Menaxhuesit e Ndërmarrjes Trepça njoftojnë opinionin e gjerë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për gjendjen e vështirë në të cilën po kalon kjo ndërmarrje, për shkak të mos pajisjes me licencë shfrytëzimi.
Sipas një komunikate për media të mërkurën nga menaxhuesit, bëhet e ditur se minierat e Trepçës në Stantërg dhe Artanë, që nga 24 janari i vitit 2015, janë pa licencë shfrytëzimi, për shkak të së cilës është ndërprerë edhe prodhimi.
Po ashtu, bëhet e ditur se Trepça sipas Ligjit për minierat dhe mineralet, me kohë ka aplikuar për vazhdimin e licencës së shfrytëzimit sipas Ligjit nr. 03/L-163.
"Rrethanat e krijuara për shkak të ndërprerjes së procesit të prodhimit, Trepçës i kanë shkaktuar dhe janë duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe probleme në funksionimin e saj të tërësishëm. Burimi kryesor i të ardhurave financiare të Trepçës është prodhimi, kjo e drejtë është privuar pa fajin e minatorëve dhe të menaxhuesve duke rrezikuar në tërësi funksionimin e ndërmarrjes. Prandaj, minatorët dhe menaxhuesit e Trepçës, kërkojnë nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që menjëherë të ndërmarrin masa në mënyrë që Trepça të pajisjet me Licencë për shfrytëzim. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë përkushtim më të madh për Trepçën, sepse kjo nuk është vetëm përgjegjësi e menaxhuesve dhe minatorëve, por është përgjegjësi e të gjithëve, pavarësisht problemeve të shumta në të cilat po kalon vendi", thuhet mes tjerash në këtë komunikatë. /Kosovapress/atsh/