Forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte tema kryesore e takimit që ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi me homologun e tij grek, Nikos Dendias, gjatë vizitës zyrtare në Athinë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy ministrat vlerësuan dinamikën konstruktive dhe shumë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe interesin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit praktik në kuadër të NATO-s dhe në mbështetje të stabilitetit rajonal.

Ministri Nufi e cilësoi Greqinë një mike dhe aleate të çmuar të Shqipërisë, duke vlerësuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për procesin e integrimit evropian të vendit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike. Ministri shqiptar u shpreh se Shqipëria ka rritur ndjeshëm kapacitetet në këtë drejtim falë bashkëpunimit me aleatët.

“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me Aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, dhe jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin në fushën kibernetike, si në nivel dypalësh, ashtu edhe brenda kuadrit të strukturave të NATO-s”, u shpreh Nufi.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit ushtarak, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës. Temë e bisedimeve ishte edhe thellimi i koordinimit dhe ndihmës reciproke në përballimin e situatave të mundshme të emergjencave civile gjatë sezonit veror.

Takimi u bë fillimisht i ditur nga vetë ministri grek përmes një postimi në rrjetin social X, ku publikoi edhe foto nga pritja e ministrit shqiptar në Athinë.

Përmes këtij postimi, Dendias njoftoi se gjatë bisedës u trajtuan edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, si pjesë e dialogut mes dy vendeve. Ai bëri të ditur gjithashtu se i prezantoi homologut shqiptar edhe "Agenda 2030", programin e reformave që po zbaton Greqia për modernizimin e Forcave të saj të Armatosura.