Tirana do të mirëpresë në qershor një ministerial për Ukrainën. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka ndarë detajet nga takimi me homologun Andrii Sybiha.
Gjatë takimit, Hoxha ka konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën kundrejt agresionit rus dhe gjithashtu ka pasur biseda edhe për rrugëtimin e dy vendeve drejt BE.
“Shkëmbyem pikëpamje mbi rrugëtimin tonë respektiv drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizuam rëndësinë e ruajtjes së ritmit për procesin e anëtarësimit evropian të të dy vendeve. Diskutimi ynë preku gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet e ardhshme, përfshirë një takim ministror që do të mbahet në qershor në Tiranë, duke rikonfirmuar bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal”, shkruan Hoxha.
Në ministerialin për Ukrainën që do të mbahet në Tiranë, do të marrin pjesë përfaqësues nga shtetet e Europës Juglindore. Ky është ministeriali i dytë për Ukrainën që organizohet nga Shqipëria. I pari u organizua më 28 shkurt 2024, që solli në Tiranë edhe presidentin e Ukrainës, Volofymyr Zelensky.

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, mori pjesë në Koalicionin për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës, të bashkëorganizuar nga Bashkimi Evropian, Ukraina dhe Kanadaja, gjatë vizitës së tij në Bruksel në kuadër të takimit me ministrat e jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, duke theksuar angazhimin për kthimin e sigurt të fëmijëve ukrainas të rrëmbyer dhe të deportuar në mënyrë të paligjshme.
Ai e cilësoi deportimin e fëmijëve si një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe theksoi nevojën për llogaridhënie dhe drejtësi. Shqipëria, sipas tij, do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë që synon rikthimin e fëmijëve pranë familjeve të tyre dhe në Ukrainë, duke nënvizuar se “asnjë fëmijë nuk duhet të bëhet viktimë e luftës”.
Postimi i Ferit Hoxhës
Mora pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Koalicionit për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës, bashkëorganizuar nga Bashkimi Evropian, Ukraina dhe Kanadaja.
Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah #Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.
Edhe një herë rikonfirmuam qëndrimin tonë të vendosur dhe parimor, ashtu siç Shqipëria veproi në mënyrë të vazhdueshme gjatë mandatit të saj në #Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbështetje të fëmijëve të Ukrainës, të rrëmbyer, deportuar në mënyrë të paligjshme dhe të privuar nga fëmijëria, identiteti dhe e ardhmja e tyre si pasojë e këtij agresioni.
Rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas përbën një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga mizoritë më të neveritshme të kësaj lufte. Llogaridhënia dhe drejtësia duhet të mbeten në thelb të përgjigjes sonë kolektive.
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje që synon garantimin e kthimit të sigurt, të menjëhershëm dhe dinjitoz të çdo fëmije ukrainas pranë familjeve të tyre dhe në atdheun e tyre.
Asnjë #fëmijë nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e luftës, zhvendosjes së detyruar apo ndarjes nga njerëzit e tyre të dashur.
Komente









