Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se vendit do t’i duhen 30 miliardë euro fonde për mbrojtjen në afat të mesëm, pas përfundimit të afatit të fondit special për modernizimin e ushtrisë.
“Pasi të mbarojë fondi special, do të na duhen të paktën 85 miliardë euro nga viti 2028. Kjo përbën 30 miliardë më shumë se sot”, tha Pistorius në një intervistë për gazetën “Süddeutsche Zeitung”.
Fondi special prej 100 miliardë eurosh u krijua në vitin 2022 për të rindërtuar ushtrinë gjermane, ose Bundeswehr, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Në vitin 2024, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen e Gjermanisë ishin rreth 52 miliardë euro, e cila – e kombinuar me fondin special – arrin në rreth 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit.
Pistorius tha se Gjermania duhet të synojë të paktën 3% të PBB-së në shpenzimet e mbrojtjes.
“Shpenzimi i të paktën 3% të PBB-së, do të thotë pak më shumë se 120 miliardë euro bazuar në PBB-në e sotme”, tha ai duke theksuar se Gjermania ishte larg këtij objektivi.