Ministri i Jashtëm i Togos viziton sot Kosovën

Ministri i Jashtëm Hoxhaj gjatë takimit me homologun Dussey Foto:Arkiv
PRISHTINË, 21 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit i Republikës së Togos, Robert Dussey, qëndron sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Dy ministrat do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve, paralajmëron MPJ e Kosovës.
Kryeministri i qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey.
Togo është shteti i 107 anëtar i OKB-së që njeh Pavarësinë e Kosovës, ka bërë të ditur MPJ kosovare në 2 korrik duke paralajmëruar edhe nënshkrimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Togo i ishte konfirmuar ministrit të Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, nga homologu i tij togolez, Robert Dussey.
Ministri Hoxhaj, në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën, ka pasur kontakte të shpeshta me homologun nga Togo, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij vendi.
Më 20 janar të këtij viti, ministri Hoxhaj zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Togos, Lome, ku gjatë takimit me homologun Dussey, i ka dorëzuar kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë.
Togo shtrihet në pjesën perëndimore të Afrikës, ka mbi 7 milionë banorë dhe është anëtare e Kombeve të Bashkuara nga 20 shtatori 1960./k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë