbindja civile e opozitës. Elisa Spirogjoka e 5 mln eurove, apo stërnipi i Enver Hoxhës s’mund të kenë gjë tjetër përveç panikut. Asgjë s’i shpëton nga vullneti shqiptarëve. Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike se s’mund të shkojmë në zgjedhje pa qeveri teknike, me këtë qeveri narkoshtetit. S’ka kaluar as 24 orë kur kreu i narkove tha se ka hapur grupkapitujt dhe i çeli ato me Gardën, Policinë, e tytën e armës. Jemi të vendosur në rrugën e mosbindjes civile, asgjë s’na ndal, ne do vazhdojmë në rrugën tonë. S’na ndal as Elisa Spirogjoka dhe as stërnipi i Enver Hoxhës”.

Ora 12:45
Pretendimi i PD, reagon Policia: Asnjë efektiv s’ka pasur armë me vete, dhunuesit do t’i kallëzojmë

Policia e Shtetit ka reaguar pas pretendimit të PD, se efektivët e FNSH i kanë drejtuar armën dy deputetëve të PD, Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Policia thotë se asnjë efektiv nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.

Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.

Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.

Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.

Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.

Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.

Ora 12:36
Deputetët e PD dhe militantët nisen për në selinë blu! Bardhi koordinon aksionin me telefon

 

Deputetët e PD janë larguar nga oborri i Kuvendit pas përplasjes fizike me FNSH. Pas tyre u larguan edhe militantët, të cilët iu bashkuan para Kuvendit pas protestës te Bashkia e Tiranës.

Bardhi ka thirrur deputetët në seli dhe edhe gjatë rrugës dallohet teksa qëndron në telefon.

 

Ora 12:26
Noka kërcënon ministrin e Brendshëm dhe Spiropalin: Do iu tërheqim zvarrë si Enver Hoxhën

 

Me tone kërcënuese ka folur Flamur Noka në drejtim të ministrit të brendshëm Ervin Hoxha dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.

Nipi i Enver Hoxhës mund të rrijë në krye të ministrisë, por Enver Hoxhën e kemi tërhequr zvarrë, ashtu do të tërheqim zvarrë ty, Edi Ramën dhe Elisa Spiro Gjoka po që se do dhunoni popullin opozitar.

Ora 12:24
FNSH u fut në oborrin e Kuvendit, shefi i Gardës debate me vartësit: Nuk i kërkuam, pse i lejuat?!

 

Debati mes shefit të Gardës dhe FNSH

Teksa opozita pretendon se një efektiv policie i FNSH ka nxjerrë armën për të kërcënuar deputetin Luan Baçi, ka ndodhur edhe një debat mes kreut të Gardës dhe atij të FNSH-së, pse Policia hyri brenda territorit të Parlamentit kur situata ishte nën kontroll.

Ermal Onuzi, shefi i Gardës debat me vartësit e tij dhe përfaqësuesit e FNSH-ve, pse u hap gardhi i sigurisë së Parlamentit. Madje ai i ka thënë pas debatit një prej vartësve që të largohej prej andej në nerva e sipër.

Sipas ligjit, Policia nuk lejohet në oborrin e Parlamentit, por nuk dihet se si kanë hyrë efektivët e FNSH me skafandra brenda oborrit, që solli edhe debatet e forta.

Gazetarja e Report TV, Esiona Konomi, raportoi se Garda nuk ka kërkuar ndërhyrjen e FNSH nga oborri i brendshëm. Këtë konflikt kishte edhe drejtori i Gardës me vartësit.

Ora 12:20
Tensione në Kuvend/ Pretendimi i Bardhit: FNSH i ka drejtuar armën dy deputetëve Nallbati dhe Baçit

 

Gazment Bardhi ka hedhur akuza në drejtim të FNSH. Bardhi pretendon se FNSH i ka drejtuar armën dy deputetëve Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit.

"I drejton armën dy deputetëve të Shqipërisë, Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Kërcënojnë me armë deputetët e opozitës brenda ambienteve të tyre të punës. Një pjesë e kolegëve e kanë pamjen të filmuar, do i transmetohet secilës prej mediave që nuk e disponon. Për herë të parë janë lejuar me urdhrin e kujt nuk e di", tha Bardhi. 

 

Ora 12:08
Përplasje e fortë mes Policisë e Gardës dhe deputetëve të Opozitës! Bardhi dhe Sula sulmojnë fizikisht: Të largohet FNSH, s’ka punë këtu!

Denigron situata para parlamentit të Shqipërisë. Deputetët e opozitës kanë sulmuar fizikisht gardhin e sigurisë së Gardës dhe Policisë, e cila erdhi me përforcime për të mbrojtur Kuvendin.

Edhe pse me skafandra dhe mburoja, deputetët e PD sulmuan dhunshëm efektivët, duke kërkuar pse ishte prezente Policia, pasi sipas ligjit duhet të jetë vetëm Garda në oborrin e institucionit.

Deputetët më aktivë në tensione dhe sulme kanë qenë Dashnor Sula dhe Gazment Bardhi, të shoqëruar nga Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati.

Syula u pa i përi teksa kapte mburojat e policëve dhe skafandrat për t’i hequr dhe larguar, teksa pati edhe dëmtime. Bardhi e ka ndihmuar më tej, duke kërkuar largimin e Policisë nga territori i parlamentit.

“Çfarë do Policia këtu. Largohuni. Turp, turp. Ikni, mbajeni mend! Largohuni prej këtu, s’keni punë në Kuvend. narkobandë në shërbim të qeverisë, ky është fundi”, ishte akuza e deputetëve të opozitës.

pas këtyre tensioneve të ashpra, kreu i Gardës ka kërkuar largimin e grupit të policëve me skafandra që mbështesnin Gardën në oborrin e Parlamentit.

Ora 12:06
Deputetët e PD përplasje të ashpra me FNSH në oborrin e Kuvendit, Dash Sula i heq skafandrën efektivit


Përplasje mes deputetëve të PD dhe policisë në oborrin e Kuvendit.  Dash Sula agravoi deri në përplasje të ashpra, ku iu hoqi policëve edhe skafandrat.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Regjistrohet në QKB kompania shtetërore e prodhimit armëve KAYO e Ministrisë së Mbrojtjes, Ardi Veliu zgjidhet drejtor

Regjistrohet në QKB kompania shtetërore e prodhimit armëve KAYO e Ministrisë së Mbrojtjes, Ardi Veliu zgjidhet drejtor