Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj ka reaguar pas kësaj vizite dhe i kujton Kryemadhit se LSI nuk është një forcë e re politike, por një forcë politike që ka qenë në pushtet për 8 vite rresht. “Kur dëgjon Kryemadhin mendon se ajo është kryetarja e një force politike të sapokrijuar dhe jo asaj partie që ka 8 vite ne pushtet dhe tani që verdikti i popullit e nxori në opozitë, kujton se është në ëndërr”- shprehet Nikollaj.
Gjithashtu Nikollaj akuzon Kryemadhit se po tallet me këtë shtresë të popullit. “Në emër të minatorëve shqiptarë ju bëj thirrje të mos talleni me një kauzë të shenjtë siç është statusi i minatorit” - i drejtohet Nikollaj-Kryemadhit. Ndër të tjera, Nikollaj thotë se Konfederata e Sindikatave që ka vite që ngren zërin për statusin minatorit dhe e ka çuar projektligjin në kuvend pasi nuk priste daljen e LSI-së në opozitë.
Akuza e Nikollaj shkon edhe më tej kur thotë se shumë zyrtarë të LSI-së kanë mbi 60% të aksioneve të minierave. “Shumë shqiptarë që kanë punuar në minierë nuk e kanë kapur moshën 60 vjeç, ndërsa shumë zyrtarë të LSI-së rezultojnë aksionerë më mbi 60% të aksioneve në miniera në Bulqizë, Kukës e Tropojë”- thotë Nikollaj.
Nikollaj kërkon t’i jepet fund shoë-t dhe ta shohim realitetin në sy, pasi zullimi këputet nga e trasha thuhet nga anët tona. “U desh një televizion italian të vijë të tregojë realitetin në Bulqizë, por më lejoni t’ju them se kjo është vetëm maja e ajsbergut në këtë xhungël që po pasuron një grup të vogël njerëzish e po mban peng ëndrrat e një shoqërie të tërë. Nesër do jem pranë minatorëve në zonat e verilindindjes për t’i bindur ata që të mos pranojnë t’u hidhet hi syve nga njerëz që për përfitime politike dhe ekonomike janë të aftë të bëjnë gjithçka”- deklaron Nikollaj.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com












